Ministria e Brendshme

Prioritetet e punës së Ministrisë së Brendshme për vitin 2024

Prioritetet e punës së Ministrisë së Brendshme për vitin 2023

Prioritetet e punës së Ministrisë së Brendshme për vitin 2022

Prioritetet e punës së Ministrisë së Brendshme për vitin 2021

Përmbledhje ekzekutive

Me misionin për të garantuar një mjedis të sigurt për zhvillimin e vendit dhe shoqërisë përmes forcimit të rendit dhe sigurisë publike, ofrimit të shërbimeve cilësore dhe mbrojtjes së territorit me struktura profesionale e me integritet që veprojnë në përputhje të plotë me ligjin dhe duke respektuar të drejtat dhe liritë e qytetarëve dhe në përputhje me programin politik të Qeverisë, gjatë vitit 2021 Ministria e Brendshme do të thellojë masat për garantimin e shërbimeve gjithnjë e më cilësore në fushën e punëve të brendshme, për t’i shërbyer me përkushtim e profesionalizëm interesit publik dhe për të përmbushur angazhimet rajonale e ndërkombëtare të vendit.

Strukturat e Ministrisë së Brendshme, brenda fushave të tyre të përgjegjësisë, do të jenë me prioritet në gatishmëri të plotë për çdo situatë që lidhet me jetën dhe shëndetin e qytetarëve, të tilla si pandemia COVID-19 apo emergjenca civile.

Në një vit zgjedhjesh parlamentare, strukturat përgjegjëse të Ministrisë së Brendshme, gjatë katër-mujorit të parë të vitit, do të jenë të angazhuara, në përputhje të plotë me kompetencat e tyre dhe detyrimet ligjore, për të mundësuar dhe garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme, për aq sa është në fushën e tyre të përgjegjësisë.

Duke qënë fusha e veprimtarisë së Ministrisë së Brendshme e gjerë dhe diverse, synimi i Ministrisë së Brendshme këtë vit është një qasje gjithëpërfshirëse në punët e brendshme, me më shumë koordinim dhe angazhime të përbashkëta ndërmjet strukturave të varësisë.

Kryefjalë e re në punët e brendshme do të jetë inovacioni dhe teknologjia. Ministria e Brendshme synon krijimin e një kulture për inovacion brenda strukturave, mbështetur me mjete pune teknologjike, me qëllim ofrimin e shërbimeve gjithmonë e më “smart”, përfshirë këtu edhe sigurinë publike, duke mundësuar kështu një balancë më të mirë mes kësaj të fundit dhe respektimit të lirive dhe të drejtave të njeriut.

Ministria e Brendshme për vitin 2021 ka një plan analitik ambicioz, me paketa aktesh që do të plotësojnë kuadrin reformues të ligjeve për Agjensinë e Mbikëqyrjes Policore, ligjin për Gardën, ligjin për të Huajt, ligjin për Armët, ligjin për Shtetësinë, ligjin për Azilin etj., si dhe kuadër të ri reformues për Institutin e Policisë Shkencore, Gjendjen Civile dhe Sistemin e Adresave.

Sigurisht, edhe këtë vit, do të vijojë goditja dhe ndëshkimi i pakompromis i grupeve dhe organizatave kriminale dhe do të hetohet mbi çdo pasuri, të luajtshme dhe të paluajtshme, të krijuar nga të ardhurat e tyre. Për këtë, do të vazhdojë me prioritet konsolidimi i njësive të posaçme të ngritura kundër krimit të organizuar, do të rritet aksesi i Policisë së Shtetit në databazat e institucioneve shtetërore dhe do të shtrihet bashkëpunimi e veprimi ndërinstitucional. Lufta kundër krimit e udhëhequr nga inteligjenca dhe kryerja e hetimeve proaktive do të jenë qasja kryesore në këtë përpjekje. Destinacioni kryesor i pasurive të konfiskuara dhe të sekuestruara do të jetë kthimi tek komuniteti – kalimi i tyre i shpejtë për qëllime sociale e interesa publike, ndërkohë do të përmirësohet administrimi i tyre dhe mënyra e operimit deri në daljen e vendimeve përfundimtare për to.

Strukturat përgjegjëse për sigurinë dhe rendin publik do të intensifikojnë bashkëpunimin me komunitetin, në interes të vlerësimit më të mirë të rreziqeve dhe për ndërmarrjen e veprimeve proaktive. Axhenda e Këshillave Vendorë të Sigurisë Publike dhe komunikimi i përmirësuar me publikun do të jenë faktorë të rëndësishëm që do të drejtojnë veprimtarinë e PSH-së. Kontrolli i plotë i territorit, mbrojtja e mjedisit dhe pyjeve do të garantohet nëpërmjet veprimeve të përbashkëta të Policisë së Shtetit dhe të IKMT-së.

Për të realizuar lëvizjen e lirë ndërkufitare të qytetarëve dhe mallrave, fokusi do të jetë në rritjen e sigurisë kufitare duke standartizuar ndërtimin dhe operimin e Pikave të Kalimit Kufitar (PKK) bazuar në standartet e BE dhe duke rritur forcën zbuluese kundër krimit ndërkufitar. Këtij objektivi do t’i shërbejë riorganizimi i Departamentit të Kufirit dhe Migracionit, implementimi i projektit IPA për modernizimin e kontrollit të kufijëve tokësore e detare si dhe ndërtimi i pikave të përbashkëta kufitare me vendet fqinj. Për një menaxhim efikas të fenomenit të migracionit dhe azilit do të aplikohen procedura të përshpejtuara në kufi, synohet të ngrihen kapacitete pritëse në afërsi të tij dhe do të punohet për nënshkrimin e marrëveshjeve të ripranimit me vendet e origjinës.

Në interes të Axhendës së Decentralizimit dhe konsolidimit të Njësive të Vetëqeverisjes Vendore do të vazhdojë harmonizimi ligjor për funksionet e deleguara, standartizimi i veprimtarisë së tyre si dhe modernizimi i shërbimeve të ofruara në nivelin vendor. Masat e mësipërme do të shoqërohen edhe nga intensifikimi i dialogut dhe llogaridhënies së dyanshme mes qeverisë qendrore dhe asaj vendore nëpërmjet Këshillit Konsultativ Qeveri Qendrore – Vetëqeverisje Vendore. Koordinimi dhe mbështetja e punës së Prefektit të Qarkut do të vijojë me prioritet.

Gjatë vitit 2021 do të vijojnë reformat për forcimin e institucioneve, rritjen e kapaciteteve dhe përmirësimin e menaxhimit të tyre. Implementimi i strukturave të sapomiratuara për një numër institucionesh përfshirë aparatin e Ministrisë së Brendshme, riorganizimi strukturor i Policisë së Shtetit, transformimi i Akademisë së Sigurisë, Institutit të Policisë Shkencore dhe i SHÇBA-së si dhe plotësimi i kuadrit ligjor, nënligjor e normativ do të jenë ndër masat kryesore që mbështesin proceset e mësipërme reformuese.

Përmirësimi i shërbimeve ndaj publikut do të mundësohet nga rritja e numrit të shërbimeve online dhe zgjerimi i spektrit të tyre, informatizimi i proceseve të prokurimit publik, konsolidimi i kapaciteteve të MZSH në stacionet e krijuara kohët e fundit, por edhe me gjerë. Niveli i synuar i këtyre shërbimeve do të mundësohet duke ndërtuar infrastrukturën e duhur digjitale, procedura funksionale veprimi dhe standartizim të organizimit e veprimit të institucioneve.

Ministria e Brendshme mbart një rol të dorës së parë sa i takon edhe procesit kombëtar të integrimit evropian. Në cilësinë e institucionit lider për negocimin e Kapitullit 24, tashmë me miratimin e metodologjisë së re të zgjerimit nga vendet anëtare, institucioni ynë përveç rolit koordinues me institucione të pushtetit qendror e gjyqësor mbart edhe peshën kryesore të bashkërendimit të politikave dhe miratimit të akteve ligjore e nënligjore në përputhje dhe në harmonizim të plotë me standardet e BE-së, kryesisht në luftën kundër krimit të organizuar dhe migracionit të paligjshëm. Miratimi i kornizës negociuese për Kapitullin 24 dhe përmbushja e angazhimeve të ndërmarra në këtë kuadër do të jenë përcaktuese për vijimin e gjithë procesit në tërësinë e tij, prandaj ky proces do të konsiderohet një prioritet parësor në agjendën e punëve të brendshme për vitin 2021.

Përmbushja e këtyre prioriteteve do të mundësohet nëpërmjet përkushtimit dhe profesionalizmit nga ana e punonjësve dhe drejtuesve të institucioneve, për të cilët sigurojmë një mjedis pune me stabilitet, dinjitet dhe mundësi rritje meritokratike në karrierë.