Ministria e Punëve të Brendshme

Procedura e konkurrimit për përzgjedhjen e kandidatit për pozicionin e Drejtorit të Përgjithshëm të Gardës së Republikës, shpallur në 16 dhjetor 2025, është përmbyllur pa shpalljen e një kandidature fituese. Komisioni i Posaçëm i Vlerësimit, ngritur në Ministrinë e Punëve të Brendshme, ka kryer vlerësimin paraprak të 8 kandidaturave, me qëllim verifikimin e përmbushjes së kritereve të përgjithshme dhe të posaçme, si dhe ka organizuar seanca dëgjimore me kandidatët, që shprehën interes për këtë pozicion. Pas përfundimit të të gjitha fazave të parashikuara të verifikimit, vlerësimit dhe intervistimit me kandidatët, procedura u finalizua pa përzgjedhjen e një fituesi.

Procesi i konkurrimit është zhvilluar në përputhje të plotë me kuadrin ligjor dhe nënligjor në fuqi, duke garantuar respektimin e parimeve të ligjshmërisë, transparencës, paanshmërisë, meritokracisë dhe mundësive të barabarta për të gjithë kandidatët.

Lista me kandidatët për Drejtor të Përgjithshëm të Gardës së Republikës

Në vijim të thirrjes për aplikim për pozicionin e Drejtorit të Përgjithshëm të Gardës së Republikës, aplikimet e përcjella për këtë shpallje, sipas rendit alfabetik janë:

  • Arian Sopiqoti
  • Denis Deliu
  • Faik Basha
  • Ilirjan Hasanaj
  • Liman Hoxha
  • Simon Zereci
  • Vasil Çuni
  • Zaje Osma

THIRRJE PËR APLIKIM PËR POZICIONIN E DREJTORIT TË PËRGJITHSHËM TË GARDËS SË REPUBLIKËS

Në mbështetje të pikës 4 të nenit 102 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, të pikës 1 të nenit 17 të ligjit nr. 33/2021 “Për Gardën e Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar, si dhe Udhëzimit të Ministrit të Brendshëm nr. 102, datë 5.6.2024, “Për përcaktimin e rregullave dhe procedurave për përzgjedhjen e kandidatit për Drejtor të Përgjithshëm të Gardës së Republikës”, Ministria e Punëve të Brendshme shpall thirrjen për aplikim për pozicionin e Drejtorit të Përgjithshëm të Gardës së Republikës.

KOMPETENCAT DHE PËRGJEGJËSITË E DREJTORIT TË PËRGJITHSHËM TË GARDËS SË REPUBLIKËS:

a) organizon, drejton dhe kontrollon veprimtarinë e Gardës;

b) menaxhon burimet njerëzore dhe asetet financiare të Gardës;

c) nxjerr akte administrative për veprimtarinë e Gardës bazuar në aktet ligjore dhe nënligjore;

ç) i propozon ministrit strukturën dhe organikën e Gardës;

d) përfaqëson Gardën në marrëdhënie me institucionet e tjera brenda dhe jashtë vendit;

dh) nënshkruan marrëveshje teknike dhe operacionale, sipas akteve ligjore dhe nënligjore në fuqi;

e) emëron dhe jep grada për personelin e Gardës së Republikës, me përjashtim të gradës Drejtues i Lartë;

ë) ushtron kompetenca të tjera të parashikuara me ligj dhe në akte nënligjore.

  1. KRITERET QË DUHET TË PLOTËSOJË APLIKANTI:

Kritere të përgjithshme:

a) të ketë vetëm shtetësinë shqiptare;

b) të ketë zotësi të plotë për të vepruar;

c) të mos ketë marrë cilësinë e të pandehurit për kryerjen e një vepre penale, ose ndaj tij të mos jetë marrë ndonjë masë e sigurimit personal;

ç) të mos ketë konflikt interesi në ushtrimin e detyrës;

d) të mos jetë larguar nga puna më parë për shkaqe disiplinore dhe të mos ketë masë disiplinore në fuqi në momentin e aplikimit.

Kritere të posaçme:

dh) të ketë përvojë pune jo më pak se 10 vjet në fushën e rendit ose sigurisë;

e) të ketë përfunduar ciklin e dytë të arsimit të lartë në fushën e rendit ose sigurisë;

ë) të mos jetë i dënuar me vendim gjykate të formës së prerë për kryerjen e një vepre penale;

f) të jetë i pajisur me vërtetimin e besueshmërisë;

g) të jetë në gjendje të mirë shëndetësore dhe i aftë për të kryer detyrën.

DOKUMENTACIONI, MËNYRA, AFATI I DORËZIMIT DHE VLERËSIMI:

  1. Kërkesë me shkrim për shprehje interesi drejtuar Ministrit të Punëve të Brendshme për pozicionin e Drejtorit të Përgjithshëm të Gardës së Republikës.
  2. Aplikimi duhet të jetë i plotë në mënyrë që të merret në konsideratë. Vlerësimi bëhet mbi bazën e dokumenteve të dorëzuara.
  3. Kërkesa me shkrim për shprehje interesi shoqërohet nga dokumentet e mëposhtme:

a) një jetëshkrim i përditësuar;

b) një platformë personale e qëllimeve dhe objektivave që aplikanti propozon të ndjekë (ky dokument duhet të jetë punë origjinale e aplikantit dhe nuk duhet të kalojë 20 faqe, në llojin e shkrimit Times New Roman, madhësia 12, me një njësi hapësirë mes rreshtave duke përfshirë çështjet si më poshtë):

➢ Vizioni, politikat dhe strategjitë në Gardën e Republikës gjatë mandatit;

➢ Si e vlerësoni situatën në Gardën e Republikës gjatë pesë viteve të fundit (kritikat janë të vlerësueshme);

➢ Listoni përparësitë kryesore tuajat si Drejtor i Përgjithshëm i Gardës së Republikës dhe arsyet e përzgjedhjes së tyre;

➢ Evidentoni mangësitë e Gardës së Republikës dhe adresimin e zgjidhjeve;

➢ Cilat janë sfidat e Drejtorit të Përgjithshëm të Gardës së Republikës gjatë mandatit;

➢ Aftësia drejtuese dhe lidershipi për të udhëhequr Gardën e Republikës gjatë periudhës së mandatit;

➢ Cili është misioni dhe vizioni juaj gjatë mandatit;

➢ Evidentoni vështirësitë e rolit tuaj, rreziqet dhe masat për kapërcimin e tyre;

➢ Aftësitë menaxheriale gjatë periudhës së mandatit;

➢ Me qëllim përmbushjen e misionit dhe vizionit tuaj në krye të Gardës së Republikës listoni pesë prioritetet kryesore dhe arsyen e përzgjedhjes;

➢ Vizioni për të menaxhuar burimet njerëzore në Gardën e Republikës;

➢ Të renditen hapat që do të ndërmerren gjatë mandatit të Drejtorit të Përgjithshëm të Gardës së Republikës për të përmbushur objektivat kryesorë

➢ Hapat që do të ndërmerren gjatë dy viteve të para;

➢ Hapat që do të ndërmerren gjatë dyvjeçarit të dytë;

➢ Hapat që do të ndërmerren deri në mbarimin e mandatit;

➢ Përvoja praktike në çështjet e rendit ose sigurisë;

➢ Evidento përvojën e deritanishme;

➢ Hapat të cilët do të ndërmerren për të rritur nivelin e besueshmërisë së publikut institucionin e Gardës së Republikës;

c) vetëdeklarim sipas ligjit nr. 138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave të zgjedhur, emëruar ose që marrin funksione publike”;

ç) dëshmi të gjendjes gjyqësore lëshuar nga organi kompetent shtetëror, e lëshuar jo më vonë se tre muaj nga data e paraqitjes së shprehjes së interesit;

d) vërtetimin/dokumentacionin e përshtatshëm që provon përvojën e punës për pozicionin për të cilin konkurron;

dh) rezultatet e vlerësimit profesional dhe etik në punët që ka bërë në të shkuarën, nëse ka, apo rezultatet e arritura gjatë përvojave të tyre të punës, që lidhen me ushtrimin e funksioneve në fushën e rendit dhe sigurisë;

e) rezultatet e arritura gjatë studimeve të larta dhe në trajnime dhe kurse të certifikuara, brenda dhe jashtë vendit;

ë) rezultatet e arritura gjatë studimeve pasuniversitare në fushën e rendit ose sigurisë;

f) kopje të noterizuara të dëshmive të gjuhëve të huaja;

g) kopje të noterizuara të gradës shkencore ose titujve akademikë, nëse ka;

gj) kopje të vërtetimit të besueshmërisë, të marrë nga komisariati përkatës, e lëshuar jo më vonë se 3 muaj nga data e paraqitjes së shprehjes së interesit;

h) dokumentin shëndetësor që dëshmon aftësinë për punë, e lëshuar jo më vonë se 3 muaj nga data e paraqitjes së shprehjes së interesit;

i) vetëdeklarim që ka vetëm shtetësinë shqiptare;

j) vetëdeklarim që nuk është në konflikt interesi në ushtrimin e detyrës;

k) vetëdeklarim që nuk është larguar nga puna më parë për shkaqe disiplinore dhe që nuk ka masë disiplinore në fuqi në momentin e aplikimit.

l) çdo dokument tjetër shtesë (në rast se ka) që provon:

  • studimet dhe trajnimet afatgjata të kryera jashtë vendit jo më pak se dy javë në fushën e rendit ose sigurisë ose aftësive menaxheriale;
  • punime akademike, studime shkencore, shkrime e ligjërata profesionale, botime, pjesëmarrje në aktivitete shkencore (përveç atyre që kanë shërbyer për fitimin e gradës shkencore), pjesëmarrje në procesin e hartimit ose të konsultimit të legjislacionit e çdo angazhim tjetër profesional i aplikantit gjatë 5 viteve të fundit në fushën e rendit ose sigurisë.

Dokumentet duhet të dorëzohen brenda datës 30.12.2025 në adresën:

  • Ministria e Punëve të Brendshme, Blv. “Dëshmorët e Kombit”, Nd. 1, 1001, Tiranë,
  • Adresa elektronike: Ministria.Brendshme@mb.gov.al

Shprehja e interesit dhe të gjitha dokumentet e kërkuara duhet të dorëzohen në adresën postare ose në adresën elektronike.

 

VLERËSIMI:

Brenda 45 ditëve nga përfundimi i afatit të dorëzimit të shprehjeve të interesit, Komisioni i Posaçëm (në vijim Komisioni) kryen vlerësimin paraprak, me qëllim verifikimin e plotësimit të kritereve të përgjithshme dhe të posaçme. Komisioni kryen vlerësimin sipas përcaktimeve në nenet 2, 4-17, të Udhëzimit të Ministrit të Brendshëm nr. 102, datë 5.6.2024.

Në përfundim të vlerësimit paraprak, Komisioni harton listën e kandidatëve që plotësojnë kriteret e kërkuara dhe të aplikantëve që nuk i plotësojnë këto kushte bazuar në dokumentacionin e paraqitur nga aplikanti dhe dokumentacionin shtesë të mbledhur nga Komisioni.

Komisioni merr vendim për përjashtimin e aplikantëve që nuk plotësojnë kushtet ligjore dhe i njofton me shkrim aplikantët e përjashtuar, në mënyrë të posaçme dhe të arsyetuar për shkaqet e përjashtimit.

Komisioni organizon seancë dëgjimore me kandidatët dhe i njofton ata të paktën 10 ditë para seancës dëgjimore. Anëtarët e Komisionit i drejtojnë pyetje kandidatit në përputhje me kriteret e vlerësimit sipas udhëzimit të Ministrit të Brendshëm nr. 102, datë 5.6.2024.

Anëtarët e Komisionit vlerësojnë të gjithë informacionin e vënë në dispozicion prej kandidatëve, dokumentacionin e mbledhur dhe informacionin e marrë gjatë seancës dëgjimore dhe i dorëzojnë Ministrit renditjen e kandidatëve, së bashku me vlerësimet me shkrim, për secilin kandidat, në përputhje udhëzimin e Ministrit të Brendshëm nr. 102, datë 5.6.2024.