Ministria e Punëve të Brendshme

Tiranë – Në kuadër të Ditës Botërore të Refugjatëve, Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari riafirmoi angazhimin e Shqipërisë për mbrojtjen e të drejtave të refugjatëve dhe forcimin e mëtejshëm të sistemit të azilit, në partneritet të ngushtë me UNHCR dhe organizatat ndërkombëtare. Ministri theksoi se solidariteti, dinjiteti dhe përgjegjësia e përbashkët mbeten vlerat themelore që udhëheqin veprimet e institucioneve shqiptare në këtë fushë.

Në këtë aktivitet, Ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Silvio Gonzato, iu bashkua UNHCR Albania, Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe partnerëve ndërkombëtarë në Tiranë për të shënuar 75-vjetorin e Konventës së vitit 1951 për Refugjatët.

Ambasadori Gonzato vlerësoi progresin dhe angazhimin e Shqipërisë, duke theksuar se mbrojtja e refugjatëve mbetet një detyrim moral dhe një element i rëndësishëm në rrugën drejt integrimit evropian.

Ai nënvizoi gjithashtu se Bashkimi Evropian do të vijojë të mbështesë Shqipërinë me asistencë teknike, ekspertizë dhe financim përmes projektit #EU4Migration.