Ministria e Punëve të Brendshme

Në kuadër të angazhimit të Shqipërisë si vend pjesëmarrës në Mekanizmin e Mbrojtjes Civile të Bashkimit Europian, ekspertë të mbrojtjes civile nga vendet anëtare të BE-së janë angazhuar pranë ekipeve të Shërbimit Zjarrfikës shqiptar, në kuadër të Misionit Këshillues për Zjarret në Pyje.

Misioni synon të mbështesë autoritetet kombëtare në përballimin e sfidave gjithnjë e më komplekse që lidhen me parandalimin, menaxhimin dhe reagimin ndaj zjarreve në pyje, veçanërisht në kushtet e rritjes së rrezikut të shkaktuar nga ndryshimet klimatike. Ekspertët europianë po kontribuojnë përmes asistencës teknike, shkëmbimit të praktikave më të mira dhe dhënies së rekomandimeve profesionale për forcimin e kapaciteteve operacionale.

Bashkëpunimi me Mekanizmin e Mbrojtjes Civile të BE-së mundëson përafrimin e mëtejshëm të strukturave shqiptare me standardet europiane, rritjen e koordinimit ndërinstitucional dhe përmirësimin e planifikimit dhe gatishmërisë për situata emergjente.

Ky angazhim përfaqëson një element të rëndësishëm të përpjekjeve të vazhdueshme për mbrojtjen e pasurisë natyrore, garantimin e sigurisë publike dhe rritjen e reziliencës së vendit ndaj fatkeqësive natyrore, në përputhje me praktikat dhe politikat e Bashkimit Europian.