Ministria e Punëve të Brendshme

Londër – Ministria e Punëve të Brendshme të Shqipërisë dhe Ministria e Brendshme e Mbretërisë së Bashkuar nënshkruan në Londër, Dialogun e Punëve të Brendshme 2026. Nënshkrimi për palën shqiptare u bë nga zëvendësministrja e Punëve të Brendshme, Silva Caka. Ky partneritet ka në vëmendje të veçantë:

– Luftën kundër krimit të rëndë dhe të organizuar;

– Financave të paligjshme;

– Migracionit të paligjshëm;

– Sigurisë kufitare.

Nënshkrimi i Dialogut për Punët e Brendshme 2026, si vijim i Dialogut Kundër Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda 2025-2026, është tregues se Shqipëria dhe Mbretëria e Bashkuar janë partnerë të besueshëm të njëri-tjetrit në luftën e përbashkët kundër krimit të organizuar.

Ministritë e Punëve të Brendshme të Mbretërisë së Bashkuar dhe Shqipërisë venë theksin tek bashkëpunimi kundër grupeve të organizuara kriminale dhe emigracionit të paligjshëm. Ky dialog riafirmon vendosmërinë e përbashkët të Mbretërisë së Bashkuar dhe Shqipërisë për të thelluar bashkëpunimin mbi prioritetet e përbashkëta të punëve të brendshme, me fokus luftën kundër krimeve të rënda dhe të organizuar, financave të paligjshme, sigurisë kufitare dhe migracionit të parregullt.

Forcimi i harmonizimit strategjik dhe thellimi i bashkëpunimit në SOC

Mbretëria e Bashkuar dhe Shqipëria mirëpresin bashkëpunimin midis autoriteteve të zbatimit të ligjit dhe drejtësisë në luftën kundër krimit të rëndë dhe të organizuar. Palët përsëritin angazhimin e përbashkët për të identifikuar, ndërprerë dhe ndjekur penalisht kriminelët e organizuar të lidhur me Mbretërinë e Bashkuar dhe Shqipërinë të përfshirë në aktivitete të paligjshme në nivel global, si dhe për të luftuar flukset e paligjshme financiare që mbështesin këto krime. Dialogu ra dakord për thellimin e bashkëpunimit në zbatimin e ligjit përmes angazhimit të forcuar në të gjithë sistemin, duke u bazuar në bashkëpunimin e suksesshëm operacional me institucionet e zbatimit të ligjit dhe drejtësisë në Shqipëri. Kjo përfshin veprime të përbashkëta të përforcuara për të forcuar aftësitë dixhitale të mbledhjes së provave për të luftuar kriminalitetin e organizuar, përfshirë krimin kibernetik. Mbretëria e Bashkuar dhe Shqipëria angazhohen për një harmonizim strategjik, rritje të shkëmbimit të informacionit mbi çështjet penale dhe bashkëpunim të vazhdueshëm për të përmirësuar aftësitë mjeko-ligjore në Shqipëri, duke përfshirë mbështetjen e rasteve me një lidhje me Mbretërinë e Bashkuar. Mbretëria e Bashkuar dhe Shqipëria gjithashtu riafirmojnë angazhimin për të ndërprerë dhe arrestuar grupet e krimit të organizuar, që veprojnë në nivelet më të larta të kriminalitetit në përputhje me angazhimet e tyre, rënë dakord nga Procesi i Berlinit.

Forcimi i qëndrueshmërisë institucionale, financave të paligjshme dhe reformës së sistemit

Palët njohin financat e paligjshme si një simptomë ndërsektoriale dhe mundësuese të krimit të rëndë dhe të organizuar dhe një kërcënim për integritetin, reformën ekonomike dhe besimin publik. Dialogu nënvizon rëndësinë e forcimit të qëndrueshmërisë institucionale të Shqipërisë për të parandaluar keqpërdorimin e sistemit financiar dhe për t’u mohuar kriminelëve të ardhurat e aktivitetit të tyre. Mbretëria e Bashkuar riafirmon angazhimin për të mbështetur përpjekjet e Shqipërisë për të forcuar integritetin, për të luftuar korrupsionin dhe për të ndërtuar institucione efektive dhe të përgjegjshme të drejtësisë. Bashkëpunimi do të vazhdojë të përqendrohet në përmirësimin e rezultateve të rikuperimit të aseteve përmes zhvillimit të Zyrës së Rikuperimit të Aseteve të Shqipërisë, forcimin e aftësive hetimore dhe policore në nivel rrethi, përmirësimin e qëndrueshmërisë dhe cilësisë së zhvillimit të rasteve dhe rezultateve operative, dhe adresimin e dobësive në sektorët në rrezik shfrytëzimi. Të dy qeveritë ranë dakord që Samiti i Financave të Paligjshme në vitin 2026 është një moment i rëndësishëm për avancimin e transparencës, përgjegjshmërisë dhe qasjeve të bazuara në partneritet për të luftuar financat e paligjshme. Shqipëria ra dakord të ndërmarrë 3 angazhime brenda Samitit të Financave të Paligjshme në përputhje me Strategjinë e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Shqipërisë për Krimin e Organizuar dhe të Rëndë.

Përforcimi i sigurisë kufitare përmes bashkëpunimit të përbashkët

Dialogu njeh bashkëpunimin midis Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar për sigurinë kufitare dhe migracionin, përfshirë Task Forcën e Përbashkët Rajonale për Migracionin. Palët theksojnë rëndësinë e parandalimit dhe ndërprerjes së rrugëve të migracionit të parregullt që lehtësojnë kriminalitetin e organizuar në Mbretërinë e Bashkuar. Në këtë kontekst, nënvizohet nevoja për të zvogëluar migrimin e parregullt të shtetasve shqiptarë në Mbretërinë e Bashkuar për të ndërmarrë aktivitete të paligjshme. Mbretëria e Bashkuar dhe Shqipëria ranë dakord të punojnë për t’iu përgjigjur trendeve në zhvillim të migrimit, duke përfshirë forcimin e marrëveshjeve të ndarjes së të dhënave dhe profilizimit të riskut, dhe të punojnë së bashku për zgjidhje të qëndrueshme në Shqipëri për të adresuar nxitësit e migrimit të parregullt. Shqipëria gjithashtu theksoi rolin e saj në formësimin e qasjeve strategjike ndaj krimit të organizuar të imigracionit në të gjithë rajonin.