Ministria e Punëve të Brendshme

Në seancën e sotme pyetje-përgjigje në Kuvend, Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, iu përgjigj deputetit të opozitës Arjan Ndoja, duke theksuar se çështja e ngritur, përtej perceptimit politik, është në thelb një provë e qartë e qëndrimit ndaj ligjit dhe standardeve të shtetit ligjor. Ministri nënvizoi se çdo situatë konkrete duhet trajtuar mbi bazën e fakteve dhe referimit të drejtpërdrejtë në ligj, duke refuzuar çdo përpjekje për ta relativizuar zbatimin e tij për interesa të momentit.

Fjala e plotë e ministrit Lamallari – VIDEO:

Seanca pyetje-përgjigje që më ka thirrur sot deputeti i opozitës z. Arjan Ndoja, në pamje të parë mund të duket politike, por në thelb është një provë e thjeshtë e faktit dhe pyetjet që ne duhet t’i shtrojmë vetes: Nëse duhet të qëndrojmë në anën e ligjit, apo do ta relativizojmë atë sipas interesit të ditës? Pra duke marrë një rast konkret dhe duke u munduar për të fituar kapital politik.

Do ta shpjegoj këtë bazuar në fakte dhe në referim të ligjit. Pavarësisht se zoti Ndoja është jurist me përvojë të gjatë dhe njeri i ligjit, e njeh shumë mirë atë, ligji nr. 33/2021 “Për Gardën e Republikës së Shqipërisë” është i qartë: “kur një personalitet i mbrojtur, si Kryeministri i vendit, zhvillon një aktivitet, çdo ambient ku ai ndodhet trajtohet si objekt në ruajtje”.  Ligji është i qartë dhe nuk ka interpretime. Në takimin e Durrësit, të cilit ju i referoheni në kërkesën tuaj, nuk ka përjashtime. Nuk ka privilegje. Nuk ka status mbi sigurinë. Ka vetëm një standard, zbatimin rigoroz të ligjit dhe masave të sigurisë sic e parashikon preraz ligji. Në këtë kuptim, çdo hyrje, çdo akses, çdo prani në atë ambient i nënshtrohet verifikimit dhe autorizimit sipas protokolleve përkatëse. Jo sipas dëshirës. Jo sipas bindjes politike, por sipas ligjit dhe vetëm ligjit.

Është shumë e rëndësishme të bëjmë një dallim thelbësor, që në këtë debat po tentohet të mjegullohet me qëllim e drejta për informacion nuk është e njëjtë me të drejtën për të qenë fizikisht i pranishëm kudo. Deputeti ka të drejtë të tij të plotë të kërkojë informacion, të ushtrojë kontroll parlamentar, të ngrejë çështje dhe të kërkojë përgjigje. Si në rastin konkret, kjo seancë dëshmon pikërisht të drejtën tuaj mbi bazë të statusit tuaj si deputet, në bazë të ligjit në fuqi. Por askund në ligjin për statusin e deputetit nuk thuhet se kjo e drejtë shndërrohet në një leje të pakufizuar për të hyrë në çdo aktivitet, në çdo ambient, në çdo moment. Sepse në një shtet serioz, të drejtat bashkëjetojnë me rregullat. Rregullat nuk përkulen përballë askujt.

Rasti konkret në Durrës nuk ka qenë një mbledhje e Këshillit Bashkiak, nuk ka qenë një proces vendimmarrës institucional, ku pjesëmarrja e deputetëve është e detyrueshme. Ka qenë një takim i organizuar në kushte të caktuara sigurie, në prani të një personaliteti të mbrojtur. Pikërisht për këtë arsye, Garda ka zbatuar protokollet e saj. Moslejimi i hyrjes nuk ka qenë një akt politik. Nuk ka qenë një qëndrim selektiv. Nuk ka qenë një vendim arbitrar. Ka qenë një masë sigurie. Një masë ligjore. Një masë e domosdoshme pikërisht për të gjitha arsyet që unë rendita. Kjo vetëm bazuar në ligj dhe në protokollet e Gardës së Republikës.

Është e lehtë të krijosh narrativë politike mbi një situatë konkrete. Është e lehtë të përpiqesh të ekspozosh zbatimin e ligjit si pengesë. Por, është shumë më e vështirë dhe shumë më e rëndësishme të mbrosh standardin e shtetit ligjor. Sepse nëse sot pranojmë që masat e sigurisë të relativizohen apo të përkulen sipas interesit të ditës, atëherë nuk kemi të bëjmë me shtet ligjor, por kemi vetëm improvizime, lëshime, të cilat mund të çojnë edhe në cenime të protokolleve të ligjeve dhe efeteve që ato mund të sjellin sigurisht që rëndojnë mbi institucionet shqiptare, përfshirë në rastin konkret, Gardën e Republikës. Sepse kur institucionet zbatojnë ligjin pa dallim, kjo nuk është problem. Kjo është provë e forcës së shtetit, qofshim ne në qeveri apo kur ishit ju në qeveri. Unë besoj fort që në rastin konkret Garda e Republikës ka zbatuar ligjin dhe vetëm ligjin dhe ka bërë detyrën.

Ministri Besfort Lamallari replikë me deputetin Balliu – VIDEO:

Faleminderit Kryetar,

ajo çfarë kam mësuar fortësisht gjatë gjithë përvojës sime në Ministrinë e Punëve të Brendshme, duke filluar nga emërimi im në 2017 e më pas, çdo ditë, kam krijuar bindjen se rreziku më i madh që mund t’i vijë Policisë së Shtetit është politizimi i saj. Qoftë kur ajo i nënshtrohet ndërhyrjeve të paligjshme të titullarëve politikë të ministrit të Brendshëm, gjë që unë nuk do ta bëj kurrën e kurrës, po ashtu dhe kur ajo përdoret si objekt i politikës së ditës.

Që të dyja qëndrojnë dhe duhet të jemi shumë korrektë në atë çfarë ne themi, sepse në fund na gjykojnë qytetarët. Unë këtë e them me bindje të plotë, prandaj përgjigjja më e mirë që unë mund të jap ndaj gjithë akuzave që bëhen ndaj emrave të përveçëm, unë nuk kam përgjegjësi ligjore dhe detyrim të merrem me çështje konkrete, unë nuk kam detyrim të merrem me emra konkretë, unë kërkoj performancë, unë kërkoj përmirësim të rezultateve, qoftë kjo në bashkëpunim me agjencitë ligjzbatuese edhe me partnerët ndërkombëtarë.

Faktet janë konkrete, ato vlerësohen edhe nga raportet e Komisionit Europian dhe ato janë matësi më i mirë i punës time në nivel politik, por edhe i punës së Policisë së Shtetit në nivel teknik.
Prandaj çfarëdo që unë them sigurisht do të paragjykohet me të drejtë dhe kam zgjedhur që përgjigjen më të mirë dhe më të besueshme për qytetarët ta jap duke cituar një zotëri, i cili në fakt ka qenë Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit në kohën kur ju ishit në qeveri.

Po citoj të nderuarin z. Ahmet Prençi në një reagim të tij publik për drejtuesin e ri të Policisë së Shtetit, ai thotë: “Është përzgjedhur një nga emrat më të spikatur të kësaj strukture, një profesionist me një karrierë të ndërtuar mbi përkushtim, integritet dhe rezultate konkrete. E kam ndjekur rrugëtimin e tij që në hapat e para si oficer i ri dhe në çdo fazë të karrierës ai ka dëshmuar cilësi të rralla, inteligjencë, maturi, vendosmëri dhe një ndjenjë të lartë përgjegjësie institucionale. Jam i bindur se nën drejtimin e tij Policia e Shtetit do të forcojë më tej profesionalizmin, besueshmërinë dhe autoritetin e saj në shërbim të ligjit dhe qytetarëve”, mbyll citimin e z. Prençi.

Kjo është përgjigjja më e mirë, çfarëdo që ju të thoni është akuza e radhës për drejtuesin e radhës.