Ministria e Brendshme

Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8952, datë 10.10.2002, “Për letërnjoftimin elektronik të shtetasve shqiptarë”, të ndryshuar, synon krijimin e mundësisë për pajisjen me letërnjoftim digjital (e-letërnjoftim) për gjithë shtetasit e pajisur me letërnjoftim elektronik. Kjo përmbush agjendën politike të qeverisë shqiptare, në kuadër të digjitalizimit, modernizimit të sistemeve elektronike, si dhe zbatimin e skemave të sigurta të shërbimeve e-ID.

Pajisja me letërnjoftim digjital (e-letërnjoftim) përmirëson dhe standardizon mënyrat e identifikimit të qytetarëve në ambientin digjital.

Ndër risitë e nismës janë:

  • E-ID lejon qytetarët të identifikohen dhe të verifikojnë identitetin e tyre në mënyrë të sigurtë dhe të shpejtë në internet, duke u lehtësuar proceset administrative;
  • Redukton nevojën për të pritur në radhë ose për të vizituar personalisht zyrat e administratës publike;
  • Mundëson përfshirjen e grupeve që më parë kanë pasur akses të kufizuar në shërbimet publike dhe private për shkak të barrierave fizike ose gjeografike;
  • Ndihmon në përfshirjen e personave me aftësi të kufizuara duke ofruar shërbime të aksesueshme në distancë;
  • Përmirëson sigurinë e të dhënave personale, duke ofruar metoda më të sigurta të autentifikimit dhe mbrojtjes së informacionit personal;
  • Ul ndjeshëm kohën dhe kostot e lidhura me procedurat administrative.

Miratimi i këtij projektligji standardizon identifikimin e qytetarëve në nivel evropian dhe implementon një identitet digjital të përbashkët, i cili mund të lehtësojë komunikimin dhe bashkëpunimin me institucionet dhe bizneset evropiane. Gjithashtu, një identitet digjital i përbashkët ndihmon autoritetet ligjzbatuese në luftën kundër krimit të organizuar dhe mashtrimeve në intemet, duke rritur sigurinë dhe besueshmërinë e transaksioneve online.

Ministria e Brendshme, së bashku me IdentiTek, kompania që prodhon dhe shpërndan dokumente biometrike për shtetasit shqiptarë dhe/ose shtetasve të huaj me banim të përkohshëm apo të përhershëm në Republikën e Shqipërisë, sjellin këtë propozim në përputhje me kuadrin rregullator në vend.

PROJEKTLIGJ “PËR DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË LIGJIN NR.8952, datë 10.10.2002, “PËR LETËRNJOFTIMIN ELEKTRONIK TË SHTETASVE SHQIPTARË”, TË NDRYSHUAR – Shkarko