Ministria e Punëve të Brendshme

Për të diskutuar rreth masave dhe problematikave të parandalimit të ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit online, në Pogradec u zhvillua një takim ku morën pjesë përfaqësues të institucioneve nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe komuniteti ndërkombëtar.
Në fjalën e saj, Drejtoresha e Qendrës së Koordinimit kundër Ekstremizmit të Dhunshëm, Lejdi Dervishi, nënvizoi se për Shqipërinë, rreziku i ekstremizmit konsiderohet i ulët, por megjithatë, gjuha e urrejtjes që nxit ekstremizmin apo radikalizmin etnik fetar dhe kulturor shfaqet online, në rrjete sociale etj. Dervishi tha se po punohet me strukturat e BE për të bërë disa ndryshime në kuadrin ligjor.
“Rreziku i ekstremizmit të dhunshëm që mund të çojë në terrorizëm në nivel kombëtar konsiderohet i ulët, por kjo nuk do të thotë se gjuha e urrejtjes që nxit ekstremitetet apo radikalizmin etnik fetar apo kulturor nuk është prezentë,” – u shpreh Dervishi në fjalën e saj.
Duke analizuar fenomenin, ajo bëri me dije se “Ajo që mund të them është që propaganda dhe dezinformomi, që fryhet në rrjetet sociale nga individë të caktuar, të cilët mund të kenë axhendat e tyre, shpeshherë ndikon edhe për të ashpërsuar retorikën mes vendeve tona apo të rajonit. Gjuha e urrejtjes është e pranishme në hapësirën online, në shumë shtete të botës ku mund të ketë edhe komente apo përmbajtje shqip folëse. Ne jemi duke diskutuar akte të ndryshme legjislative me mbështetjen e BE me shtetet e rajonit të cilat kamë forcuar më shumë kuadrin ligjor”, tha Dervishi.
Sa i përket bashkëpunimit me fqinjët maqedonë dhe partnerët ndërkombëtare, Dervishi sqaroi se: “Sot lëvizja e njerëzve në të dyja shtetet dhe bashkëpunimi në aktivitete kulturore nuk ka munguar ndaj në vend që të shikojmë retorikën negative online, duhet të fokusohemi edhe duke u dhënë mbështetjen praktikave më të mira. Nuk duhet ulur asnjëherë vigjilenca sidomos kur flasim për grupe vulnerabil, që mund të jenë persona me probleme të shëndetit mendor apo grupe të rinjsh që mund të jenë më shumë të influencueshëm nga mediat apo kanalet sociale mendoj se është detyrim për ne që t’u lëmë brezave që do vijnë, një hapësirë jo vetëm online, por edhe fizike ku mund të diskutojnë pa pasur frikë për të shprehur mendimet dhe të marrin informacionin e duhur”, deklaroi Lejdi Dervishi, Drejtore e Qendrës së Koordinimit kundër Ekstremizmit të Dhunshëm.
Fatmirësisht, ky rajon ka një traditë të bashkëjetesës dhe bashkëpunimit ndërfetar, si në Shqipëri ashtu edhe në Maqedoninë e Veriut, veçanërisht në zonën përreth Liqenit të Ohrit. Megjithatë, duhet të qëndrojmë gjithmonë vigjilentë, pasi fenomene globale mund të përhapen kudo dhe potencialisht mund të ndikojnë edhe në këtë pjesë të botës”, tha Darko Angelov, shef i Departamentit të Sigurisë në OSBE.
Pjesëmarrësit në takim nënvizuan rëndësinë e një kuadri të përmirësuar ligjor gjithëpërfshirës, për të adresuar problematikat që lindin nga këto fenomene. Për këtë arsye, vendet e rajonit po bashkëpunojnë për forcimin e kuadrit ligjor, promovimin e bashkëpunimit dhe dialogut mes komuniteteve, duke pasur njëherësh edhe ekspertizën dhe mbështetjen e strukturave të BE-së.