Ministria e Punëve të Brendshme

Fjala e Ministres së Punëve të Brendshme Albana Koçiu në seancën e kuvendit për projekt/buxhetin 2026:

I nderuar Kryetar,
Të nderuar deputetë,
Të dashur qytetar,

Është fakt që Shqipëria sot është vendi me rritjen më të shpejtë ekonomike në rajon. Vendi ku 12 milionë turistë zgjedhin të kalojnë pushimet e tyre. Vendi ku gjithmonë edhe më shumë investitorë të huaj, por edhe vendas apo shqiptarë të diasporës vijnë për të hapur një sipërmarrje dhe investuar paratë e tyre. Vendi që falë reformave të ndërmarra vitet e fundit, nga qeveria socialiste ka dalë nga të gjitha listat e zeza të kriminalitetit, pastrimit të parave apo trafiqeve. Sigurisht, vendi që sot është më pranë se kurrë derës së Bashkimit Europian. Për t’u kthyer të buxheti i vitit 2026.

Të nderuar qytetarë,

Kemi sot buxhetin më të lartë historik për MPB. Ky është një buxhet që na lejon të ngremë në një nivel të ri standardet e përgjithshme për qytetarët. Do të mbështesim fuqimisht teknologjinë, dixhitalizimin dhe automatizimin. Do të çojmë përpara projektin transformues të vendosjes së kamerave inteligjente të sigurisë në 20 qytetet më të mëdha të vendit, si dhe pikat strategjike, akset rrugore kryesore dhe shkollat. Monitorimi automatik, jo vetëm do të zbardhë, por edhe do të parandalojë në mënyrë jashtëzakonisht efikase, të gjitha llojet e shkeljeve që lidhen me rendin, qetësinë, respektimin e rregullave, nga rregullat e qarkullimit, tek rregullat e bashkëjetesës në një lagje.

Përtej projekteve të veçanta, buxheti 2026 ka shumë lajme të mira, si për qytetarin, ashtu edhe për të gjithë efektivët dhe punonjësit në varësi të MPB. Për qytetarin, ky buxhet e vendos atë në qendër të të gjitha përpjekjeve për të rritur më tej sigurinë e përgjithshme në vend, patrullimin në komunitet, numrin e shërbimeve të ofruara 24/7, e veçanërisht nivelin e sigurisë në qarkullimin rrugor.

Ndërsa për 12,432 punonjës të Policisë së Shtetit, për 1.491 punonjës të Gardës së Republikës, 1.389 punonjës të shërbimit zjarrfikës,  për 181 punonjës të vetë Ministrisë së Punëve të Brendshme, si dhe të gjithë ata punonjës të institucioneve të varësisë, lajmi i mirë është rritja e pagave që ky buxhet parashikon.

Punonjësit e Policisë së Shtetit, përpos njehsimit të inflacionit, përfitojnë gjithashtu ndryshimi e formulës së vjetërsisë, e cila jep mundësinë të kemi një rritje të pagës së tyre lidhur me eksperiencën në punë. Dhe për herë të parë, jepet edhe bonusi i ushqimit si pjesë integrale e pagës dhe jo më një kupon.

Si rezultat, një inspektor i thjeshtë, nga 80.500 Lekë që paguhet sot, me të gjithë shtesat, paga do t’i shkojë në 100.000 lekë ose 20% më shumë. Pa llogaritur bonuset dhe shpërblimet e tjera të lidhura me orët e punës apo performancën, që e çojnë lehtësisht pagën nga 1.2 në 1.3 milionë. Për rikujtesë, 12 vjet më parë, e gjetëm inspektorin me një pagë 300 euro!

Për një Nënkomisar, paga nga 95.500 Lekë do të shkojë në 116.000 Lekë.

Për një Komisar, me të gjitha shtesat, rritja nga 105.000 Lekë shkon në 125.600 Lekë.

Për një Kryekomisar, nga 115.500 në 136.000 Lekë.

Për një Drejtues, nga 130.000 Lekë në 157.000 Lekë.

Por, përpos kapaciteteve njerëzore, si dhe përpos mirënjohjes, statusit dhe dinjitetit që kjo rritje e pagës sjell për të gjithë trupën e veshur me uniformë, buxheti do të mbështesë direkt edhe kapacitetet teknike të Policisë. E thënë ndryshe, do të vendosim në duart e efektivëve tanë pajisje më të avancuara dhe kapacitete më të sofistikuara në dispozicion. Investimet që ky buxhet mundëson do të shkurtojnë më tej kohën e ndërhyrjes së Policisë së Shtetit, duke rritur fuqinë tonë goditëse si dhe aftësitë tona parandaluese. Gjithashtu, ky buxhet, do të mbështesë pa kushte avancimin e shpejtë të negociatave të anëtarësimit, sidomos për kapitujt kyç që MPB mbulon, kapitujt 23 dhe 24.

Objektivat specifikë që buxheti i MPB në vitin 2026 do të realizojë, përpos sa theksova më lart, janë:

– Në rritjen e sigurisë rrugore, përmes rritjes së patrullimeve në rrugë dhe përforcimit të shtuar të kontrollit mbi territorin.
Reduktimin e kohës së reagimit ndaj krimit në përgjithësi, me një fokus të posaçëm te krimi brenda familjes.
Rritjen e hetimeve proaktive, në bashkëpunim me agjencitë hetimore, për krimet e rënda, korrupsionin, me një fokus të posaçëm tek identifikimi, konfiskimi dhe sekuestrimi i aseteve kriminale.
– Rritja e numrit të punonjësve të policisë të pajisur me shërbimet dhe pajisje IT sipas standardeve teknologjike, duke synuar në 100 % në vitin 2028.
– Fuqizimi i të gjithë kapaciteteve tona ndaj krimit kibernetik, përfshi mashtrimin financiar. Do të krijojmë një kuadër të plotë, të qartë për luftën ndaj krimit kibernetik, si dhe do të rrisim eksponencialisht kapacitetet tona.
– Përmirësimi i Regjistrit Kombëtar të Gjendjes Civile, çka hap rrugën për edhe më shumë shërbime të dixhitalizuara 24/7 me vulë elektronike për të gjithë qytetarët shqiptarë, brenda apo jashtë vendit, etj.
– Mbështetja e operacionit për vendosjen e plotë të ligjshmërisë në territor, operacion, i cili nuk është thjesht një kontroll ndërtimesh, por një rikthim i rendit ligjor në çdo metër të territorit. Nuk do të lejojmë më zona gri, ndërtime pa leje, shkelje të kushteve të lejes, shtesa në fshehtësi apo kapërcime të rregullave urbanistike.

Për të gjitha këto arsye, buxheti 2026, nuk është vetëm më i madhi në sasinë e vlerës së vendosur në dispozicion, por edhe më i madhi në ambiciet tona.  Ai, rrit standardet e rendit të sigurisë, dhe njëherazi, mbështet listën e detyrave për mbylljen e negociatave brenda 2027-s. Prandaj, për të gjitha këto, të nderuar deputetë, ju ftoj ta votojmë buxhetin e vitit 2026.

Shumë faleminderit!