Ministria e Punëve të Brendshme

Ministrja Koçiu pret Komisionerin Europian për Çështjet e Brendshme dhe Migracionin, Brunner: Shqipëria e përkushtuar në rrugën e integrimit dhe sigurinë e përbashkët

Tiranë – Ministrja e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu, priti sot Komisionerin Europian për Çështjet e Brendshme dhe Migracionin, Magnus Brunner, në kuadër të një turi rajonal vizitash. Vizita e Komisionerit dëshmon angazhimin e fortë të Bashkimit Europian për t’i mbështetur vendet e rajonit në rrugën integruese.

Ministrja Koçiu theksoi se Shqipëria është e angazhuar që procesi teknik i integrimit me BE të përmbyllet në vitin 2027, duke e cilësuar këtë objektiv të arritshëm falë progresit të deritanishëm dhe bashkëpunimit të ngushtë me institucionet e BE-së. Ajo nënvizoi se arritja e këtij objektivi kërkon vijimin e reformave dhe zbatimin e plotë të standardeve europiane, veçanërisht në fushat e sigurisë, migracionit dhe sundimit të ligjit.

Më tej, ministrja vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme të Komisionit Europian, veçanërisht në fushat e sigurisë, migracionit dhe procesit të integrimit, si dhe riafirmoi angazhimin e plotë të Shqipërisë për përmbushjen e detyrimeve në kuadër të Kapitullit 24.

Në fokus të diskutimit ishte gjithashtu lufta kundër krimit të organizuar, ku ministrja theksoi miratimin dhe hyrjen në fuqi të ligjit për Zyrën e Rikuperimit të Aseteve (ARO), emërimin e Drejtorit të Njësisë, avancimin e procedurave për përzgjedhjen e stafit, si dhe forcimin e kapaciteteve dhe transparencës në Agjencinë për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara (AAPSK). Vetëm gjatë vitit 2025 janë sekuestruar 726 pasuri me vlerë rreth 65 milionë euro, ndërsa 12.2 milionë euro janë alokuar për buxhetin e shtetit, mbështetje për institucionet hetimore dhe projekte komunitare.

Ministrja vuri në dukje intensifikimin e bashkëpunimit mes Policisë së Shtetit dhe SPAK, i cili vitin që lamë pas, çoi në ndjekjen e 107 procedimeve penale në fushat e narkotikëve, trafikut, krimeve ekonomike dhe korrupsionit, duke dhënë rezultate konkrete në goditjen e grupeve kriminale.

Ajo theksoi se Strategjia e re Kundër Krimit të Organizuar 2026–2030 është në fazë finalizimi dhe pritet të forcojë parimin “ndiq paranë”, si dhe kapacitetet për hetimin e krimit kibernetik. Në fushën e luftës kundër drogës dhe krimit financiar, Shqipëria ka miratuar 21 akte nënligjore dhe ka ngritur Sistemin Kombëtar të Paralajmërimit të Hershëm dhe Observatorin Kombëtar të Drogave, në bashkëpunim të ngushtë me Agjencinë e BE-së për Drogat.

Në lidhje me migracionin dhe menaxhimin e kufijve, Koçiu informoi mbi zbatimin e Strategjisë së Migracionit 2024–2030, anëtarësimin e Shqipërisë si vëzhguese në Rrjetin Europian të Migracionit, ndryshimet në ligjin për të huajt, rritjen e kapaciteteve për mbrojtjen e të miturve të pashoqëruar, si dhe miratimin e Planit Kombëtar të Kontigjencës për Flukset e Përziera Migratore 2026–2028. Po ashtu, është në proces funksionalizimi Qendra Shqiptare e Koordinimit për Menaxhimin e Integruar të Kufijve.

Ministrja e Punëve të Brendshme informoi Komisionerin mbi përafrimin e mëtejshëm me politikën e vizave të BE-së, përfshirë heqjen e regjimit të vizave për disa vende, si dhe miratimin e një udhërrëfyesi për harmonizimin e plotë me vendet e treta. Në përfundim, Koçiu riafirmoi angazhimin që Shqipëria të mbetet një partner i besueshëm dhe proaktiv i Bashkimit Europian, i përkushtuar për forcimin e sigurisë, stabilitetit dhe integrimit europian të vendit.