Ministria e Punëve të Brendshme

Shkup – Ministrja e Punëve të Brendshme e Republikës së Shqipërisë, Albana Koçiu zhvilloi në Shkup një takim zyrtar me Ministrin e Punëve të Brendshme të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Pançe Toshkovski.

Gjatë takimit, dy ministrat diskutuan për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dypalësh në fushën e sigurisë, rendit publik dhe menaxhimit të integruar të kufijve, me fokus të veçantë në përballimin e sfidave të përbashkëta dhe rritjen e eficiencës së strukturave përkatëse.

Ministrja Koçiu vlerësoi Maqedoninë e Veriut si një partnere të rëndësishme rajonale dhe theksoi se bashkëpunimi i ngushtë ndërmjet dy vendeve është thelbësor në rrugëtimin e përbashkët dhe të pandalshëm drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Takimi rikonfirmoi vullnetin e përbashkët për thellimin e marrëdhënieve institucionale dhe koordinimin e vazhdueshëm në funksion të sigurisë rajonale dhe standardeve evropiane.

Deklarata për media e ministres Koçiu:

Përshëndetje të gjithëve,

Jam në fakt vërtet e gëzuar që jam sot këtu në Shkup, me ftesën e kolegut tim, Ministër Toshkovskit, të cilin e falënderoj përzemërsisht për këtë mundësi. Është pa dyshim një takim që vjen në vazhdën e një bashkëpunimi shumë të mirë mes dy vendeve tona dhe dy qeverive tona, si dhe në vazhdën e bashkëpunimit të nivelit të lartë mes institucioneve tona ligjzbatuese, për të dhënë një mesazh të qartë për vullnetin tonë të përbashkët. Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut janë dy partnerë strategjik dhe janë në një miqësi të vazhdueshme së bashku. Dy vende që ndajmë një hapësirë të përbashkët, të lidhura shumë më shumë në ngjashmëri sesa në dallime, si dhe dy vende kandidate për bashkimin europian. Prandaj kjo hapësirë që ne ndajmë sot, do të jetë një hapësirë europiane, ku mallrat, kapitali dhe njerëzit do të lëvizin pa kufizime. Për këtë arsye, lehtësimi i procedurave për qytetarët, por edhe për biznesin, është jo vetëm diçka e zgjuar, por është edhe diçka shumë praktike  të cilën e bëjmë në funksion të së ardhmes sonë të përbashkët.

E pikërisht me këtë bindje, biseduam me kolegun Ministër, shndërrimin e pikës së kontaktit, në një Qendër të vërtetë të Bashkëpunimit Policor dhe Doganor, për të lejuar një koordinim të vazhdueshëm, 24/7, në një  kohë reale të forcave tona. Një bashkëpunim i tillë dhe një qendër e tillë e koordinuar, do të krijoj mundësi akoma më të mëdha për të shkurtuar më tej burokracitë kohën e kalimit  me radhët në kufi dhe do të nxisë edhe më shumë shkëmbimin mes palëve.

Një vit më parë, në kufirin tonë pati rreth 5 milionë kalime, si dhe 1.8 milionë automjete. E megjithatë, unë besoj se vendi ynë Shqipëria, me përjashtim të bregdetit  të zonës së Liqenit të Ohrit dhe Prespës, ende mbetet e paeksploruar plotësisht për qytetarët e Maqedonisë së Veriut. Po e njëjta gjë mund të thuhet, që vlen edhe për Maqedoninë e Veriut, që ka shumë më shumë për të ofruar sesa një destinacion të rëndësishëm turistik për qytetarët tanë. Ndaj, edhe biseduam me kolegun Toshkovski për replikimin e modelit shumë të suksesshëm “One Stop Shop”, për një kontroll të unifikuar, një model që aplikohet aktualisht në dy nga pikat tona. Ama një përpjekje gjithnjë më e madhe më e përbashkët do të duhet të nxisë më shumë shkëmbime njerëzore, tregtare dhe turistike dhe pikërisht ky është edhe qëllimi i kësaj vizite sot edhe i këtyre diskutimeve që do të zhvillohen përgjatë ditës së sotme. Patjetër që kjo merr akoma më shumë vlerë gjatë sezonit turistik atëherë kur edhe lëvizshmëria është akoma më e madhe. Kështu që padiskutim edhe në këtë pikë, ne do të duhet të avancojmë me ritme më të shpejta.

Për ta mbyllur ajo që dua të veçoj nga ky takim është gadishmëria e jashtëzakonshme dhe absolute që gjeta nga kolegu për të forcuar edhe më shumë partneritetin tonë dhe për këtë e falënderoj posaçërisht Ministrin, të cilin gjithashtu edhe e ftova për një vizitë të posaçme në Tiranë, për të konkretizuar gjithçka do të dalë nga rekomandimet e ditës së sotme. Ai, që është qëllimi ynë i përbashkët është rruga jonë europiane, rruga e pashmangshme drejt standardizimit dhe procedurave europiane për t’i bërë dy vendet tona aty ku e kanë vendin, në familjen e madhe europiane. Faleminderit.