Ministria e Punëve të Brendshme

Tiranë – Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari zhvilloi një takim të veçantë me tre efektivë të Policisë së Shtetit, të cilët janë dalluar për profesionalizëm, guxim dhe përkushtim në shërbim të qytetarëve.

Ministri Lamallari mirëpriti dhe vlerësoi efektivët Erixhon Senko, Francesko Hoxha dhe Edison Mehmetaj, si shembuj frymëzues të dinjitetit që përfaqëson uniforma e Policisë së Shtetit.

Erixhon Senko dhe Francesko Hoxha u vlerësuan për ndërhyrjen e tyre të shpejtë dhe vendimtare në shpëtimin e jetëve njerëzore në ujërat e lumit Buna, duke dëshmuar profesionalizëm të lartë dhe ndjenjë të theksuar përgjegjësie ndaj jetës së qytetarëve.

Ndërsa efektivi Edison Mehmetaj u vlerësua për aktin simbolik dhe domethënës gjatë protestës së fundit, ku, në kushte të vështira dhe përballë dhunës, ngriti flamurin kombëtar të hedhur përtokë, duke përcjellë një mesazh të fortë respekti dhe dinjiteti institucional.

Në fjalën e tij, Ministri Lamallari theksoi se këto akte janë dëshmi se heroizmi nuk kërkon zë, por buron nga zemra dhe guximi, duke nënvizuar se Policia e Shtetit mbetet një institucion i përkushtuar ndaj mbrojtjes së jetës, rendit dhe vlerave kombëtare.

“Janë njerëz të thjeshtë që me veprime të jashtëzakonshme na bëjnë të gjithëve krenarë dhe forcojnë besimin e qytetarëve tek Policia e Shtetit,” u shpreh Ministri Lamallari.

Ministria e Punëve të Brendshme do të vijojë të mbështesë dhe promovojë çdo shembull pozitiv brenda radhëve të Policisë së Shtetit, si model për shërbimin publik dhe përkushtimin ndaj qytetarëve.