Ministria e Brendshme

Zëvendësministrja e Brendshme Romina Kuko drejtoi mbledhjen e parë që shënoi ngritjen e Këshillit Kombëtar për Sigurinë në Komunitet, në të cilën morën pjesë të gjithë përfaqësuesit e institucioneve që parashikohen në ligj.
Kuko u ndal në disa prej arsyeve që bënë të nevojshme ngritjen e KKSK, duke nënvizuar atë që ajo e quajti “hartëzim” të problematikave për të pasur një panoramë tërësore të gjendjes në terren.
Zv.ministrja vuri në dukje gjithashtu rëndësinë që ka dallimi mes koncepteve të sigurisë publike dhe sigurisë në komunitet, duke nënvizuar se ky i fundit kërkon angazhim e të gjithë aktorëve të përfshirë, duke nisur nga komunitetet e prindërve, të rinjve, shoqërisë civile, pushtetit vendor, e më pas strukturave të tjera shtetërore.
Në lidhje me konstituimin e KKSK, Kuko tha se “takimi i sotëm është shumë i rëndësishëm, pasi përcakton një ndryshim të modelit se si ne ofrojmë siguri publike në vend. Kemi tashmë një kuadër ligjor, i cili na mundëson ta rrisim në një nivel më të lartë “Policimin në Komunitet”, përmes ngritjes së Këshillit Kombëtar për Sigurinë në Komunitet (KKSK). Deri më sot kemi pasur Këshillat Vendorë të Sigurisë Publike (KVSP), të cilat kanë funksionuar pranë bashkive dhe që bashkëdrejtoheshin prej drejtorëve të policisë dhe kryebashkiakëve. Në këto këshilla bënin pjesë edhe institucionet e tjera, arsimi, shëndetësia, prokuroria, gjykata, komunitetet fetare etj.. Puna e KVSP ka qenë e lavdërueshme në disa prej bashkive të vendit dhe një shembull se si duhet ndërtuar puna në komunitet,” u shpreh Kuko në këtë takim.

Duke u ndalur në nevojën e ngritjes së KKSP, Kuko vuri në dukje se “deri më sot kemi pasur këto angazhime në nivel vendor, por nuk kemi pasur një qasje në nivel kombëtar, sepse kemi nevojë për një hartëzim se si është situata e sigurisë në territor në këtë qasje gjithëpërfshirës, holistike. Prandaj është e nevojshme të ngremë këtë këshill kombëtar. Ne duam të kemi një KKSP ku secili prej jush që jeni drejtues institucionesh, të keni një rrjetëzim me të gjithë aktorët që ju keni në territor dhe le të konsiderojmë këtë si një tryezë përmes së cilës hartohet dhe ndiqet gjithë politika kombëtare e sigurisë në komunitet,” – nënvizoi Kuko në lidhje me këtë çështje.
Më tej, ajo bëri një shtjellim të konceptit të sigurisë në komunitet, duke nënvizuar se “dua të nënvizoj këtu dallimin mes sigurisë publike dhe sigurisë në komunitet. Siguria publike patjetër që është detyrim i Policisë së Shtetit, dhe nuk po e dublojmë atë, por këtu po flasim për sigurinë në komunitet dhe këtu përfshijmë të gjithë aktorët, duke filluar nga prindërit, organizatat e qytetarëve, të të rinjve, operatorët privatë, shkollat dhe të gjithë komponentët e tjerë. Është e qartë se përgjegjësia për të dhënë siguri në komunitet nuk është vetëm e Policisë së Shtetit. Ne i përmbahemi parimit të parandalimit të krimit, dhe në këtë kontekst kemi nevojë për angazhimin e të gjithë institucioneve të tjera, para se të shkojë puna te policia. Siguria në komunitet ka nevojë për të gjithë aktorët e përfshirë, shkollat, shëndetësinë, pushtetin vendor, biznesin, shoqërinë civile etj.” theksoi Kuko gjatë fjalës së saj.
Në fund, ajo kërkoi që Këshilli të shpallte disa nga prioritetet e punës së tij që kanë të bëjnë me sigurinë.
“Dua që ne sot të kishim një fokus të veçantë në disa prej prioriteteve që do të doja të shpallnim sot në këtë mbledhje të KKSP, që rrjedhin nga strategjia e qeverisë dhe Ministrisë së Brendshme në fushën e sigurisë publike dhe që mund t’i përmbledhim në:
– E para, me rritjen e parametrave të sigurisë në komunitet;
– E dyta, siguria në shkolla, që kërkon vëmendje të veçantë. Do t’ju bëjmë me dije edhe për planin e digjitalizimit të monitorimit të sigurisë në shkolla;
– E treta, një pikë tjetër që do të jetë aktive deri në maj, garantimi dhe administrimi i qetë dhe i rregullt i procesit zgjedhor parlamentar;
– Angazhimi dhe ndërveprimi në komunitet për zbatimin efektiv të sigurisë në komunitet. Në takimin e ardhshëm duhet të kemi një ftesë për shoqatat e prindërve;
– Siguria rrugore, që është një nga komponentët më të rëndësishëm, digjitalizimi në monitorimin e qarkullimit rrugor;
– Një turizëm i sigurt, me organizimin e takimeve të posaçme lidhur me zbatimin e planit të menaxhimit të sezonit turistik”.
Më pas mbledhja vijoi me trajtimin e çështjeve sipas agjendës së parashikuar ku përfaqësuesit e institucioneve ofruan qasjet përkatëse në lidhje me pika të ndryshme, që kanë të bëjnë me sigurinë publike.