Ministria e Punëve të Brendshme

Kuvend – Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, iu përgjigj në seancë plenare deputetit Kapri, duke mbrojtur vendimin për kufizimin e përdorimit të monopatinave, si një masë e domosdoshme për mbrojtjen e jetës dhe shëndetit të qytetarëve. Duke iu referuar të dhënave zyrtare të Policisë së Shtetit, ministri theksoi rritjen shqetësuese të aksidenteve ndër vite dhe uljen drastike të tyre pas ndërhyrjes së ndërmarrë, duke e cilësuar vendimin si të drejtë, të bazuar në evidenca dhe në përputhje me praktikat e vendeve europiane.

Fjala e plotë – VIDEO:

Faleminderit kryesuese e seancës,

Në fakt nuk e kuptova ku lidhet ligji Antimafia me monopatinat. Megjithatë, shumë vetë më kanë thënë, që kjo çështje duket shumë minore, por nuk besoj se është minore. Unë besoj që ndoshta mund të jetë edhe antielektorale, por ne nuk kemi ardhur në qeveri këtu për të qenë popullorë. Ne kemi ardhur për të marrë vendime të drejta, të bazuara mbi evidencat, të cilat do t’i ndaj me ju pas pak. Dhe pastaj, çdo vendim i drejtë, të cilin koha e provon që ka parandaluar rreziqe reale ndaj jetës e shëndetit të qytetarëve, besoj, me mbështetjen e qytetarëve, ashtu siç do ta kemi edhe në këtë rast, ku mjafton të referoj shifrat e marra nga Policia e Shtetit të cilat kanë furnizuar deri në marrjen e këtij vendimi, e besoj fort që edhe ju do të bindeni që në fakt ka qenë vendim i drejtë dhe i duhur dhe diskutimi më pas duhet të kanalizohet drejt asaj se çfarë mund të jetë ndërhyrja ligjore dhe kontributi i këtij parlamenti për ta trajtuar këtë sigurisht duke pasur vetëm një mision parasysh, mbrojtjen e jetës dhe shëndetit të qytetarëve.

Për sa u përket shifrave që kanë çuar drejt një vendimmarrjeje të tillë, mjafton të citoj të dhënat zyrtare nga Policia e Shtetit.

– Në vitin 2023 janë evidentuar plot 587 raste aksidentesh nga monopatinat;
– Në vitin 2024 janë evidentuar plot 991 raste aksidentesh, duke përfshirë edhe humbje jete;
– Në vitin 2025, ky numër ka shkuar në 887.

Tani është e qartë fare, që ka pasur një trend shqetësues në rritje, nga viti në vit, që nga fillimi i përdorimit të monopatinave, duke rrezikuar qartësisht jo vetëm jetën e përdoruesve, shpeshherë nën moshën ligjore për të drejtuar një mjet elektrik, një mjet rrugor me shpejtësi të caktuar që përbën shkak për burim aksidentesh apo edhe vetë aksident me humbje, apo cenim serioz të shëndetit të qytetarëve dhe këmbësorëve kryesisht, por situata ndryshoi katërcipërisht mbas këtij vendimi që u mor nga ana jonë, sipas udhëzimit përkatës, ku u ndalua përdorimi i monopatinave.

Konkretisht, nga momenti i miratimit, deri më sot, janë raportuar nga Policia e Shtetit, vetëm 6 raste. Pra, nga gati 1 mijë raste aksidentesh në 2024, përfshirë edhe humbje jete, në 6 raste. Kemi një ulje në minimum absolut.

Monopatinat nuk janë lodra, nuk mund të bëhen objekt për të përfituar politikisht nga një kërkesë seancë pyetje-përgjigje, përkundrazi, po flasim për të mbrojtur jetën dhe shëndetin e qytetarëve dhe, specifikisht, të këmbësorëve, të cilët mund të jenë të moshuar, nëna me karroca me fëmijë, të cilët ruhen gjithë kohës për shkak se një person nën moshë apo dikush i papërgjegjshëm mund të përdorë një mjet që kërcënon jetën dhe shëndetin e këmbësorëve.

Për sa i përket dokumentacionit, nga 1,350 monopatina të verifikuara nga Policia e Shtetit, rezultojnë pa dokument pronësie. Megjithatë, ajo çfarë është e rëndësishme të diskutojmë është të hedhim sytë edhe nga vendet evropiane, të cilat e kanë trajtuar këtë problematikë shumë herët dhe para nesh. Por diferenca është se ato e kanë trajtuar duke pasur parasysh jo përfitimet politike të momentit, por duke pasur parasysh mbrojtjen e jetës së qytetarëve të tyre.

Çfarë ndodh në Itali, çfarë ndodh në Spanjë, në Danimarkë, çfarë ndodh në Berlin? Pikërisht në këto vende janë marrë masa të ndryshme në lidhje me kufizimet sa i përket përdorimit të këtyre mjeteve, ku më e famshmja është rasti i Parisit, ku në vitin 2023 u ndalua përdorimi i monopatinave.

Pra, jemi të qartë se nuk kemi të bëjmë me një masë antiligjore, por me një rregull dhe shmangien e kaosit në rrugë, aq më tepër kur cenohet jeta e qytetarëve. Shumë faleminderit dhe besoj se kjo ishte shumë sqaruese.