Kuvend – Fjala e ministrit të Brendshëm Taulant Balla për p.ligjin “Për Policinë e Shtetit”
Së pari, dua të falënderoj të gjithë kolegët deputetë majtas, djathtas për diskutimet e gjata, por të frytshme që kemi pasur edhe në komisionin përgjegjës atë të Sigurisë Kombëtare edhe në Komisionin për Çështjet Europiane, në Komisionin për Çështjet Ligjore dhe në atë të Ekonomisë gjithashtu dhe po njëherazi të njoftoj Kuvendin se jam njoftuar nga sekretaria e Kuvendit që ka pasur disa amendament edhe nga kolegë të mazhorancës edhe nga kolegë të opozitës, për të cilat jam plotësisht dakord që të miratohen natyrshëm me disa rregullime ligjore ose le të themi të natyrës ligjore me qëllim që të përshtaten me gjithë frymën e këtij ligji tepër të rëndësishëm.
Zonja dhe zotërinj,
të dashur qytetarë shqiptarë,
Propozimi i një ligji të ri “Për Policinë e Shtetit” është një punë e madhe dhe një iniciativë e rëndësishme e Ministrisë së Brendshme sa i përket reformimit të një prej institucioneve më të rëndësishme ligjzbatuese në vend, në fakt agjencisë më të madhe qoftë për nga numri, por mbi të gjitha nga përgjegjësia që ajo ka mbi vete.
E kam thënë shpesh herë dhe dua ta ripërsëris sot se ligji aktual i Policisë së Shtetit, ai që me miratimin dhe hyrjen në fuqi të këtij ligji të ri nuk do të jetë më, ka qenë një ligj i mirë për kohën kur u miratua 10 vite më parë.
Ai e ka përmirësuar dukshëm punën dhe performancën e Policisë së Shtetit. Zbatimi i tij ka kontribuar në përparimin e ndjeshëm të Shqipërisë sonë në fushën e sigurisë publike.
Ka arritur dhe ka përmirësuar parametrat në të gjithë komponent e vetë duke filluar që nga lufta kundër krimit e duke kaluar më tej në të gjithë parametrat e rendit publik dhe sigurisë në tërësi, duke ndarë me ju dhe faktin se nëse 10 vite më parë Shqipëria ishte një nga vendet me nivelin më të lartë të kriminalitetit, sot Shqipëria nuk është më as në 10 vendet me kriminalitetin më të lartë, por viti 2023 shënoi një prej arritjeve ose progresit më të dukshëm të Shqipërisë në këtë aspekt, duke lëvizur pozitivisht me 6 vende duke lënë pas në një farë mënyre pothuajse të gjitha vendet e rajonit tonë, por me një përmirësim të dukshëm krahasuar edhe me vendet anëtare të Bashkimit Europian.
Statistikat janë fakte të pakontestueshme. Një ndër këto fakte të pakontestueshme është njëri prej indikatorëve kryesorë përmes së cilit bëhen matjet ose vlerësimet e luftës kundër kriminalitetit dhe mbi të gjitha të sigurisë publike.
Njëri prej tyre është fakti i gjithë pranuar që lidhet edhe me natyrën e shqiptarit, i cili e ka mikun Zot në shtëpi të vetë. Kemi pasur më shumë se 10 milion turistë gjatë vitit 2023 dhe është fakt i gjithë-pranuar që asnjëri prej tyre fatmirësisht nuk ishte viktimë e një ngjarje kriminale dhe po ashtu edhe pse një pjesë e kolegëve dhe në Komision, kryesisht nga kolegët e opozitës thanë “Po mirë dakord tani do bëni krahasime me 10 vite më parë’’.
Në fakt në fushën e rendit publik jo vetëm në Shqipëri po në përgjithësi krahasimet bëhen brenda 10 vjeçarëve, sepse në fund të fundit janë 10 vjeçarët ato që të japin mundësinë të kuptosh ku ke qenë, ku je, dhe natyrshëm ku duam të jemi.
Vizioni ynë Shqipëria 2030 është në fakt thelbi dhe synimi kryesor i këtij ligji.
E pra të dashur kolegë,
në rast se në vitin 2012 në Shqipëri kishim 125 jetë të humbura nga ngjarje kriminale, vrasje, në vitin 2023 Shqipëria shënoi dhe shifrën më të ulët historike të paktën në 34 vitet e fundit, me një rënie pak më shumë se 3 herë, në 35.
Po ashtu një shifër tjetër që është domethënëse që lidhet edhe me faktin që kjo qeveri ka investuar mjaftueshmërisht dhe cilësisht mbi të gjitha në sigurinë e rrugëve në Shqipëri, fakti është se edhe pse numri i mjeteve në përdorim të qytetarëve shqiptarë është dyfishuar nga viti 2013 deri në vitin 2023, numri i jetëve të humbura në incidente rrugore është përgjysmuar.
Në rast se numri i mjeteve në përdorim të shtetasve të huaj që hyjnë në Shqipëri për pushime, për tranzit për gjithçka tjetër, është shumëfishuar në shifrën historike prej më shumë se 2.85 milion mjete edhe që në vitin 2024 presim që të kemi një shifër 3.5 milion mjete në pronësi të shtetasve të huaj, pra me targa të huaja, që hyjnë në Shqipëri, shtuar këtu dhe të paktën nga 900 mijë 950 mijë mjete, i bie diku te 4.5 milion mjete të lëvizin në rrugët e Shqipërisë. Trendi vazhdon të jetë pozitiv, pra në zvogëlim të numrit të incidenteve rrugore me pasojë jetët e humbura.
Solla dy, le të themi indikatorë të përmirësimit të sigurisë në vend.
E megjithatë sfida është e hapur, ngjarjet kriminale një pjesë e tyre mund të përballohen, në kuptimin mund të parandalohen, një pjesë e tyre nuk mund të parandalohen, por e rëndësishme është që ato të hetohen dhe mund t’ju informojë se vetëm gjatë vitit të fundit ne kemi 163 ngjarje kriminale të parandaluara në kohë.
Ky është një prej atyre indikatorëve që unë do doja shumë dhe është një prej kërkesave kryesore, që i shkon të gjitha drejtorive vendore të Policisë së Shtetit dhe të gjithë ekipit drejtues të Policisë së Shtetit: Policia e Shtetit ka për detyrë të parandalojë, e në rast se nuk parandalohet ka për detyrë që krimet e ndodhura të zbulohen në kohë, sepse kjo lidhet drejtpërsëdrejti me besimin e publikut.
Ndërsa flasim për besimin e publikut, unë mendoj që edhe këtu kemi përsëri të njëjtin raport, sepse nuk mund të ndodhte ndryshe. Në rast se kemi përgjysmim të numrit të veprave penale që lidhen me krimin ndaj personit, pra me vrasjet, kjo është shoqëruar me një indikator tjetër që vjen jo nga vlerësimi ynë i brendshëm, por nga sondazhet e respektuara të agjencive të specializuara të mbështetura nga organizatat partnere. Sondazhi më i fundit tregon që në rast se 10 vite më parë, 1 në 3 shqiptarë kishte besim te Policia e Shtetit sot 72% e të intervistuarve besojnë plotësisht te Policia e Shtetit duke e renditur Policinë e Shtetit në një prej institucioneve më të besuara në vend dhe kjo natyrshëm na jep edhe inkurajimin që të synojmë të bëjmë atë kalimin në një nivel tjetër. Ky pra të dashur kolegë është dhe qëllimi i këtij ligji.
Gjithçka është arritur deri më tani është mirë, por nuk është ajo që do donim të kishim, Shqipëria vend anëtar i Bashkimit Europian me një Polici Shteti të një vendi anëtar të Bashkimit Europian.
Prandaj kemi ardhur sot të kërkojmë mbështetjen tuaj, të gjithë kolegëve në këtë sallë, që t’i japim Policisë së Shtetit, kësaj organizate, kësaj uniforme mundësinë për më shumë energjizim, për më shumë karrierë të bazuar në meritokraci dhe rezultate konkrete në luftën kundër krimit të organizuar dhe fenomeneve të tjera kriminale, ku fokusi mbetet tek lufta kundër lëndëve narkotike, prodhim, trafikim, shpërndarje e lëndëve narkotike si një kancer, që për fatin e keq prek rininë, por jo vetëm.
Pa harruar këtu format e ndryshme të trafikimit, përfshirë trafikimin e qenieve njerëzore. Sapo kemi njoftuar publikun për goditjen e një grupi kriminal, shtetas afganë, të cilët në një territor brenda kufijve të Malit të Zi mbanin peng 11 migrantë nën kërcënimin e armëve dhe të dhunës. Policia e Shtetit ka marrë e para informacionin edhe pse ishte në territorin e një vendi tjetër. Kemi shkëmbyer informacion me Europolin. Kemi bashkërenduar me Policinë e Malit të Zi dhe kemi ndërhyrë për të liruar shtetasit, migrantët dhe po ashtu kemi ndaluar, arrestuar pengmarrësit.
Kjo flet për një nivel tjetër të Policisë së Shtetit, kjo flet për një bashkëpunim efikas me agjencitë partnere, jo vetëm Europoli, por edhe Interpoli, por edhe Eurojusti. Nuk është rastësi aspak që organizata që mbledh brenda vetes 192 polici nga 192 vendet të botës zgjedh Shqipërinë në 2024 të mblidhet dhe të diskutojë në Konferencën e vetë më të madhe rajonale, sa i përket sfidave të përballjes me krimin e organizuar, sa i përket sfidave të përballjes me krimin kibernetik edhe forma të reja e të tjera të krimit.
Zonja dhe zotërinj,
Ky është një ligj që synon të përmbushë të gjitha angazhimet e Shqipërisë në kuadër të legjislacionit që lidhet me Policinë e Shtetit, në rrugën e realizimit të aspiratës sonë historike për ta parë Shqipërinë brenda vitit 2030 anëtare të Bashkimit Europian.
Prandaj dua që të theksoj se edhe pse dhe e diskutuam në Komisionin për Çështjet Europiane edhe pse ky ligj nuk ka ardhur me një tabelë përputhshmërie, kjo për një arsye të thjeshtë që lidhet me faktin se Bashkimi Europian në atë që quhet legjislacion komunitar ose Aqui Communitare nuk ka një aqui përsa i përket policisë.
Policia në vendet e Bashkimit Europian është e ndryshme në Gjermani, është e ndryshme në Itali, është e ndryshme në Francë shumë më e ndryshme në Spanjë, në Gjermani kompetencat lëvizin nga BKA-ja pra nga Policia Federale te Policitë e Landeve ne nuk e kemi edhe për shkak të madhësisë gjeografike edhe për shkak të organizimit tonë qoftë të hartës, por qoftë edhe organizimit të pushtetit vendor nuk e kemi këtë dhe kemi marrë eksperiencat më të mira.
Pyetja është po kujt i jeni referuar? Përsa i përket këtij modeli, i jemi referuar natyrshëm modelit italian, kemi ngjashmëri me Italinë në shumë aspekte, por i jemi referuar edhe Kroacisë një vend që është do thosha unë një 10-15 vjeçar para nesh në aspektin e proceseve integruese, anëtar i Bashkimit Europian prej vitit 2013, i jemi referuar Sllovenisë dhe Rumanisë, por gjatë gjithë këtij procesi të rëndësishëm të hartimit të këtij projektligji që ka marrë kohë që prej shtatorit të vitit të kaluar; i jemi referuar të gjitha këshillave që dua t’i falënderoj.
Sot kam falënderuar ambasadorin amerikan, të ngarkuarin me punë në Tiranë, z. Wisner për punën e shkëlqyer që kemi bërë me ICITAP-in, por të falënderoj edhe Bashkimin Europian përmes programit EU4LEA, të falënderoj edhe Britaninë e Madhe, me agjencitë e këtij vendi bashkëpunojmë në mënyrë të shkëlqyer, agjencinë kombëtare të krimit NCA, policinë metropolitane dhe po ashtu të falënderoj edhe Norvegjinë të cilët përmes një programi asistence na kanë mbështetur.
Edhe t’ju informoj sepse është shumë e rëndësishme që Kuvendi ta dijë, ne e kemi sjellë edhe në mënyrë shkresore të gjitha, po të gjitha institucionet e pavarura me të cilat, përmes së cilave bashkëveprohet në luftën kundër krimit, në gjithë punën që lidhet me sigurinë publike, me rendin Këshilli i Lartë i Prokurorisë, Këshilli i Lartë Gjyqësor, Prokuroria e Posaçme, Prokuroria e Përgjithshme, Komisioneri për Mbrojtjen e të Dhënave Personale dhe të Drejtën e Informimit. Me të gjitha këto institucione kemi shkëmbyer draftin dhe kemi marrë komentet e tyre, pjesa më e madhe e këtyre komenteve janë të përfshira në draftin që keni përpara.
Dua t’ju informoj që vetë Policia e Shtetit që prej ditës së parë ka ardhur me propozimet e veta, pra nuk është një draft që është hartuar nga Ministri i Brendshëm, nga stafi i Ministrit të Brendshëm, nga vetë Ministria e Brendshme, por ka qenë një punë kolosale shumë mujore për të ardhur në këtë draft përfundimtar dhe siç e thashë edhe komentet që erdhën nga kolegët deputetë edhe amendamentet që janë paraqitur sipas rregullores 24 orë para, do të pranohen nga ana jonë.
Natyrshëm shpresoj nga ana e kolegëve të shumicës se ata do të shprehen me votë në favor edhe të amendamenteve që vijnë nga opozita.
Kolegë deputetë, analiza e nevojës për reformim erdhi pikë së pari nga një pjesë e raporteve të monitorimit, të vlerësimit që i bëhen institucioneve shqiptare, janë reflektuar në këtë projektligj të gjitha rekomandimet vit pas viti të progres raporteve të Bashkimit Europian, dhe po ashtu rekomandime që kanë ardhur nga grupi i shteteve Kundër Korrupsionit të Këshillit të Europës, pra GRECO sa i përket elementeve të direktivës së policisë, të direktivës për mbrojtjen e të dhënave personale. Pa harruar këtu dhe raporte të tjera specifike që lidhen me fusha të caktuara.
Dy ditë më parë kemi bërë një takim të një prej mekanizmave që sjell së bashku të gjitha institucionet në luftën kundër trafikut. Raporti më i fundit i publikuar nga Departamenti amerikan I Shtetit, i cili është një prej raporteve më të rëndësishme ku brenda raporti përfshihet edhe monitorimi që i bëhet vetë SHBA dhe ka një numër shumë të madh prej 170 vendesh që përfshihen në këtë raport.
Vlerësoj të gjithë punën e kryer nga Qeveria Shqiptare, por nënvijëzoj një moment që lidhet me vendimet e gjykatave të munguara, sa i përket goditjes së elementëve kriminal që lidhen me trafikimin dhe prandaj të gjitha këto janë marr në konsideratë.
Por në mënyrë të përmbledhur dua të informoj Kuvendin se ligji ka arritur dhe ka mundësuar në vlerësimin tonë si propozues të adresojë rekomandimet që lidhen me krijimin e kapaciteteve apo strukturave të munguara në Policinë e Shtetit, pra të krijojmë disa struktura që nuk i kishim, forcojmë strukturat ekzistuese ato me natyrë organizimi më efektiv dhe mbi të gjitha do doja vëmendjen tuaj, mendojmë që kemi gjetur metodat, por dhe ilaçin e duhur sa i përket parandalimit të konfliktit të interesit apo eliminimin e çdo hapësire veprimtarie korruptive brenda Policisë së Shtetit.
E kam thënë, do ta rithem sa herë të me jepet mundësia një prej detyrave kryesore të Ministrit të Brendshëm është të shtyjë përpara sa të ketë mundësi procesin e vetëpastrimit të Policisë së Shtetit.
Brenda 10 mijë forcave të Policisë së Shtetit ka dhe prej atyre që e tradhtojnë çdo ditë uniformën e punonjësit të Policisë së Shtetit, por dua t’ju garantoj që prej një viti në krye të Ministrisë së Brendshme kam pasur mundësinë të takoj dhe të shtrëngojë duart me të paktën 7 mijë prej tyre. Ju garantoj për këtë dhe mund t’ju them që pjesa më e madhe e Policisë së Shtetit, kryesisht ata të nivelit bazë janë njerëz të respektuar, njerëz të angazhuar, të dedikuar ta bëjnë atë punë me ndershmëri, por brenda këtyre 10 mijëve për asnjë nuk e ve dorën në zjarr, sepse e vërteta është që edhe agjencitë partnere që kanë ardhur të raportojnë këtu në Kuvend, edhe unë e kam thënë shpesh herë, janë 253 procedime për një vit, kryesisht ‘Shpërdorim detyre’, “Favorizim të kultivimit të lëndëve narkotike’’ dhe vepra të tjera penale që turpërojnë uniformën e respektuar të Policisë së Shtetit.
Prandaj dua ta çojmë përpara vetëpastrimin e Policisë së Shtetit, e do doja shumë që opozita ta mbështeste këtë ligj, i cili është një ligj që synon të projektojë Policinë e Shtetit brenda këtij vizioni të madh 2030 të Shqipërisë sonë të përbashkët.
Kështu e shoh unë dhe unë nuk jam më optimist sesa duhet, por një gjë e kam bindje, në vitin 2030 Shqipëria është anëtare e Bashkimit Europian.
Ndaj secili prej nesh ka përgjegjësinë që në fushën e tij të mbulimit të bëjë gjithçka është e mundur që ne t’ia arrijmë këtij objektivi historik.
Pa harruar edhe OSBE-në, sepse për mua të gjithë këta janë partnerët e përditshëm sa i përket të gjitha rekomandimeve që vijnë.
U fol këtu për Kodin Zgjedhor, por kur flasim për Kodin Zgjedhor flasim dhe për rekomandimet e OSBE-së, për fat të keq te Kodi Zgjedhor nuk i kemi marrë sa duhet në konsideratë rekomandimet e raporteve të OSBE ODHIR-it, madje sa herë vijmë këtu për të votuar Kodin i harrojmë.
Sa i përket ligjit të Policisë së Shtetit dua t’ju garantoj që të gjitha rekomandimet e OSBE-së sa i përket shërbimit publik të policimit, se mos harrojmë asnjëherë se policimi është një shërbim siç është spitali, siç është shkolla dhe ky shërbim publik pikë së pari duhet të jetë demokratik dhe të gjitha rekomandimet e OSBE-së për një polici të orientuar si një shërbim tek qytetarët, për përmirësimin e cilësisë së shërbimit publik të policimit, për një polici me kulturë profesionalizmi, integriteti, respekti për dinjitetin njerëzor dhe komunitetit, të cilit i shërben.
U kërkoj çdo ditë sa herë më jepet mundësia punonjësve të Policisë së Shtetit t’u them që gjëja e parë, kontakti i parë me qytetarin duhet të jetë një kontakt edukate. “Mirëdita zoti qytetar, cila është problem juaj?” – Jo historia që direkt qytetarit gjobën. Gjoba duhet të jetë akti i fundit, këshillimi duhet të jetë gjëja më kryesore që duhet të bëjë Policia e Shtetit.
Unë mendoj që këto rekomandimet e OSBE-së, se shoh nënqeshje, këto janë rekomandime që vijnë nga eksperienca. Vende të tjera i kanë dhe për ne shqiptarët gjoba na duket si fyerje, në fakt këshilla na vë në pozitë pak më të vështirë. Kështu që mendoj që të gjitha këto i kemi marrë në konsideratë.
Natyrshëm ka një element shumë të rëndësishëm, është dokumenti poshtë ligjit, pra akti nënligjor i parë që do të garantojë implementim të mirë të këtij ligji, është Rregullorja e Policisë së Shtetit.
Dua ta garantoj Komisionin e Sigurisë se ky dokument para se të miratohet në qeveri do duhet të vijë formalisht të diskutohet edhe në Komisionin e Sigurisë Kombëtare, si Komisioni përgjegjës edhe pse nuk është detyrim, por është një garanci për shkak edhe të mbështetjes së madhe që morëm gjatë diskutimit të këtij projektligji.
Sa i përket thelbit, mendoj se ne kemi bërë një ligj që synojmë të vendosim qytetarin në qendër të këtij projektligji. Kjo dallohet edhe nga vetë mënyra sesi e kemi organizuar ligjin, i cili në dallim nga ligji i vjetër ka vendosur të drejtat dhe trajtimin e qytetarit në thelb, pra në të gjithë mënyrën e organizimit.
Projektligji mundëson një përkufizim më të qartë sa i përket autoritetit policor, ushtrimit të kufizimeve duke u fokusuar në rregullimin e veprimtarisë policore, në ruajtjen e rendit dhe sigurisë dhe këtu në mënyrë të përmbledhur dua të informoj Kuvendin, pikë së pari ligji përmirëson organizimin e Policisë së Shtetit. Ai përmirëson menaxhimin në të gjitha format përfshirë atë në Policinë e Shtetit. Funksionimin e veprimtarisë së strukturave policore, të proceseve dhe të procedurave brenda organizatës së Policisë së Shtetit.
Ka si objektiv zhvillimin profesional të punonjësit të policisë, i cili duhet të jetë një zhvillim profesional i vazhdueshëm, jo mbarove Akademinë e Sigurisë, hyre në Policinë e Shtetit dhe mbaroi marrëdhënia jote me librin dhe marrëdhënia jote me Akademinë e Sigurisë, por duhet të jetë një proces i vazhdueshëm dhe siç e thashë të garantojë ecurinë në karrierë.
Kemi pasur dhe kemi deficite sa i përket Policisë së Shtetit në numër punonjësish policie. Kemi një numër shumë më të vogël punonjësish policie shteti, nuk po krahasohem këtu me Malin e Zi. Mali i Zi për numër banorësh e ka dyfish numrin e Policisë së Shtetit, por unë krahasimin gjithmonë e bëj me dy vende me Kroacinë dhe Greqinë. Arsyeja është shumë e thjeshtë, janë dy vende të cilat ngjajnë me ne për shkak të sfidës që lidhet me numrin e madh të turistëve. Me të dyja këto vende anëtare të Bashkimit Europian ne jemi shumë mbrapa sa i përket numrit të punonjësve të Policisë së Shtetit për numër banorësh dhe numër turistësh.
Ndaj falë mbështetjes së qeverisë, falë mbështetjes së Kryeministrit jemi në një moment të rëndësishëm, falë edhe ligjit për të shkuar dhe për t’u rikthyer përsëri tek Akademia e Sigurisë. Akademia e Sigurisë do të garantojë që në vitin shkollor 2024-2025 marrjen e 100 studentëve të parë nga matura shtetërore nga një fakultet në atë të fakultetit te Rendit dhe të Hetimit me qëllim që në krye të tre viteve të kemi 100 nënkomisar të dalë nga Akademia e Sigurisë dhe nënkomisar të për ata që nuk e dinë janë dhe grada kyçe për sa i përket hetimit dhe parandalimit të krimit.
Ky është një hap i parë ndërkohë që me Akademinë e Sigurisë do të vazhdojmë të intensifikojmë edhe punën sa i përket pranimeve kryesisht si Patrulla të Përgjithshme.
Zonja dhe zotërinj,
Ligji ka një qasje sa i përket sikurse e thashë për pranimet në Policinë e Shtetit, por sa i përket edhe roleve zbatuese duke çuar më pas edhe në një qasje tjetër që lidhet me emërimin e drejtuesve të lartë të Policisë së Shtetit. Policia e Shtetit me ligjin e ri do të ketë mandat në nivele drejtuese, drejtor i përgjithshëm, drejtorët e drejtorive vendore, drejtorët e departamenteve do të kenë një mandate dhe përzgjedhja e tyre nuk do të bëhet më nga drejtori i përgjithshëm, i cili në rastin e drejtorëve të departamentit ja propozon Ministrit, as drejtori i përgjithshëm nuk do të jetë një propozim ekskluziv i Ministrit te Kryeministri, por do të jetë përmes një procesi që kalon përmes këshillave të emërimeve, një këshill emërimesh në nivel të përgjithshëm dhe një këshill emërimesh në nivel vendor dhe vendosja e mandatit do t’i japi edhe një lloj sigurie edhe një mbështetje për të krijuar ekipe me të cilat punojnë.
Historia që shkon drejtor në Kukës dhe rri gjashtë muaj kur ende s’ke kuptuar asgjë dhe pastaj të heqin, mendoj që është një mësim i marrë dhe që duhej adresuar përmes ligjit.
Nuk duhet të harrojmë asnjëherë që ligji ka pasur në vëmendjen e vetë edhe zhvillimet teknologjike dhe shfaqjen e formave të reja dhe sfiduese të krimit kryesisht atij kiberneti dhe krijojmë hapësirë përmes ligjit të fillojmë përdorimin e inteligjencës artificiale.
Projekti i madh për 20 qytetet e para dhe të gjithë bregdetin shqiptar për të pajisur me një sistem modern kamerash inteligjente në pjesën fundore në të cilën qëndron inteligjenca artificiale që do të zëvendësojë syrin subjektiv të punonjësit të policisë është një prej synimeve tona për të garantuar një kontroll të plotë të territorit 24 orë në çdo ditë të vitit.
Të dashur kolegë deputetë,
sot jam shumë i lumtur që falë kësaj pune të madhe të bërë me seriozitet më shumë se 9 muaj, falë mbështetjes së qeverisë ne jemi në një moment të rëndësishëm të mbështetjes për Policinë e Shtetit.
Kemi arritur të kemi një rritje të mirë të pagave edhe pse e di fare mirë që punonjësit e policisë do të kishin dashur që kjo rritja e pagave të ishte edhe më e madhe. Kemi siguruar përfundimisht zgjidhjen e një problemi të trashëguar që lidhet me pagesën e ushqimit. Punonjësit e Policisë së Shtetit po hyjnë në shtëpitë e reja të marra me kredi me interes zero. Janë 92 kredi të miratuar për vitin 2023, të cilat mund të disbursohen deri në fund të vitit 2024 dhe kemi çelur edhe 90 kuota të tjera, 70 për Policinë e Shtetit, 15 për Gardën e Republikës, 5 për Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore. I ftoj të gjithë punonjësit e këtyre institucioneve respektive të aplikojnë dhe të përfitojnë!
Tani rroga më të mira, paga më të mira, investim sa i përket kredisë për shtëpi, natyrshëm që Policia e Shtetit ka nevojë edhe për një mbështetje tjetër dhe kjo është mbështetja që duhet t’i vijë nga Kuvendi i Shqipërisë, sepse në fund të fundit Policia e Shtetit kujdeset për të gjithë njëlloj, edhe për socialistët edhe për demokratët. Për këtë qëllim, edhe pse në Komision, që një pjesë kanë votuar kundër, një pjesë janë larguar nga votimi nga ana e opozitës.
Sot në këtë moment të rëndësishëm meqë po votojmë dhe Kodin Zgjedhor, e Policia e Shtetit ka një rol të rëndësishëm sa i përket garantimit të rendit dhe sigurisë gjatë procesit të zhvillimit të zgjedhjeve ta votoni dhe ligjin për Policinë e Shtetit! Shumë faleminderit të gjithëve!