Ministria e Punëve të Brendshme

Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, gjatë ndërhyrjes në seancë plenare, sqaroi opinionin publik mbi situatën e sigurisë në vend, duke theksuar se nuk ekziston asnjë informacion konkret për kërcënim real ndaj sigurisë.

Ministri bëri të ditur se, menjëherë pas shqetësimeve të ngritura, ka kërkuar nga strukturat e Policisë së Shtetit – përfshirë Antiterrorin, Policinë Kriminale dhe Departamentin e Sigurisë Publike – të jenë në komunikim të vazhdueshëm me zyrën e sigurisë së Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Sipas tij, nga ky bashkëpunim është konfirmuar se nuk ka asnjë informacion apo inteligjencë për një rrezik konkret. Duke sqaruar më tej, Lamallari theksoi se masat e shtuara të sigurisë nuk lidhen me deklarata apo postime të fundit, por janë ndërmarrë prej kohësh, në kuadër të zhvillimeve ndërkombëtare dhe situatave të tensionuara, veçanërisht në Lindjen e Mesme. Në këtë kuadër, strukturat e Policisë së Shtetit, përfshirë Antiterrorin, FNSH-në dhe Policinë Kriminale, janë në gatishmëri të lartë dhe në komunikim të vazhdueshëm me partnerët ndërkombëtarë. Ministri nënvizoi se ekziston një plan i mirëpërcaktuar veprimi, i cili përfshin detyra konkrete për çdo strukturë përgjegjëse, bazuar në vlerësimet e vazhdueshme të rrezikut nga terrorizmi apo elementë të tjerë kriminalë.

Në përfundim, Lamallari garantoi se Shqipëria mbetet një vend i sigurt për qytetarët dhe vizitorët, duke i bërë thirrje publikut të mos ndikohet nga informacione të pakonfirmuara që qarkullojnë në rrjete apo burime të ndryshme.

Fjala e plotë e ministrit Lamallari – Video:

Dua të sjell në vëmendje dhe të ndaj disa informacione me qytetarët. Fakti i parë, jo më larg se mbrëmjen e djeshme, u kam kërkuar strukturave të Policisë, konkretisht strukturave të Antiterrorit, të Departamentit të Sigurisë Publike dhe Policisë Kriminale, të jenë në komunikim me zyrën e Sigurisë së Ambasadës Amerikane, nga të cilat me përgjegjësi të plotë konfirmoj se është komunikuar, e nuk ka asnjë informacion konkret, qoftë edhe inteligjencë, për një situatë rreziku real.

Së dyti, kjo është në vazhdën e të gjitha postimeve, deklaratave që bëhen standard në të gjitha vendet e botës ku ka shqetësime të ndryshme. Shqipëria dhe Policia e Shtetit prej disa kohësh kanë marrë masa të shtuara sigurie, jo lidhur me postimin e djeshëm, por prej disa kohësh, dhe kjo bazuar në zhvillimet ndërkombëtare që ndodhin. Konkretisht me konfliktin e armatosur dhe luftën në Lindjen e Mesme, ku sigurisht janë të angazhuara maksimalisht Policia e Shtetit, strukturat e Antiterrorit, Policisë Kriminale, FNSH-së dhe sigurisë publike, duke qenë në komunikim të vazhdueshëm me të paktën dy ambasada në vend.
Pra, ky është një fakt që nuk ka lidhje me postimin e djeshëm, ka nisur kohë më parë dhe ka një vlerësim nga Policia e Shtetit lidhur me rreziqet e mundshme të terrorizmit apo elementëve të tjerë kriminalë. Ka edhe një plan veprimi, i cili bën bashkë me detyra specifike çdo strukturë përgjegjëse në Policinë e Shtetit.
Fakt është që Shqipëria mbetet një vend i sigurt për qytetarët shqiptarë dhe për të gjithë ata që vizitojnë Shqipërinë. Përtej postimeve që ju i lexoni, për fat të keq, vetëm kur vijnë nga Irani apo që lidhen me Iranin, por jo për protestat e dhunshme me molotov.

Shumë faleminderit dhe qytetarëve shqiptarë, kjo është përgjigjja që kam për ta.