Tiranë – Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha mblodhi sot grupin teknik të punës me përfaqësues nga Ministria e Brendshme, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme – Republika e Shqipërisë, KQZ, IdentiTek SHA, AKSHI dhe Drejtoria e Gjendjes Civile për të nisur përmirësimin e mekanizmave që lehtësojnë procesin e rinovimit të dokumenteve të identifikimit për votuesit nga jashtë.
Ministria e Brendshme ka njoftuar më herët se votuesit që jetojnë jashtë vendit nuk kanë më detyrimin për të aplikuar për të dy kategoritë e dokumenteve të identifikimit (pasaportë & letërnjoftim elektronik) duke ulur kështu kostot e këtij shërbimi.
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka nisur ndërkohë zhvendosjen e shërbimeve konsullore më afër qytetarëve shqiptarë në vendet ku ndodhen, nëpërmjet konsullatave të lëvizshme, duke e bërë më të lehtë marrjen e tyre.
Në takim u dakordësuan masa shtesë ndërinstitucionale që do të ndërmarrim në kuadër të realizimit të votimit nga jashtë, duke synuar një proces sa më të thjeshtë dhe të aksesueshëm për të gjithë.
12.11.2024 – Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha, së bashku me Ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme Igli Hasani dhe Komisionerin Shtetëror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi diskutuan në KQZ për koordinimin e angazhimeve respektive për realizimin e votimit nga jashtë.
Ministria e Brendshme ka nisur dhe do të përmirësojë mekanizma që ndihmojnë votuesit nga jashtë për rinovimin e dokumenteve të identifikimit. Gjithashtu u diskutua mbi masat që do të marrim për të mbështetur veprimin e KQZ në kuadër të realizimit të votimit nga jashtë.