Ministria e Punëve të Brendshme

Konferenca periodike për media e Ministrit të Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari – Video

Mirë se keni ardhur në takimin tonë të radhës, i cili i shërben transparencës lidhur me çfarë është bërë gjatë këtij muaji, por edhe si një mundësi shumë e mirë për ju, për të parashtruar pyetjet me interes, të cilat ju i gjykoni se lidhen me situatën aktuale apo çdo gjë tjetër që mbulon Ministria e Punëve të Brendshme. Por, përpara se të kalojmë në sesionin e pyetjeve, më lejoni të bëj një fotografim të shpejtë të çështjeve kryesore që unë gjykoj se kanë ndodhur gjatë kësaj kohe, por edhe në këndvështrim të atyre prioriteteve që na presin në javët apo muajt në vijim.

Duke nisur së pari me një takim shumë të rëndësishëm pak ditë më parë, ku pata kënaqësinë të mirëprisja në MPB homologun tim italian, zotin Matteo Piantedosi, me të cilin ndamë bashkëpunimin dypalësh mes Shqipërisë dhe Italisë, në nivele të shkëlqyera në kuptim të luftës kundër krimit të organizuar, skuadrave të përbashkëta hetimore, përballimit të sfidave të ndryshme që lidhen si me emigracionin, por edhe me sfida të tjera që kërcënojnë jo vetëm rajonin dhe dy vendet tona, por edhe Bashkimin Europian. Absolutisht, nga autoriteti më i lartë zyrtar në fushën e sigurisë në vendin fqinj, u rikonfirmua se, në fakt, Italia mbetet mbështetësja më e fortë dhe proaktive e Shqipërisë në rrugëtimin tonë europian dhe, patjetër, lidhja jonë me Italinë është sa historike dhe njerëzore, aq edhe shumë e rëndësishme në kuptimin institucional dhe strategjik.

Një çështje e dytë që do doja të përmendja, sigurisht jeni bërë me dije edhe nga zhvillimet, përfshirë edhe vizitën e fundit në Sarandë, ku në kuadër të hetimeve paraprake të Policisë së Shtetit dhe Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, u bë e mundur goditja e një rasti të dyshuar paligjshmërie, ku punonjës të policisë bëhen palë me krimin. Jo vetëm neglizhojnë kryerjen e detyrës me përkushtim, sipas ligjit dhe me nder, por cenojnë edhe interesat kombëtare. E them këtë sepse bregdeti, nga veriu në jug, mbrojtja e territorit është pasuri kombëtare, i përket qytetarëve shqiptarë dhe kushdo që mendon se interesat vetjake mund të heshtohen nga përmasat e një bashkie në kuadër të një çështjeje lokale, e ka shumë gabim. Ky ishte edhe mesazhi që unë ndava dje, krahas nevojës për të pasur një hetim të thelluar mbi përgjegjësinë institucionale të gjithkujt që ka pasur detyrën për të vepruar dhe nuk e ka bërë këtë. Por, nga ana tjetër, është edhe një mesazh për këdo tjetër që llogaritë duhet t’i bëjë mirë me veten, me detyrën dhe me drejtësinë.

Nga ana tjetër, do doja të ndalesha pikërisht më shumë te nevoja për kontrollin mbi mbrojtjen e territorit nga ndërtimet pa leje, ku konkretisht IKMT ka intensifikuar masat për parandalimin dhe goditjen e ndërtimeve pa leje dhe krimeve mjedisore përmes kontrolleve të vazhdueshme në terren, monitorimit të zonave me risk të lartë, si dhe bashkëpunimit me institucionet e tjera. Sigurisht, gjithmonë e më shumë, për të garantuar rritjen e eficiencës së monitorimit, po përdoren teknologji të avancuara, përfshirë dronë, kamera dhe filmime. Kjo jo vetëm për të parandaluar aktivitete të tilla, por edhe për të evidentuar rastet e shkeljes, në mënyrë që të garantohet kurdoherë që ne veprojmë krahas masave administrative, dhe ka pasur plot të tilla. Konkretisht, nga IKMT janë marrë 67 masa administrative, gjoba me një vlerë të konsiderueshme prej 122 milionë lekësh vetëm për një muaj. Sigurisht, nga gjobat ne kurdoherë që është rasti kalojmë edhe në referim dhe përgjegjësi penale, kjo për të treguar se mbrojtja e territorit është prioritet absolut i qeverisë shqiptare, i Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe çdo centimetër katror i Shqipërisë i përket qytetarëve shqiptarë, interesit kombëtar dhe gjithmonë e më shumë, teksa Shqipëria lufton për t’u bërë një vend sa më tërheqës, gjë që e ka dëshmuar vitet e fundit. Nga 2 milionë turistë që kemi pasur vite më parë, kemi arritur në 12 milionë turistë. Kjo po kthehet sigurisht jo vetëm në një imazh më të mirë për vendin tonë, por edhe në një ekonomi më të fortë. Kjo, sigurisht, ekonomia kufizohet edhe nga siguria. Ky ishte edhe mesazhi i ditës së djeshme, ku unë, bashkë me drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, drejtorin e IKMT-së dhe autoritetet vendore, e bëmë shumë të qartë se nuk do të neglizhohet asnjë rast dhe kushdo që tradhton uniformën do të përgjigjet një për një para ligjit.

Nga ana tjetër, i paraprin edhe sezonit turistik, ku konkretisht kemi parë nga viti në vit, nga sezoni në sezon, rritje të fluksit të pushuesve, të cilët vizitojnë gjithmonë e më shumë Shqipërinë dhe bukuritë e saj nga vende të ndryshme të Europës dhe më gjerë. Konkretisht, si Policia e Shtetit, po ashtu edhe strukturat e tjera, kanë marrë masat përkatëse, ku policia ka një rol të rëndësishëm dhe të veçantë, si për garantimin e sigurisë, por edhe të një trajtimi shumë miqësor nga pikat kufitare, ku krijohet perceptimi i parë për vendin tonë, mikpritjen shqiptare, por edhe sigurinë në tërësi në territor për të gjithë ata që vendosin të vizitojnë plazhet e Shqipërisë, zonat malore, qendrat muzeale dhe çdo element tjetër atraktiv që ofron Shqipëria. Kjo konkretisht është shoqëruar me shtim të pranisë policore në zonat turistike, në plazhe dhe zona malore. Do të kemi patrullime të veçanta dhe shërbime 12-orëshe gjatë periudhës 1 korrik – 31 gusht 2026, ngritjen e stacioneve provizore pranë zonave me interes të lartë turistik, konkretisht në Valbonë, Theth, Koman, Tale, Gjirin e Lalëzit dhe Ksamil. Forcimi i kontrollit të trafikut dhe menaxhimi i flukseve në pikat e kontrollit kufitar, si dhe shtimi i sporteleve të përpunimit të pasagjerëve në porte, aeroporte dhe pikat e kalimit kufitar.

Ajo çfarë do doja të theksoja, siç është bërë me dije edhe nga raportime të ndryshme mediatike dhe ndërkombëtare, në fakt Shqipëria gjithmonë e më shumë po spikat me aftësinë e kapaciteteve policore për përpunimin e pasagjerëve që hyjnë në vendin tonë. Kjo është dëshmuar shumë qartë kur koha e hyrjes në kufijtë e Shqipërisë, konkretisht në Rinas, është minimizuar në pak sekonda përmes përdorimit të e-gates, pra portave elektronike. E njëjta gjë do të ndiqet edhe në portat e tjera. Në portin e Durrësit dhe Sarandës ne po punojmë për të prezantuar edhe aty e-gates, në mënyrë që të kemi një lehtësim të procedurave të kontrollit kufitar, sigurisht pa cenuar standardet e sigurisë nga Policia e Shtetit.

Nga ana tjetër, një element tjetër është funksionalizimi i plotë i njësisë policore detare dhe së shpejti do të kemi aktivitete publike edhe për këtë element. Ku sigurisht, forcat e kontrollit kufitar detar do të dëshmojnë kapacitetet e tyre me fokus të veçantë pikërisht plazhet kryesore të Shqipërisë, që gjithmonë e më shumë po vizitohen nga shtetas të ndryshëm të Europës dhe më gjerë.

Një tjetër lajm që vlen të ndahet me ju është pikërisht edhe forcimi më tej i bashkëpunimit me Guardia di Finanza, në kuptim të kontrollit të territorit për sa i përket veprimtarisë së paligjshme të kultivimit të kanabisit. Nga 1 maji 2026 deri më 31 tetor janë planifikuar 200 orë fluturimi, me 20 orë shtesë nga viti i shkuar, ku konkretisht një risi do të jetë se, krahas përdorimit të helikopterit me sensor të dedikuar, do të kemi edhe përdorimin e një avioni të veçantë, i cili do të përcjellë në kohë reale koordinatat e dyshuara. Kjo e kombinuar me aftësinë e policisë për të analizuar situatat, koordinatat me risk dhe ato territore që mund të shfaqin një tendencë kriminale për kultivim të kanabisit. Nga ana tjetër, sigurisht edhe akomodimi i këtyre mjeteve dhe bashkëpunimi me homologët italianë të Guardia di Finanza-s, duke i mbështetur ata si në kuptim të sigurisë, bashkëpunimit operacional, por edhe dislokimit të mjeteve fluturuese pranë Rinasit.

Një tjetër prioritet i rëndësishëm, të gjitha këto mund të përfshihen nën ombrellën e sigurisë publike, një prioritet jashtëzakonisht i rëndësishëm për qytetarët shqiptarë dhe rrjedhimisht edhe prioritet i veçantë i imi si ministër i MPB-së, ka të bëjë pikërisht edhe me masat për sigurinë në shkolla dhe implementimin e zbatimit të projektit “Smart City”, ku konkretisht do të fillojmë së pari me 20-21 shkolla në Tiranë si projekt pilot, për t’u shtrirë më pas në të gjithë territorin e vendit.

Për sa i përket masave për sigurinë në shkolla, është bërë me dije edhe më herët nga DPPSH se janë planifikuar dhe po zbatohen masa të posaçme për parandalimin e incidenteve në mjediset shkollore, duke marrë parasysh dhe rastet e shënuara tragjike të kohëve më parë, dhe këto masa kryesore do të përfshijnë:

– hartimin e analizës së riskut operacional për identifikimin e problematikave dhe orientimin e masave parandaluese sidomos në ato shkolla me fluks të lartë apo që kanë raportuar shqetësime të ndryshme si prindërit por edhe komuniteti i mësuesve;

– zbatimin e Programit “Siguria e të Rinjve”, në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, ky synohet një ndërgjegjësim dhe vetëdijësim më i lartë te të gjithë në komunitet, pasi siguria në shkolla nuk është vetëm detyrë e instancave shtetërore, por e të gjithëve ne, prindërve, komunitetit të mësuesve, vetë nxënësve, të cilët gjithmonë  e më shumë duhet të raportojnë dyshime për incidente të ndryshme apo sjellje antishoqërore. Dhe vetëm atëherë është e mundur që Policia e Shtetit të ndërhyjë menjëherë duke neutralizuar raste të cilat mund të variojnë nga përdorimi i paligjshëm i substancave narkotike, shitja e alkoolit për personat nën moshën e caktuar nga ligji apo edhe elementë të tjerë të cilët përbëjnë kërcënim për shëndetin dhe sigurinë e të miturve në shkolla, si raste pedofilie etj..

Kështu që Policia e Shtetit është në alert, ka një plan konkret masash për këtë dhe aktualisht që po flasim po kryen kontrolle të veçanta në mjedise shkollash të ndryshme pikërisht për të garantuar që nuk do të kemi raste, kjo bazuar edhe në indicjet që ata kanë në mënyrë operative nga prindër të  shqetësuar apo çdo pjesëtar tjetër i komunitetit, i cili në fakt veçse i bën një shërbim të madh vendit, të miturve, mbrojtjes së jetës dhe shëndetit të tyre.

E shfrytëzoj këtë mundësi me ju, për të bërë një apel për të gjithë qytetarët që të bashkëpunojnë më shumë me Policinë e Shtetit sidomos kur flitet për sigurinë në shkolla, të raportojnë çdo rast që ata e shikojnë të dyshimtë dhe i takon Policisë së Shtetit më pas ta ndjekur në vijim. Ajo që unë e shoh të rëndësishme është të parandalojmë raste të tilla.

Këtu përfshihet edhe rëndësia që kanë oficerët e sigurisë në shkolla. Gjithmonë e më shumë po bashkëpunojmë me MASH për të garantuar se kemi kapacitetet e duhura parandaluese, ku në mjediset e shkollave, siç e dini, janë të dislokuar oficerët e sigurisë në shkolla. Aktualisht kemi 330 efektivë të tillë të cilët bashkëpunojnë në baza ditore me PSH, por gjithmonë e më shumë ne synojmë të rrisim jo vetëm numrin por edhe trajtimin e tyre dhe nivelin e bashkëpunimit me policinë.

Në lidhje me “Smart City”, jemi në fazën e koordinimit me zbatuesit e këtij projekti, i cili është një projekt që ndryshon faqen e historisë së sigurisë në Shqipëri në kuptimin e parandalimit, e kapaciteteve teknologjike. Dhe përdorimi i teknologjisë përmes “AI” mundëson që shfrytëzimi i kapaciteteve ekzistuese, kudo që ka kamera në shkollat që ne flasim, por edhe shtimi i mbikëqyrjes elektronike në rrugë, sheshe, zona me frekuencë të lartë të qytetarëve, kjo veçse ndihmon duke përdorur avantazhin që sjell teknologjia e lartë dhe kryesisht programi i tyre softuerik “AI”, i cili jep sinjalet e duhura kurdoherë që krijon imazhe, përshtypje që mund të ketë nxënës i cili disponon një mjet prerës me vete, apo dikush që sillet në mënyrë të papërgjegjshme dhe të rrezikshme në drejtim të mjetit. Pra për të gjithë këto elementë, softueri është i programuar në mënyrë të tillë që të sinjalizojë në kohë reale policinë në mënyrë që të ndërhyhet menjëherë.

Brenda vitit të ardhshëm arsimor ne do të kemi zbatimin e këtij projekti në 20-21 shkolla në Tiranë dhe jam shumë i bindur që produktet do të jenë shumë të dobishme për komunitetin, prindërit, vetë nxënësit në radhë të parë në mënyrë që të vijojmë më tej për shtrirjen e këtij projekti edhe në nivel kombëtar.

Së fundmi, por jo për nga rëndësia është edhe plani i masave për parandalimin dhe mbrojtjen nga zjarret. Gjatë sezonit të verës kemi një shtim të rasteve të zjarrvënieve duke përfshirë për fat të keq edhe zjarrvënien e qëllimshme.

Ministria e Punëve të Brendshme ka hartuar një plan masash ku rolin kryesor e DPMZSH, kjo në koordinim të plotë me AKMC dhe autoritetet vendore ku sigurisht infrastruktura në nivel vendor do të kontrollohen nga bashkitë, por kjo  nuk do të thotë se secili e ka punën e ndarë. Kjo është një punë dhe shqetësim i përbashkët.

Në fokus të këtij plani mbetet parandalimi i rasteve të zjarreve, rritja e gatishmërisë operacionale të gjithë hallkave që përmenda më herët, mbrojtja e jetës, pronës dhe mjedisit. Dhe kur flasim për mbrojtjen, si të qytetarëve, po ashtu edhe të efektivëve të cilët angazhohen në fikjen e zjarreve dhe për këtë kemi një angazhim të shtuar me autoritetet vendore, krahas ndërhyrjeve që ne po bëjmë në kuadrin rregullator, për trajtimin më të mira financiar të zjarrfikësve duke kaluar së shpejti në qeveri dhe vendimin për mbulimin e trajtimin financiar sa u përket orëve shtesë, ditëve të pushimit, të festave etj., dhe rregullimin, normimin në kuptim të një statusi më të mirë sa i përket sistemit të gradave në shërbimin zjarrfikës.

Nga ana tjetër kemi kontrolle që po zhvillohen e do të zhvillohen në vijim në resorte, bare, restorante, në ambjente akomodimi që kanë një fluks të shtuar të qytetarëve pikërisht për të garantuar zbatimin e masave ndaj zjarreve dhe kanë funksionale edhe planet e evakuimit.

Ditët në vijim do të bëheni me dije për operacione të tilla që garantojnë pikërisht një turizëm cilësor që kushdo që vjen në Shqipëri, të ndihet i sigurt që nga hyrja në territorin shqiptar, nga patrullimet në rrugë, vizitat që bëhen në ambjente të ndryshme, përfshirë mjediset piktoreske në male etj., por edhe qëndrimin gjatë natës së pushimit në ambientet kudo që zgjedh të qëndrojë. Këto janë masat kryesore që po ndjekim aktualisht dhe jam i hapur për pyetjet tuaja. Faleminderit.

PYETJE – PËRGJIGJE

Esido Barkaj (Vizion Plus): Në lidhje me aksionin e Policisë së Shtetit, dhe të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, një aksion në fakt i cili u duhet përgëzuar qoftë për Policinë e Shtetit, por dhe për AMP-në, ku u arrestua në detyrë shefi i komisariatit për ndërtime pa leje. Janë evidentuar disa raste në qytetin e Sarandës dhe jo vetëm, por dhe në zonën e Ksamilit, ku të paktën është vërtetuar se nga ajo çka u raportua zyrtarisht, që policia vendore kishte bërë një sy ose dhe “të dy sytë qorr” duke mos parë informalitetin. Pritet që ky aksion të shtrihet dhe në qytetet e tjera, sa i takon ndërtimeve pa leje dhe a ka sinjale për qytetet e tjera, kryesisht të paktën bregdetare aq më tepër që jemi në prag të sezonit turistik? Pra do të ketë dhe aksione të tjera sa i takon këtyre niveleve?

Dhe pyetja e dytë është për helmimin e 56 studentëve të Akademisë së Sigurisë. Çuditërisht patëm, le të themi një reagim dje nga AKU, cila tha që i është kthyer leja e punës. Pra është zhblllokuar, le të themi kompania SORI-Al, administratore Alma Tafani, e cila para disa ditësh u shpall në kërkim nga Policia e Tiranës. Por nga ana tjetër kemi të bëjmë me një tender i cili është fituar në vitin 2025, nga Alma Tafani, SORI-AL, me një kontratë 36 mujore në vlerën 2.7 milion euro. Pra, kontratë e cila duhet të sigurojë ushqimin për studentët e Akademisë. Do rishikohet kjo kontratë, do të prishet këto kontratë aq më tepër kur kemi të bëjmë dhe me rrezikimin e shëndetit të studentëve?

Ministri Lamallari: Në fakt për pyetjen e parë do të thoja: Përgjigja është Po. Mesazhi ishte i qartë ditën e djeshme, ku bëra me dije të gjithë pjesëmarrësit aty, se  sigurisht përgjegjësia është individuale. Kushdo që bën llogaritë, për interesa që i përkasin ekonomisë shqiptare dhe të ardhurave të çdo shqiptari, dhe kjo vlen jo vetëm për Sarandën, e theksova dhe ditën e ndjeshme, kjo vlen për çdo cep të bregdetit shqiptar, ku është ndër gjërat më të shtrenjta dhe të shenjta që ne kemi, të cilin duhet ta mbrojmë me çdo kusht.  Dhe kjo nënkupton padyshim, të njëjtën vigjilencë sipas ligjit, për të garantuar një mjedis të sigurt dhe qetë të ushtrimit të detyrës nga çdo instancë tjetër. Kjo është arsyeja se pse ne vijuam menjëherë me marrjen e masave dhe më pas çuarjen, përpara drejtësisë dhe më vjen mirë që Gjykata vendosi për dy personal me rol më të drejtpërdrejtë, arrest në burg. Nuk mund të them që operacione të tilla dhe aksione të tilla do të vijojnë, sepse nuk më takon mua, por pa dshim nëse do të ketë raste, të jeni të sigurt që reagimi do të jetë, pa kompromis i menjëhershëm.

Lidhur me pyetjen e dytë, do të thosha që ka patur një komunikim publik edhe nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, i cili është instanca përgjegjëse sipas ligjit për të bërë verifikimet përkatëse. Në mënyrë të përmbledhur do të thosha që nga 9 mostra që ata kanë marrë, kanë analizuar, 8 prej tyre kanë rezultuar brenda normave dhe një kishte rezultuar me prani të stafilokokut dhe Escherichia coli. Është lokalizuar ky mjedis, është dezinfektuar kështu që rrjedhimisht, ka filluar ka vijuar aktiviteti normalisht, pra për t’ju rikthyer normalitetit në ofrimin e shërbimit të ushqimit për studentët dhe nuk kemi raste problematike tani që flasim.

Besar Bajraktar (Klan News): Z. Ministër gjatë fjalës tuaj hyrëse, ju deklaruat dhe përmendet fjalën e Ministrit të Brendshëm, kolegut Italian Matteo Piantedosi, dhe përmendët marrëdhënien e shkëlqyer me Italinë dhe mbështetjen e shtetit italian. Së fundi, nga ana e shtetit italian, është duke u rishikuar plani dhe është duke u hartuar, një plan i ri për sa i përket funksionalitetit të qendrës të kampit Gjadrit, dhe gjatë kësaj kohe, gjatë vizitës por dhe përtej vizitës të Matteo Piantedosit, ka patur komunikime nga ana juaj sa i përket funksionalitetit të kësaj qendre, për ta kthyer në qendër strehimi dhe jo riatdhesimi, siç ka funksionuar më herët në disa raste të paktën, dhe tashmë është bosh?

Ministri Lamallari: Jo, nuk ka patur një diskutim të tillë. Përkundrazi, thjesht kemi folur për bashkëpunimin në nivel partneriteti strategjik. E përmenda dhe më herët, lufta kundër krimit të organizuar, kundër trafiqeve, përfshirë trafikun e drogës, apo lufta për përballimin e emigracionit të paligjshëm. Sigurisht, Shqipëria i qëndron pranë Italisë në përballimin e sfidave që ajo ka hasur në emigracionin e paligjshëm. Kjo ka qenë një vendimmarrje e qartë e qeverisë shqiptare. Mbetemi të angazhuar në këtë drejtim. Ashtu siç kemi pasur, unë e përmenda më herët mbështetjen që Italia na ka dhënë, në përballimin e fenomeneve të caktuara, si lufta kundër kultivimit të paligjshëm të kanabisit, ashtu edhe ne si popull  mik, kemi detyrimin për t’iu gjendur pranë Italisë në përballimin e sfidave të cilat sigurisht mendoj që janë një mesazh pozitiv i bashkëpunimit dypalësh, dhe për sigurinë më gjerë të rajonit dhe të BE. Kështu që Shqipëria absolutisht nga vend, i cili dikur vetëm importonte zgjidhje nga partnerët, sot Shqipëria është kontributor i sigurisë rajonale dhe më gjerë, dhe kjo e bën dhe më të besueshme dhe në raport me negociatat me BE.

Dorjana Bezat (Top Channel): Z. Lamallari unë dua më shumë informacion për projektin “Smart City”. Ku dhe kur do të nisë implementimi i këtij projekti të madh për Shqipërinë në terren?

Ministri Lamallari: Në fakt unë përmenda më herët, duke qenë se siguria në shkolla është prioritet i qeverisë shqiptare, kryeministri  e ka bërë me dije, se kur bëhet fjalë për të vegjlit tanë, të cilët janë në shkolla , është një prioritet absolut dhe rrjedhimisht, dhe një detyrë e imja personale dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme, për të garantuar zbatimin në kohë sa më të shpejtë të mundshëm, dhe fillimin e vitit të ri arsimor me mbikëqyrjen e posaçme në mjediset publike pa cenuar sigurisht privatësinë e nxënësve në ambiente si tualete, etj. Sigurrisht, ne me të drejtë kemi adresuar dhe shqetësimet e komunitetit të prindërve, kemi qenë në komunikim të vazhdueshëm me Komisionerin për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, por ajo çfarë është më e rëndësishme është siguria dhe shmangia e rasteve tragjike, që kanë ndodhur në të shkuarën, dhe ushtrimi në mënyrë të qetë i aktivitetit mësimor nga nxënësit, ku edhe prindërit duhet të jenë të qetë që gjatë kohës kur fëmija është jashtë ambientit të familjes dhe po ndjek mësimet, të jetë i sigurt dhe pa u merakosur se çfarë mund t’i ndodhë fëmijës.

Kjo është e para, për sa i përket termave kohorë, do të thoja këto dy muaj që flasim, po bëhet një punë shumë e mirë, dhe unë besoj shpejt do të kemi realizimin dhe përfundimin. Në momentin kur shkollat shkojnë live, mund të komunikojnë me qendrën e monitorimit, dhe i mundësojnë softuerit, t’i japë të shpjeta Policisë, pra nuk regjistrohen të gjitha të dhënat. Mbrohen të dhëna, përpunohen aksesohen, konform ligjit që kemi miratuar së fundmi në harmonizim të plotë, të GDPR, të regullores për mbrojtjen e të dhënave personale. Ajo çfarë është risi këtu, dhe dua ta ndaj me publikun, sistemi i Inteligjencës Artificiale që përdor Smart City, duke jo thjesht u mjaftuar me kamerat ekzistuese, të cilat monitorojnë dhe tani që flasim por nuk kemi kapacitet fizike, për të monitoruar në kohë reale gjithçka që ndodh. Ajo cfarë bën sistemi është që zëvendëson aspektin njerëzor, duke shkëputur ato imazhe që do ishin me interes për Policinë, në kuptim të parandalimit apo të hetimit të ngjarjeve kur ato ndodhin, në mënryë që të reagohet sa më shpejt nga ana e Policisë.  Pra, kjo është risia që prezantohet për herë të parë në vendin tonë, dhe jam i bindur që shumë shpejt do jetë i zbatueshëm. Viti i ri shkollor do të na gjejë me këto shkolla fillimisht, dhe përfitime akoma më të më të mëdha për sigurinë publike në tërësi, për sheshet për ambientet ku ka frekuencë të lartë të qytetarëve të turistëve, por dhe sigurisht të uljes së aksidenteve rrugore. Kjo nga ana tjetër shmang dhe kontaktin e shpeshtë mes punonjësve të policisë dhe drejtuesve të mjeteve, e cila sigurisht në raste të ndryshme kemi konfirmuar që përbën shkak për sjellje të pahijshme dhe akte korruptive. Çdokush që punon në fushën e sigurisë, ju e dini shumë mirë që ndonjë herë hallka më e dobët është njeriu, kështu që ne do shfrytëzojmë maksimalisht kapacitetet e teknologjisë në funksion të plotë të parandalimit dhe ushtrimit të Policisë së Shtetit.

Sara Demushi (Euronews): Pak më parë, ju bëtë me dije dhe masat për sezonin turistik. A ka një strategji të re Policia e Shtetit, sa i përket mënyrës së parandalimit të ngjarjeve kriminale apo edhe aksidenteve gjatë sezonit? Pasi, sa i përket statistikave, muaji gusht tregon se kemi më shumë ngjarje kriminale e po ashtu edhe më shumë aksidente.

Ndërkohë sa i përket pyetjes së dytë, ju jeni shprehur më herët se dy apo tre punonjës polic të inkriminuar, nuk e prishin imazhin e Policisë apo edhe të shtetit. Vetëm gjatë ditëve të fundit kemi disa punonjës të arrestuar, si rasti i Sarandës. Pak ditë më parë një punonjës i plagosur teksa ishte në shoqërinë e një personi, që kishte thyer edhe masën e sigurisë “arrest në shtëpi”. Çfarë komenti keni për këtë?

Ministri Lamallari: Lidhur me pyetjen e parë, sigurisht ka masa të shtuara përsa i përket sigurisë në tërësi, nga Policia e Shtetit, përmes evidentimit të përgjegjësive përkatëse të çdo instance, nevojës për shtimin e pranisë policore në zona të caktuara, masave të karakterit operativ për ndarjen e koordinuar të informacionit, inteligjencës policore, reagimin e menjëhershëm, të strukturave të posaçme të Policisë, sidomos kur bëhet fjalë për persona me rrezikshmëri të shtuar dhe kjo përfshin dhe për sa i përket uljes së numrit të aksidenteve rrugore. Gjithmonë e më shumë, ne duhet të kalojmë tek përdorimi i avantazheve që ofron teknologjia. Nuk është qëllim në vetvete ndëshkimi i rasteve, i drejtuesve të mjeteve. Së pari vjen ndërgjegjësimi, së dyti sigurisht vjen komunikimi, këshillimi nga punonjësit e Policisë, me drejtuesit e mjeteve, në rastet kur shkeljet janë të lehta. Patjetër, nuk ka kompromis me shkelje të rënda apo sjellje të papërgjegjshme në drejtim të mjetit, duke u bërë burim dhe shkaktar aksidentesh. Kjo nënkupton që gjithmonë e më shumë, ne do të përdorim teknologjinë duke përfshirë dhe projektin Smart City, i cili jam i bindur që unë e thashë edhe më herët do jetë një faqe e re në historinë e sigurisë në Shqipëri, në vendin tonë. Ndër përfitimet kryesore, do të shënohen pikërisht edhe në sigurinë rrugore.

Lidhur me pyetjen e dytë, përgjegjësia është gjithmonë individuale. Ajo çfarë është e rëndësishme është reagimi ynë, që do të thotë, nga Ministri i Punëve të Brendshme, që nuk bën kompromis në çfarëdolloj rasti, edhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, i cili ndjek gjithë procedurat, pa humbur kohë, si për verifikimin në kuptimin administrativ të përgjegjësisë po ashtu kur është rasti dhe për referimin penal. Patjetër, çdo punonjës policie, si çdo qytetar i vendit, ka përgjegjësi individuale përpara ligjit dhe duhet të përgjigjet për të. Do të ishte e padrejtë të themi që “shkrihet” një komisariat, sepse një komisariat ka mbi 100 punonjës policie, efektivë policie. Dhe unë ditën e djeshme isha aty edhe për të mbështetur pikërisht ata punonjës policie, të cilët nuk bëhen palë dhe distancohen nga kolegët e tyre, të cilët sigurisht kanë mbyllur sytë dhe duhet të përgjigjen para ligjit. Por Policia përfshin rreth 12.000 burra dhe gra në uniformë dhe jo të gjithë janë shkelës apo symbyllës të ligjit, përkundrazi, ato duhen përgëzuar, duhen mbështetur gjithmonë më shumë për punën që bëjnë dhe shërbimin ndaj vendit dhe qytetarëve. Faleminderit!

Sokol Dema (Report TV): Zoti Ministër, unë dua të ngre dy çështje në fakt, e para, nuk dua të shkëputem edhe njëherë nga ndërtimet pa leje. Ju përmendët që mund të ketë aksione në vijim, përmendët që nuk do të ketë tolerime. Megjithatë çfarë ndodh? Pse ngrihen katet? Pra shohim kate, dy-tre kate pa leje, dhe ata nuk ndërtohen brenda një nate apo brenda një jave. Kemi patur ndërtime pa leje, që mund të jenë ndërtuar që dy apo tre vite më përpara dhe janë konstatuar vetëm sot. Çfarë ndodh me institucionet përgjegjëse, qoftë Policia, IMT-ja, Policia Bashkiake, IKMT-ja, që kanë për detyrë për të kontrolluar. Pse duhet të ndërtohen këto godina dhe më pas të kuptohet që janë pa leje?

Dhe e dyta, ka më shumë se dy javë që Policia e Shtetit ka një komunikim të ri me me median. Në optikën tonë, të paktën të ditëve të fundit, ne kemi kuptuar që komunikimi i ri ka disa ngërçe të mënyrës se si raportohen disa ngjarje. Për të shkuar tek një shembull konkret, ditën e shtunë ka patur një komunikim zyrtar të Policisë, i cili shpërndan informacionet vetëm si statistika, por ndërkohë vetëm një ditë më parë ne kemi arritur të kuptojmë përmes portaleve që në fakt ishte mashtruar me emrin e kryeministrit Edi Rama. Ju mendoni që nuk përbën lajm për media një informacion i tillë dhe si do të vijohet? Do të ketë një rikthim tek qasja që ka qenë më përpara me komunikimin me median? Faleminderit.

Ministri Lamallari: Faleminderit Sokol! Në fakt, lidhur me pyetjen e parë, do të thoja që pikërisht aksioni, operacioni në Sarandë tregoi që kushdo që mbyll sytë ndaj paligjshmërisë apo edhe më keq akoma bëhet njësh me krimin, ka përgjegjësi të qarta, pa kompromis. Nuk i ka më thjesht me vendin e punës, i ka me drejtësinë. Kjo vlen për çdo punonjës policie dhe jo vetëm, dhe nga ana tjetër tjetër kurdoherë që konstatohen raste. Unë jo më kot zgjodha të ndaj vetëm të dhënat për muajin prill. Janë 67 masa administrative në një vlerë të konsiderueshme, 122 milion lekë dhe kjo do të vijojë nga muaji në muaj. Pra gjoba, si masa e parë për këdo që shkel ligjin, neglizhon zbatimin gërmë për gërmë të ligjit, sidomos kur bëhet fjalë për mbrojtjen e territorit në zonën me interes të lartë kombëtar, turistik, malor, etj., dhe si masë e dytë patjetër dhe referimi në organet e përkatëse të drejtësisë, prokurori dhe gjykatë. Kështu që këtu nuk ka fare kompromis. Ne tashmë, gjithmonë e më shumë kemi treguar, se ashtu siç na besojnë turistët për të vizituar vendin tonë, ashtu edhe ne kemi detyrimin për të zbatuar ligjin gërmë për gërmë. Nuk diskutohet: Gjobë, referim penal përgjegjësi përpara drejtësisë kushdo, qoftë abuzues, qoftë punonjës së shtetit, që ka për detyrë t’i ndalojë ata.

Lidhur me pyetjen e dytë, është shumë e rëndësishme që qytetarët të mos bombardohen me informacion të panevojshëm, sepse kjo është një mënyrë dezinformimi. Ajo çfarë është e rëndësishme, është të jepet informacion korrekt, në kontekstin ku ndodh ngjarja edhe aq sa i takon çdokujt. Që do të thotë, për sa kohë vetë Miinistri i Punëve të Brendshme nuk informohet dhe as nuk ka interes, sepse kështu e përcakton ligji për çështje operacionale, edhe Policia nuk mund të ndajë informacione të natyrës, aq më tepër operacionet që zhvillohen. Pra duhet të jenë shumë të kujdesshëm në ndarjen e informacionit si në respektimin dhe mbrojtjen e të dhënave personale të personit të dyshuar, po ashtu dhe në të dhëna të tjera, të cilat mund të dëmtojnë hetimin. Pra komunikimi i shërben transparencës, përmes rritjes së cilësisë së raportimit. Siç Ministri i Punëve të Brendshme organizon konferenca mujore, për të ndarë informacion dhe për t’iu përgjigjur çdo pyetje të mundshme nga gazetarët, për aq sa më takon dhe për aq sa kam informacion, sipas ligjit, edhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, ju e keni parë, ka patur komunikime të tilla, jo më larg se ditën e djeshme. Gjithashtu, ai ndau masat që Policia e Shtetit ka marrë dhe do të marrë në vijim, përsa i përket mbrojtjes së territorit dhe ndëshkimit të çdo punonjësi Policie, i cili tradhton uniformën.

Flutura Tota (RTSH): Unë doja t’ju pyesja, pasi në opinionin publik janë artikuluar disa shqetësime, sa i përket shkeljes së privatësisë dhe keqpërdorimit të të dhënave, përmes projektit të Smart City. Pyetja e dytë lidhet me sigurinë në shkolla. Kontrolli i Lartë i Shtetit ka bërë disa referime sa i përket efiçencës së oficerëve të sigurisë në shkolla, ku ndër të tjera thuhet se ata nuk lejohen që të raportojnë për rastet e incidenteve ë ndoshta pasi dëmtojnë performancën në thonjëza të drejtuesve të shkollave. A keni kërkuar ju nga Ministria e Arsimit më shumë kompetenca, sa i përket oficerëve të sigurisë dhe më shumë mbështetje për këta të fundit? Faleminderit!

Ministri Lamallari: Për sa i përket mbrojtjes së të dhënave, sqarova më herët që 3 komponentë kyçë, që do të ishin shqetësim në kuptim të zbatimit të ligjit, që kanë të bëjnë pikërisht me ruajtjen e dhënave. Absolutisht ato do të ruhen sipas afateve ligjore të përcaktuara në ligj. Pra, siç ruhen dhe aktualisht në shkollat kudo që ka kamera. 90 ditë maksimumi do të jetë në rastet e imazheve, që duhet të përpunohen nga Policia e Shtetit, pra imazheve, jo gjithë filmimet, ato që përbëjnë interes në kuptim të parandalimit, dhe pas kalimit të këtij afati siç e përcakton ligji, ato duhen shkatërruar. Nga ana tjetër është elementi i përpunimit. Nuk ka përpunim të dhënash këtu. Këtu ka vetëm, evidencim, i atij momenti, imazhi, i cili do të ishte me rëndësi, pra sipas vlerësimit të softuerit të Inteligjencës Artificiale, do ishte me interes për Policinë në kuptim të parandalimit, ndërhyrjes menjëherë dhe çuarjes në mjedisin shkollor të një patrulle policie.

Lidhur me oficerët e sigurisë në shkolla, unë së fundmi së bashku me kolegen time, Ministren e Arsimit, kemi diskutuar pikërisht për rëndësinë e veçantë që kanë oficerë e sigurisë në shkolla, jo vetëm në kuptim të shtimit të numrave. Ajo çfarë është diskutuar është edhe ngritja e një grupi pune për rishikimin e kuadrit rregullator dhe forcimin e kapaciteteve të oficerëve të sigurisë në shkolla, si në kuptim të trajnimit tyre, por edhe ndërveprimit me Policinë dhe aktorët vendorë. Patjetër ata kanë bërë një punë shumë të mirë në shkolla, sidomos me pjesëmarrje të lartë të nxënësve. Oficerët e sigurisë në shkolla janë shumë të dobishëm, por ata bashkëpunojnë edhe me psikologun, i cili duhet të referojë raste, shqetësime, sjellje të shqetësuese që mund të vijnë nga nxënësit apo me stafin pedagogjik, por edhe me personat të cilët, janë dhe vihen në dijeni të sjelljeve, të cilat mund të jenë me interes për oficerin e sigurisë së shkollave apo edhe me punonjësin e policisë. Kështu që patjetër ka një punë që po bëhet. Krahas 330 oficerëve aktiv nga 392 të miratuar, ne po punojmë pikërisht në këtë drejtim, për të rritur kapacitetet e oficerëve të sigurisë në shkolla dhe bashkëpunimi i tyre me Policinë.

Xhensila Kodra (News 24): Kam tre pyetje. E para lidhet me qarkun e Sarandës, aty ku mori vëmendje për shkak të emrave dhe pozicioneve të të arrestuarve, si shefi i komisariatit. A është vetëm Policia e Shtetit përgjegjëse për ndërtimet pa leje nëse nuk konstatohen, nëse mbyllet një apo të dy sytë? Ku është roli i IKMT-së? Nuk kemi parë punonjës që ka të drejtë për mbrojtjen apo kontrollin e territorit.

Pse jeni tërhequr nga ligji për Gardën e Republikës?

E treta ka të bëjë me amnistinë penale. Kur ishit ministër i Drejtësisë e njoftuat këtë nismë dhe deri më tani nuk ka një vendimmarrje, që do të thotë se pjesa më e madhe që do të përfitojë nga kjo amnisti janë ende në pritje. Për ju, si anëtar i kabinetit, pse ka ngecur kjo çështje?

Ministri Lamallari: Lidhur me pyetjen e parë, nuk është vetëm Policia e Shtetit përgjegjëse. Sigurisht, ne morëm masa të menjëhershme për përgjegjësinë e shtuar që ka Policia e Shtetit për të garantuar zbatimin e ligjit, sigurinë dhe ushtrimin e drejtë të detyrës nga çdo punonjës i saj. Por mbrojtja e territorit është çështje dhe përgjegjësi e përbashkët e IKMT-së, IMT-së dhe Policisë Bashkiake. Secila instancë duhet të bëjë analizën e vet. I kam kërkuar drejtuesit të IKMT-së të bëjë pikërisht këtë vlerësim për sa i përket përgjegjësive që ka pasur IKMT në nivel vendor. Edhe në takimin që pata me kryetarin e bashkisë, ndamë të njëjtin shqetësim sa i përket rolit të instancave vendore. Kjo vlen për çdo bashki të vendit.

Së dyti, dua të saktësoj këtu që nuk ka qenë nismë e Ministrisë së Punëve të Brendshme drafti për Gardën e Republikës. Përkundrazi, me nismë deputeti, kam ndjekur me interes edhe diskutimet që janë zhvilluar nga deputetë të grupit parlamentar socialist. Unë besoj fort se të gjitha diskutimet i shërbejnë përmirësimit të cilësisë së draftit të paraqitur fillimisht dhe mendoj se është çështje kohe deri sa të miratohet ai draft.

Sa i përket amnistisë penale, po, është e vërtetë që unë kam qenë nismëtar gjatë kohës që drejtoja Ministrinë e Drejtësisë për amnistinë penale dhe isha shumë i lumtur që ai draft gjeti mbështetjen e qeverisë duke u miratuar. Në këtë kuptim, u përmbush ai angazhimi im dhe i qeverisë ndaj atyre përfituesve dhe janë rreth mijëra persona që përfitojnë, qoftë përmes shuarjes së ndjekjes penale, shërbimit të provës e të tjerë. Unë uroj që Parlamenti ta kalojë sa më shpejt këtë draft, në mënyrë që përfitimi real i shumë qytetarëve që janë si në paraburgim, si në shërbim prove e të tjera, të realizohet nga dispozitat e draftit. Vetëm kaq mund të them për momentin, por unë besoj se kjo ka qenë një nga nismat për të cilat jam ndjerë krenar dhe qeveria shqiptare e ka miratuar këtë draft.

Besar Bajraktar (Klan News): Për sa i takon Ligjit për Policinë e Shtetit, ka një iniciativë nga ana juaj, për të patur ndryshime në ligj? Disa prej drejtuesve, janë në përfundim të mandatit. A do të ketë një hapje të konkursit, pikërisht për të zëvendësuar drejtuesit në departamentet e rëndësishme të Policisë së Shtetit?

Ministri Lamallari: Lidhur me ndryshimet në ligjin e Policisë së Shtetit, ka pasur interes dhe diskutime nga deputetë të grupit parlamentar socialist, dhe të gjitha këto në funksion të përmirësimit ë të aspektit ligjor, të funksionimit të Policisë së Shtetit, e gjitha e përmbledhur, në drejtim të rritjes së performancës, të qenit më operativ dhe kontrollues, ku secili ka përgjegjësi të caktuara dhe monitorohet për performancën e tij dhe elementë të tjerë. Nga diskutimet që janë bërë dhe më janë përcjellë dhe nga deputetët të ndryshëm, gjykoj se meritojnë vëmendje dhe kanë interes, dhe do të ishin në mbështetje të punës së Policisë së Shtetit.

Lidhur me çështjen e dytë, e cila lidhet gjithashtu patjetër dhe me këtë diskutim. Patjetër është korrekte ajo që e thoni. Në përfundim të mandatit siç e përcakton ligji aktual, ne do të vijojmë pa humbur kohë me hapjen e vendeve vakancave për drejtuesit e departamenteve, sipas rastit. Ky do të jetë absolutisht një proces shumë transparent, korrekt edhe sipas përcaktimeve ligjore, për zgjedhjen e drejtuesve të departamenteve. Ju është bërë me dije kohët e fundit, se është rikthyer në Policinë e Shtetit, ish-drejtuesja e Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe kjo ka qenë dhe urdhri i Ministrit të Punëve të Brendshme, për besimin e përgjegjësisë, ushtrimit të përgjegjësisë, në kontroll të departamentit të IT-së, teknologjisë së informacionit në Policinë e Shtetit, dhe do të vijojmë menjëherë më pas, rast pas rasti, kurdo herë që mbaron mandati i drejtuesve aktual të departamenteve me çeljen e procedurave për plotësimin e vakancave.