Ministria e Punëve të Brendshme

Tiranë – Komisioni për Njohjen e Pakicave Kombëtare zhvilloi mbledhjen e parë për vitin 2026, duke rikonfirmuar angazhimin e tij të qëndrueshëm për zbatimin e standardeve ligjore dhe forcimin e mekanizmave që garantojnë mbrojtjen dhe respektimin e të drejtave të pakicave kombëtare në Republikën e Shqipërisë. Gjatë kësaj mbledhjeje, Komisioni shqyrtoi një numër të konsiderueshëm kërkesash për vetidentifikim të paraqitura gjatë muajve të parë të vitit, duke marrë në total 119 vendime për konfirmimin e vetidentifikimit në një pakicë kombëtare.

Në qendër të diskutimeve ishin gjithashtu çështje, që lidhen me mënyrën e paraqitjes dhe administrimit të formularëve të vetidentifikimit, me synim rritjen e transparencës, unifikimin e praktikave administrative dhe garantimin e një procesi të qartë, të drejtë dhe të aksesueshëm për të gjithë shtetasit që kërkojnë të vetidentifikohen në një pakicë kombëtare të caktuar.

Në mbledhje ishte i pranishëm, në cilësinë e vëzhguesit, edhe një përfaqësues i Avokati i Popullit, në funksion të ndjekjes së procesit, pa ndërhyrë në vendimmarrjen e Komisionit.

Komisioni për Njohjen e Pakicave Kombëtare do të intensifikojë përpjekjet për përmirësimin e mëtejshëm të veprimtarisë së tij. Në bashkëpunim me Këshillin e Europës (KiE) janë planifikuar të zhvillohen 3 tryeza diskutimi gjatë muajit mars në Kukës, Korçë dhe Dropull, me organizatat e shoqërisë civile dhe përfaqësues të pakicave kombëtare.

Gjatë këtyre tryezave do të prezantohen fletëpalosja dhe udhëzuesit mbi procesin e vetidentifikimit si pakicë kombëtare, si dhe do të realizohet një prezantim i detajuar i rolit, funksioneve dhe procedurave të Komisionit për Njohjen e Pakicave Kombëtare.