Ministria e Punëve të Brendshme

Kuvend – Ministrja e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu u përball sot në interpelancë me deputetin Agron Shehaj, lidhur me operacionin e gjerë të rikthimit të ligjshmërisë në territor. Në një fjalë të detajuar, ministrja bëri paraqitje të plotë të masave të ndërmarra, të procedurave të ndjekura dhe të rezultateve të operacionit, duke theksuar qasjen e qeverisë për mbrojtjen e territorit si një nga prioritetet kryesore të shtetit. Ministrja Koçiu u shpreh se është e pazakontë që në një parlament europian t’i kërkohet llogari qeverisë pse po prish ndërtime të paligjshme, duke nënvizuar se për vite me radhë Shqipëria u dëmtua nga ndërtimet pa kriter që u shndërruan në një plagë të shoqërisë. Ajo vuri në dukje se vizionet politike për territorin ndajnë qartë të shkuarën nga e ardhmja: një qasje e vjetër që nxit betonizimin e pakontrolluar dhe një vizion i ri që synon zhvillimin e qëndrueshëm, turizmin dhe respektimin e pasurive natyrore. Duke iu referuar akuzave se prishjet janë selektive apo të motivuara politikisht, ministrja i cilësoi këto pretendime si “thriller politik”, duke theksuar se kriteret janë transparente, të njëjta për të gjithë dhe të bazuara rreptësisht në ligj. Ajo bëri të ditur se të gjitha ndërhyrjet në territor janë zhvilluar pas një procesi të qartë: evidentim në terren, verifikim të dokumentacionit, vendim për masat administrative, njoftim të pronarëve dhe ekzekutim të prishjes aty ku shkeljet janë flagrante. Ministrja Koçiu paraqiti të dhënat e plota të operacionit kombëtar, duke theksuar se në zonat me vlerë të lartë turistike toleranca ka qenë zero.

Interpelanca e plotë e ministres së Punëve të Brendshme, Albana Koçiu në Kuvend:

E nderuar drejtuese e seancës,

Të nderuar deputetë,

I nderuar z. Shehaj, kërkuesi i kësaj interpelance,

Në fakt më vjen mirë dhe unë nuk e kam aspak problem që po përballemi sërish bashkë. Nuk më intimidon kjo gjë, përkundrazi, shumë mirë të përballemi dhe të diskutojmë për gjëra që vlejnë dhe ashtu siç kundër e ngritët dhe ju  për shqetësime të qytetarëve dhe ku më mirë sesa për një plagë të shoqërisë sonë do të thoja, të Shqipërisë tonë që s’ka të madh e të vogël që në këtë vend që nuk e di kush i ka hapur ndërtimet e paligjshme, ndërtimet pa kriter, vend e pa vend dhe duke i bërë kështu Shqipërisë një dhuratë shumë të shëmtuar në çdo pëllëmbë të saj.

Patjetër që ndoshta dhe pikërisht territori është ai që mbase më mirë se çdo gjë tjetër ndan dy vizione, diametralisht të ndryshme për Shqipërinë një vizion që trashëguam ai i ndërtimeve pa kriter, pa hesap me mandat për të shkatërruar dhe zaptuar çdo tokë.

Në këtë vizion, ishte qeveria ajo që i bënte thirrje qytetarëve të ndërtonin pa leje ku të mundnin, pak punë prishte fakti nëse ajo ishte toka e dikujt tjetër. Prandaj dhe operacione të tilla, si këto të kthimit në ligjshmëri, të territorit, ju duken të çuditshme dhe kërkoni  informacione për t’u sqaruar lidhur me çështje që s’kanë nevojë fare për sqarim. Mua më duket shumë e çuditshme që sot ka deputetë edhe nuk besoj se do të ketë ndonjë deputet në ndonjë parlament tjetër, që i kërkon sot llogari qeverisë se pse po prish ndërtime pa leje apo ndërtime jashtë lejes së dhënë.

E thënë kjo, është vizioni i kësaj mazhorance, ai që u vu në zbatim që ditën e parë të qeverisjes duke nisur nga Rilindja Urbane e çdo qyteti që i ka dhënë frymë dhe jetë vendit duke vazhduar me Gjirokastrën, Korçën, Beratin, Krujën, Lungomaren e Vlorës, Alpet, me Tiranën, etj. Është vizioni i kësaj mazhorance ai i turizmit dhe zhvillimit të qëndrueshëm.

Të vijmë te pyetjet…

Patjetër që ka kritere, prioritete dhe më vjen keq që në mungesë të një argumenti është ngritur një “thriller”,  i tipit, ngrihemi në mëngjes, marrim Policinë e Shtetit, IKMT edhe, meqë s’kemi si e shtyjmë ditën, shkojmë e prishim ca ndërtime. Sipas këtij thrilleri, nuk ka kritere dhe prishjet janë selektive, sipas interesit momental. Por, e vërteta është se kriteret janë jashtëzakonisht strikte dhe se vendimet për prishje janë të bazuara të gjitha në legjislacionin dhe rregullat në fuqi.

Është një proces që nis me evidentimin në terren, vlerësimin e të gjithë dokumentacionit, deri sa arrihet tek vendimi i dhimbshëm i prishjes, kur është tërësisht pa leje, apo në shkelje të lejes së dhënë. Pa dyshim, përqendrimi i operacionit në zonat me potencial të lartë turistik, si Thethi, Vlora, Gjirokastra, Berati, zonat bregdetare dhe zonat e mbrojtura, ato me rëndësi të posaçme apo akset kombëtare ka një logjikë të qartë. Në kushtet e sotme, ne nuk mund të tolerojmë që zonat tona më tërheqëse, ato që janë një pasuri e përbashkët e të gjithë shqiptarëve, të shfrytëzohen për pasurimin e disa individëve, në kurriz të shumicës të qytetarëve.

Konkretisht, në zonën e Thethit. Ndërhyrja në territor erdhi pas evidentimit në terren ku u konstatuan paligjshmëri. Në vijim, u analizuan të gjithë provat dhe në përputhje me legjislacionin në fuqi u vendosën 46 masa administrative me gjobë, 49 masa për pezullim punimesh dhe 57 të tjera, për prishjen e objekteve të kundërligjshme.

Në zonën e Valbonës, gjithashtu u ndërhy me 15 vendime prishje. U vendosën gjithashtu 15 masa administrative dhe 12 urdhra për pezullim punimesh, në respektim të të gjithë hallkave të procesit.

Njësoj, në zonat bregdetare u morën 42 vendime për prishje, për një total 102 objekte. 38 vendime pezullimi dhe 42 masa administrative me gjobë. Në zonat lumore u mor vendim për prishjen e 15 objekteve. Në zonën aeroportuale të Rinasit ishin 10 vendime për prishje dhe 10 masa administrative.

Për çdo objekt të prishur, pronarët e kanë qenë shumë mirë në dijeni për shkeljet që kanë bërë dhe janë njoftuar në kohë. Madje, ka pasur raste kur kanë vijuar punën për të ndërtuar më tej pa leje, edhe pse në dijeni të plotë të shkeljes. Siç ka pasur, pa dyshim, dhe në shumicën rasteve qytetarë të ndershëm, të përgjegjshëm, ku e kanë kuptuar se negociata për të legjitimuar paligjshmërinë, tentativa për të gjetur mikun apo për të vendosur shtetin para faktit të kryer, ka qenë e kotë. Dhe atëherë kanë vepruar vullnetarisht duke liruar vetë hapësirat e zëna në mënyrë të parregullt.

Përpos zonave të lartpërmendura, u ndërhy për të rritur sigurinë rrugore në shumë akse, duke çliruar rrugët nga çibanët e mbira pa kriter. Sa i përket rrugëve, u evidentuan në total mbi 2.000 struktura. Rreth 240 prej tyre u prishën, ndërsa pjesa tjetër janë prishur vullnetarisht.

Paralelisht, po zhvillohet pa u ndalur edhe aksioni më i madh për lirimin e hapësirave publike nga tendat, muret, bordurat, gardhet, telat, rrjetat, pengesat e çdo gjë tjetër që përbënin një sfidë të jashtëzakonshme për hapësirën e përbashkët për qytetarët në zonat urbane.

Për ta përmbledhur, në përgjigje ndaj pyetjeve të depozituara, për këtë interpelancë:

E para, të gjithë objektet e kundërligjshme, fillimisht janë vendosur nga strukturat e posaçme, sipas ligjit në fuqi, se kush duhen prishur;

E dyta, të gjithë objektet e kundërligjshme, për të cilat ka pasur vendim për prishje janë informuar në kohën e duhur të gjithë qytetarët;

E treta, ka pasur zero selektivizëm apo subjektivizëm në këtë proces. 100 % e atyre ndërtesave që janë gjykuar në shkelje si rasti flagrant i ndërtimit në oborrin e kishës në Theth janë prishur dhe toleranca ka qenë zero. Meqenëse i jeni referuar sërish Thethit, a e dini në sa raste kemi patur një vendim të formës së prerë nga gjykata në rastin e Thethit? Zero! Asnjë! Sepse asnjë qytetar nuk ka shkuar të ankohet në gjykatë, sepse ka qenë në dijeni të plotë që ka kryer një ndërtim pa leje.

Ju garantoj se nëse aksioni ynë do ishte bazuar në raste selektive, pa vlerësim të dokumentacionit, patjetër që në gjykatë rastet s’do të ishin të pakta.

Janë thënë shumë të pavërteta. Janë ngritur shumë aludime. Ku ishte shteti kur u ndërtuan? Përse në verë? Përse nuk u legalizuan? Përse ca u prishën dhe ca nuk u prishën? I kemi dëgjuar të gjitha këto. Por, pikërisht ky operacion provon se shteti ishte dhe është në krye të detyrës.

Duke filluar nga muaji qershor 2025, deri sot, ose më saktë deri të premten e kaluar, Policia Shtetit ka evidentuar dhe i ka referuar Prokurorisë 1,387 raste të dyshuara të veprave penale që cenojnë regjimin juridik të tokës.

Sa i përket strukturave të prishura, dhe faktin pse u toleruan, evidentimi, paralajmërimi, masat e marra, e gjithë procedura deri sa është arritur tek prishja, provojnë këtë sapo thashë. I gjithë procesi ka qenë i mirëdokumentuar.

Përse në verë? Por mbase më mirë në dimër, në mes të ftohtit?! Shteti, sidomos në realitetin e sotëm kur jemi në një sezon turistik 365 ditë të vitit, nuk mund të gjykojë me logjikën e dimrit apo të verës.

Përse nuk u legalizuan? – Edhe legalizimi ka qenë një “kalë beteje” i kësaj qeverie, dhe është po kjo qeveri që i pajisi me qindra-mijëra certifikata pronësie, duke kthyer në ekonomi, pasuri me vlerë prej miliona eurosh. E ritheksoj me forcë – ka një diferencë të qartë midis objekteve që janë bërë dikur për arsye banimi dhe atyre që bëhen sot, në abuzim me ligjin, për arsye përfitimi të një pakice më të vogël se 1%, në kurriz të 99% të të tjerëve.

Si mund të legalizohej ndërtesa e mbirë në oborrin e Kishës në Theth?! Si mund të legalizohej ndërtesa e ngritur buzë lumit?! E thënë qartë, koha në të cilën për arsye historike dhe ekonomike Shqipëria u mbush me ndërtime të paligjshme, ka mbaruar. Në masën më të madhe ato ndërtime të legalizuara nga qeveria e kësaj mazhorance.

Kam dëgjuar dhe një tezë tjetër. Se ne paskemi goditur shtëpitë e fukarenjve, ashtu siç e thatë edhe ju këtu. Besoj se imazhet e vilave të prishura apo të evidentuara në paligjshmëri në Farkë, Lundër, Theth në bregdet, janë të mjaftueshme për ta zhbërë këtë argument dhe nuk ka shumë nevojë për koment.

E gjithë sa thashë është një panoramë e qartë, e situatës së tanishme mbi territorin. Kjo, nuk është një nga ato panoramat ku çdo gjë shkëlqen. Plaga e paligjshmërisë në territor ka qenë dhe mbetet një sfidë e jashtëzakonshme për vendin tonë. Ata qytetarë që ndërtuan në mënyrë të paligjshme, në një farë mënyre janë vetë viktima të një shteti, që për shumë kohë e inkurajoi ndërtimin e paligjshëm. Prandaj, shteti, me të gjithë institucionet e tij, në këtë histori ka, edhe ka marrë përsipër përgjegjësitë e veta.

Në fillim të tetorit, në këtë Kuvend erdhëm dhe miratuam një paketë masash ligjore; janë tre akte ligjore shumë të rëndësishme që shmangin një herë e përgjithmonë çdo detaj apo çdo boshllëk, që mund të justifikojë qoftë edhe një përqindje minimale paligjshmërie.

Rezultatet e kësaj pakete të re masash, kanë qenë të qarta dhe ne i kemi evidentuar, siç e thatë edhe ju, dhe duke nisur nga zona e Farkës, në një muaj inspektime në këto kantiere ku kemi kontrolluar:

– 30 komplekse rezidenciale, përbërë nga 753 objekte, vila dhe godina kolektive;

– Janë konstatuar shkelje të kushteve të lejeve të ndërtimit në objekte, përfshirë rrethime dhe shtesa pa leje në sipërfaqe 5.100 m2, nga të cilat janë prishur 2.300 m2 dhe kanë nisur procedurat për konfiskim për:

– 1 objekt me 3 kate;

– ⁠1 kompleks vilash;

– ⁠3 kate shtesë pa leje, në një objekt 11-katësh;

– masa administrative me gjobë në vlerën rreth 2,5 milionë euro.

Kemi marrë masa të ashpra, për të bërë të mundur që çdo metër katror i blerë nga ana e qytetarëve, të përkthehet në cilësinë për të cilën ai është paguar. Me paketën e re të masave, ajo historia kur leja jepet për 5 kate, por ndërtohen 7 ka marrë fund. Me këto ndryshime ligjore, i kemi dhënë operacionit të rikthimit të ligjshmërisë në territor një bazë të fortë ligjore dhe një karakter të përhershëm. Të gjitha këto i kemi bërë, sepse në Shqipërinë që ecën shpejt drejt Europës, nuk mund të kemi më ndërtime, gardhe, mure, rrjeta, tela, shtesa, e çudira të tjera të ndërtuara pa asnjë kriter.

Ne duam një Shqipëri ku ndërtimi të jetë sinonim i zhvillimit dhe jo i kaosit. Një Shqipëri ku qytetet rriten sipas planeve, jo sipas interesave për qëllime përfitimi. Një Shqipëri ku hapësira publike është e shenjtë, e ruajtur dhe e aksesueshme për të gjithë. Dhe pikërisht këtë jemi duke bërë.

Prandaj, z. Shehaj, më lejoni t’ju siguroj se territori, do të vijojë të mbetet ajo hapësirë, që në mënyrën më të qartë dhe më të fuqishme do të bëjë dallimin e jashtëzakonshëm midis të shkuarës kaotike dhe të ardhmes sonë europiane.

Shumë faleminderit.