Ministria e Punëve të Brendshme

Fjala e Ministres së Punëve të Brendshme, Albana Koçiu:

I nderuar Kryeministër,
Të nderuar partnerë dhe përfaqësues të institucioneve publike e private,
Prej 12 tetorit, kushdo që ka udhëtuar në Europë e ka parë se si sportelet me policë po zëvendësohen nga sportelet inteligjente – me kamera, me robotë, me algoritme që njohin fytyrën dhe verifikojnë gjithçka në sekonda.
Kjo nuk është një skenë nga një film fantastiko-shkencor. Ky është realiteti i ri.
Kemi hyrë në një epokë ku Europa, gjithmonë e më shumë po avancon nga identiteti fizik, tek ai digjital.
Sot, përballë këtij ndryshimi global, kemi vetëm dy zgjedhje: të jemi pjesë e së ardhmes,
ose të mbetemi spektatorë të saj.
Ajo çfarë ne kemi zgjedhur është e qartë besoj për të gjithë! Inovacioni është ura e padukshme që na lidh me të ardhmen dhe me Bashkimin Europian!
Sot, ne prezantojmë një projekt që prek çdo qytetar shqiptar. Një hap përpara, që ndryshon mënyrën se si ndërveprojmë me shtetin, me bankën, me biznesin, me njëri-tjetrin. Identiteti digjital nuk është një detyrim europian. Është një nevojë shqiptare.
Një mënyrë për ta bërë jetën e qytetarëve më të lehtë e më të sigurt.

Imagjinoni portofolin tuaj digjital në telefon. Në xhepin e kujtdo, kudo që është, nga Tirana, deri në skajin më të largët.
Aty, me një klikim, janë të gjitha dokumentat personale: karta e identitetit, leja e drejtimit të automjetit, diploma – gati për t’i përdorur kudo, në çdo vend të Europës.
Të sigurta, të mbrojtura dhe të aksesueshme në çdo moment.
Me këtë portofol, çdo qytetar mund të thotë: “Ky jam unë.” Në sekonda.
Pa letra. Pa radhë. Pa vonesa. Në bankë, te noteri, në zyrat publike, me disa klikime, pa dokumente që humbasin apo firmosen disa herë.
Për shtetin, kjo do të thotë shërbim 24 orë në ditë, 7 ditë në javë, më pak burokraci, më shumë transparencë.
Për biznesin, do të thotë më shumë besim, më shumë efikasitet.
Identiteti digjital lidhet me biometrinë, me njohjen e fytyrës, me gjurmët e gishtave, me nënshkrimin elektronik.
Deri në vitin 2027, Identiteti Digjital do të jetë pjesë e Portofolit Europian të Identitetit Digjital. Një realitet që do t’u lejojë qytetarëve të përdorin dokumentet e tyre në çdo vend të Europës. Vendet si Italia, Gjermania, Franca dhe shumica e shteteve të BE-së po ecin në të njëjtën rrugë.
Sipas Komisionit Europian, deri në vitin 2030, 80% e qytetarëve europianë do të kenë një identitet dixhital funksional.
Përfitimet e pritshme, janë:
– një impakt prej deri 13% rritje e PBB në një periudhë afatmesme;
– reduktim i kostove administrative me 30-50%;
– si dhe reduktim i rasteve të mashtrimit apo vjedhjes së të dhënave online me 80%.

Siç e dini sot, Shqipëria është lider rajonal në inovacion. Revolucioni digjital i nisur, ka transformuar rrënjësisht marrëdhënien e qytetarit me zyrat e shërbimeve, duke shkurtuar radhët, kohën dhe sorrollatjet në dyert e shtetit.
Jemi vendi i parë në rajon, që më shumë se 1,200 shërbime qeveritare apo më shumë se 95% e totalit të shërbimeve i ofrojmë 24/7 përmes e-Albanias.
Më konkretisht, 3.3 milionë qytetarë shqiptarë, brenda apo jashtë vendit, kanë përfituar 50 milionë shërbime në total.
Identiteti digjital, i bën të gjithë këto shërbime edhe më të sigurta, duke lehtësuar më tej ndërveprimin e qytetarit dhe biznesit me shtetin, si dhe ndërveprimin e tyre me njëri-tjetrin. Por ky është vetëm fillimi.
Përtej identitetit digjital, Ministria e Punëve të Brendshme po vijon të zbatojë hap pas hapi një program të ndërtuar rreth qytetarit dhe nevojave të tij të përditshme.
Përmes inovacionit, sistemeve inteligjente dhe AI, gjëra për të cilat më përpara nevojiteshin shumë kapacitete në terren dhe shumë kohë për t’i zbatuar, po bëhen realitet në një kohë rekord.

Po krijojmë një shtet që sheh, dëgjon dhe reagon në kohë reale. Një shtet që nuk pret që qytetari të trokasë te dera, por i del përpara nevojës së tij.
I referohem projekteve si “Smart City”, i cili përmes kamerave inteligjente do të bëjë të mundur një monitorim të pandërprerë të rrugëve, shkollave, shesheve dhe hapësirave publike në 20 qytetet më të mëdha të vendit.
Por, i referohem gjithashtu edhe shumë projekteve apo nismave të tjera që po zbatojmë paralelisht.
Gjithashtu, inteligjenca artificiale dhe avantazhet e saj po na lejon që të ecim me shpejtësi në përmbushjen e kapitujve të integrimit.
Mund të vijoj të flas gjatë sa i përket inovacionit. Por, duke qëndruar tek identiteti digjital për qytetarin shqiptar,
Sot, me këtë projekt, Shqipëria tregon se është gati të jetë pjesë e zemrës dixhitale të Europës.
Faleminderit Kryeministrit Rama për vizionin dhe mbështetjen!
Faleminderit ekipit të IdentiTek për profesionalizmin dhe përkushtimin!
Dhe faleminderit të gjithë atyre që besojnë se e ardhmja nuk duhet pritur – e ardhmja duhet ndërtuar!