Ministria e Punëve të Brendshme

Në Tiranë u zhvillua aktiviteti përmbyllës i programit “Mbështetja e Performancës së Këshillave Vendorë të Sigurisë Publike”, zbatuar në kuadër të STRIVE Global II, me financimin e Bashkimit Evropian, mbështetjen programore të Hedayah dhe zbatimin nga IANS Albania, në bashkëpunim me QKEDH-në dhe strukturat vendore.

Në aktivitet morën pjesë përfaqësues të institucioneve qendrore, partnerëve ndërkombëtarë, shoqërisë civile, si dhe të strukturave të bashkive ku është zbatuar programi, duke sjellë në diskutim përvojën dhe perspektivën e nivelit vendor.

Në fjalën e saj, Lejdi Dervishi, Koordinatore Kombëtare për Parandalimin dhe Luftën kundër Ekstremizmit të Dhunshëm dhe Drejtore e QKEDH-së, theksoi rëndësinë e forcimit të koordinimit ndërmjet nivelit kombëtar dhe vendor dhe rolin e KVSP-ve si mekanizma të rëndësishëm të bashkëpunimit ndërinstitucional dhe parandalimit në komunitet.

Aktiviteti u përshëndet nga Anisa Ruseti, zëvendësministre e Punëve të Brendshme, z. Casale, përfaqësues i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, Sh.T. Z. Al Qasimi, Drejtor i Përgjithshëm i Hedayah dhe Ami Çarçani, Drejtore e Përgjithshme në Ministrinë e Punëve të Brendshme.

Drejtorja Ekzekutive e IANS Albania, Bllaca, prezantoi gjetjet dhe rekomandimet e dala nga puna me Këshillat Vendorë të Sigurisë Publike, duke evidentuar progresin, sfidat dhe nevojat për konsolidimin e mëtejshëm të këtyre mekanizmave. Në këtë kuadër, Sainsbury, përfaqësuese e Hedayah, solli gjithashtu perspektivën e Hedayah mbi rëndësinë e forcimit dhe qëndrueshmërisë së mekanizmave vendorë të parandalimit.

Gjetjet dhe rekomandimet do të diskutohen dhe vlerësohen më tej, me synim reflektimin e tyre në politikat dhe strategjitë për rendin dhe sigurinë publike, si dhe për parandalimin dhe luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm, në mënyrë që rezultatet e arritura të kontribuojnë në mekanizma të qëndrueshëm dhe afatgjatë.

QKEDH do të vijojë të mbështesë forcimin e kapaciteteve vendore, koordinimin qendror–vendor dhe bashkëpunimin ndërinstitucional, duke lidhur politikat kombëtare të parandalimit me nevojat konkrete të komuniteteve.