Ministria e Punëve të Brendshme

Në mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave u miratua vendimi për dhënien e gradës “Drejtues Madhor” dhe emërimin e z. Skënder Hita në detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit.

Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari thekson se ky vendim bazohet në meritë, profesionalizëm dhe integritet, duke nënvizuar se z. Hita ka rezultuar ndër kandidatët më të vlerësuar në një proces konkurrues, falë përvojës së spikatur, vizionit të qartë strategjik dhe angazhimit të tij ndaj ligjit dhe qytetarëve.

Duke vlerësuar rolin kyç të Policisë së Shtetit në garantimin e rendit dhe sigurisë publike, Ministri shprehet i bindur se nën drejtimin e z. Hita institucioni do të vijojë të forcojë performancën, të rrisë besimin e qytetarëve dhe të përmbushë me përkushtim misionin e tij në shërbim të sigurisë dhe shtetit të së drejtës.