Ministria e Punëve të Brendshme

“Arti është mesazhi më i mirë për të rinjtë, të cilët rrëzojnë modelet negative të fitimit të shpejtë e në rrugë të paligjshme,” – u shpreh Ministri i Punëve Brendshme Besfort Lamallari në çeljen e ekspozitës “Publik Galeri”, e cila përmban krijime në pikturë dhe zhanre të tjera të artit pamor, me autorë punonjës policie. Ambjentet në të cilat u organizua ekspozita, janë të administruara nga AAPSK dhe u përkisnin personave, që kanë zhvilluar veprimtari të kundërligjshme.
Në fjalën e rastin, Ministri Lamallari vuri në dukje se: “Publik Galeri, një vend-takimi mes një të shkuare, e cila dominohej nga paligjshmëria, që i lë vendin të tashmes e të ardhmes, të ndërtuar mbi mund e talent, për artin, në një vend ku arti është mesazhi më i mirë për të rinjtë, të cilët rrëzojnë modelet negative të fitimit të shpejtë e në rrugë të paligjshme, përkundrazi, të shpalosjes së individualitetit përmes talentit, sakrificës e kontributit për shoqërinë.”


Duke nënvizuar rëndësinë e kësaj ekspozite, dhe mesazheve që ajo jep për shoqërinë, Ministri Lamallari theksoi se: “Falë punës së Policisë së Shtetit, organeve të drejtësisë dhe AAPSK, pronat që dikur i shërbenin krimit të organizuar, tashmë janë kthyer në një të mirë publike, e ky është një mesazh konkret për të promovuar pozitiven, artin, kulturën, qytetarinë, kur ne kemi punonjës policie të cilët jo vetëm përmes profesionit, por edhe me ndjeshmërinë artistike, japin kontribute për shoqërinë si edhe sot në rastin e kësaj ekspozite.”
Zv.kryeministrja Albana Koçiu, pjesëmarrëse në këtë ceremoni, ndër të tjera the se “Sot jemi dëshmitarë të një pune kreative, artistike, të realizuar jo nga artistë profesionistë, por nga efektivë të Policisë së Shtetit, të cilët vijnë këtu me një cilësi të ndryshme nga ajo e përditshmja, vijnë me talentin e tyre, të cilin e ushtrojnë në kohë të lirë dhe po e shfaqin në këtë ekspozitë, me peizazhe, portrete e krijime të tjera. Kjo ekspozitë sot këtu, bart një mesazh shumë të veçantë; është një mjedis, produkt i një veprimtarie kriminale, aktualisht i sekuestruar dhe menaxhohet nga AAPSK, e cila pjesë e planit të punës së saj ka pikërisht rikthimin e këtyre ambjenteve të krijuara me pasuri të krimit në dobi të komunitetit, institucioneve publike, shoqërisë, të personave vulnerabël, por sot, edhe të artit.”
Drejtuesja e AAPSK Risena Xhaja, bëri me dije se tashmë ekspozita do të jetë e hapur për publikun dhe në vazhdimësi do të ketë veprimtari të tjera të ngjashme. “Ky ambjent do të jetë i hapur për publikun, qytetarët, për komunitetet dhe në vazhdimësi do të ketë aktivitete të ndryshme për të gjithë njerëzit që e duan artin,” – u shpreh Xhaja.