Ministria e Punëve të Brendshme

Bruksel – Ministrja e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu zhvilloi sot një takim pune me Drejtoren e Përgjithshme të Komisionit Europian për Migracionin, Beate Gminder, në kuadër të vizitës së saj zyrtare në Bruksel.

Në fokus të diskutimit ishte ecuria e reformave strategjike të Shqipërisë në fushën e sigurisë dhe menaxhimit të migracionit. Ministrja Koçiu prezantoi rezultatet konkrete në luftën kundër krimit të organizuar dhe trafikimit të qenieve njerëzore, intensifikimin e operacioneve të përbashkëta me agjencitë europiane, si edhe hapat e ndërmarrë për forcimin e kontrolleve kufitare.

Palët ndalën gjithashtu tek procesi i finalizimit të paketës së re të strategjive 2026–2030, që synon modernizimin e mekanizmave të menaxhimit të migracionit, rritjen e sigurisë dhe forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional.

Ministrja Koçiu rikonfirmoi gatishmërinë e Shqipërisë për të kontribuar në sigurinë e përbashkët dhe menaxhimin efektiv të migracionit në nivel evropian, duke theksuar se vendi mbetet plotësisht i angazhuar në rrugën e integrimit dhe harmonizimit me politikat e BE-së.