Ministria e Punëve të Brendshme

Tiranë – Kryeadministratorja e Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara (AAPSK), Risena Xhaja, raportoi në Kuvend (Komisionin për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale) mbi rezultatet e punës së Agjencisë në administrimin e pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara, rritjen e të ardhurave, ripërdorimin social të aseteve dhe forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional e ndërkombëtar.

Aktualisht, AAPSK ka në administrim 2,665 pasuri të sekuestruara dhe 516 pasuri të konfiskuara, me një vlerë totale prej rreth 35.3 miliardë lekësh. Të ardhurat nga administrimi dhe dhënia me qira e pasurive kanë vijuar trendin rritës, duke arritur në 160 milionë lekë në vitin 2024, 221 milionë lekë në vitin 2025, ndërsa vetëm për periudhën janar – gusht 2026 janë siguruar rreth 180 milionë lekë.

Gjatë vitit 2026, një fokus i veçantë i AAPSK ka qenë orientimi i pasurive të konfiskuara drejt ripërdorimit institucional dhe social, duke i vënë ato në funksion të institucioneve ligjzbatuese dhe organizatave që ofrojnë mbështetje për kategori vulnerabël. Ky proces synon që pasuritë e konfiskuara të mos mbeten thjesht një vlerë e administruar, por të kthehen në vlerë konkrete për shtetin dhe komunitetin.

Në raportimin në Kuvend u evidentuan gjithashtu prioritetet e Agjencisë në kuadër të integrimit evropian, digjitalizimit të proceseve, administrimit të aseteve virtuale dhe forcimit të bashkëpunimit ndërkombëtar, me synim rritjen e eficiencës dhe transparencës në administrimin e pasurive.

AAPSK vijon të konsolidojë një model ku administrimi i pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara shkon përtej ruajtjes së tyre, duke synuar rikthimin e vlerës tek shteti dhe shoqëria.