Ministria e Punëve të Brendshme

VIDEO – Në memorialin e të rënëve, Dëshmorëve të Atdheut, nga radhët e Policisë së Shtetit, u bënë homazhe dhe u vendosën kurora me lule nga zyrtarët më të lartë të Ministrisë së Punëve të Brendshme, Policisë së Shtetit dhe familjarëve të të rënëve. Në këtë ceremoni përkujtimore, që u zhvillua në ambientet e Akademisë së Sigurisë, morën pjesë edhe zyrtarë të tjerë të shtetit, misioneve të huaja partnere, përfaqësi të njësive të ndryshme të Policisë së Shtetit, familjarë etj. Zv.ministrja e Punëve të Brendshme Anisa Ruseti, theksoi në fjalën e saj, rëndësinë që i kushton qeveria dhe institucionet, trupës së Policisë së Shtetit, përmes politikave që synojnë më shumë dinjitet dhe siguri për të gjithë punonjësit me uniformë. Ruseti nënvizoi gjithashtu edhe përkujdesjen dhe mbështetjen ndaj familjarëve të të rënëve, përmes politikave të strehimit, punësimit, shkollimit dhe përkrahjes së fëmijëve të tyre. Duke iu referuar ditës së dëshmorëve, Zv.ministrja Ruseti tha se “nderimi i sakrificave të të rënëve është drejtpërdrejt mbrotje e ligjit dhe garanci që drejtësia të ndëshkojë përmes ligjit ata që kanë ngritur dorë mbi punonjësit e Policisë së Shtetit. Ky është thelbi i shtetit të së drejtës, i rrugës europiane, që Shqipëria ka zgjedhur,” – u shpreh zv.ministrja.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, në fjalën e tij, tha se “5 Maji, Dita e Dëshmorëve të Policisë së Shtetit dhe të Atdheut, është një ditë kur uniforma nuk shihet vetëm si detyrë, por si betim, si një vijë e padukshme mes jetës së zakonshme dhe sakrificës së jashtëzakonshme”. “Për çdo punonjës policie, kjo ditë është edhe pasqyrë, edhe thirrje. Pasqyrë për të parë se çfarë peshe ka uniforma që mbajmë. Dëshmorët tanë na mësojnë se uniforma nuk nderohet nga grada, por nga karakteri. Nuk ndriçon nga metali i stemës, por nga morali i njeriut që e mban. Në emër të Policisë së Shtetit, sot shpreh përuljen më të thellë për të gjithë punonjësit e Policisë që dhanë jetën në krye të detyrës. Për ata që u nisën në mëngjes me uniformë dhe nuk patën kohë të thoshin lamtumirë, por u kthyen në përjetësi me flamur, duke lënë pas një mesazh që nuk shuhet, se detyra kur vishet me ndershmëri, bëhet më e madhe se jeta”, theksoi Hita.

Fjala e plotë e zv.ministres së Punëve të Brendshme, Anisa Ruseti mbajtur në ceremoni:

Të nderuar familjarë të Dëshmorëve të Atdheut,

Të nderuar drejtues dhe punonjës te Policisë së Shtetit,

Të nderuar pjesëmarrës,

Sot nderojmë me mirënjohje dhe respekt të thellë kujtimin  e dëshmorëve të atdheut, të cilët dhanë jetën për Shqipërinë, sigurinë dhe paqen e qytetarëve. 5 maji është një ditë reflektimi kombëtar, është dita kur shteti dhe shoqëria ndalen për të kujtuar ata që vendosën detyrën, jetën e të tjerëve mbi jetën e tyre. Për Policinë e Shtetit, kjo ditë mbart një domethënie të veçantë. Që prej krijimit të saj, qindra punonjës policie kanë rënë në krye të detyrës, për të mbrojtur rendin publik, sigurinë dhe mirëqenien e qytetarëve. Ka ditë ku fjalët nuk mjaftojnë. 5 maji  është njëra prej tyre. Sepse sot nuk flasim vetëm për histori, nuk flasim për ceremoni apo për kujtime. Flasim për njerëz, për jetë të ndërprera në mes, për familje, që kanë mbajtur mbi veten e tyre dhimbjen e humbjes dhe për krenarinë e një sakrifice që i përket jo vetëm atyre, por gjithë Shqipërisë.

Dëshmorët e Policisë së Shtetit nuk janë thjesht emra në memoriale apo në memorien institucionale. Ata janë shembulli i lartë i detyrës, i kurajës dhe i përkushtimit. Prandaj respekti ynë i thellë shkon për ta dhe për familjet e tyre, për prindërit, bashkëshortet, fëmijët, të afërmit, të cilët jetojnë çdo ditë me një mungesë të pazëvendësueshme.

Të dashur familjarë,

Jemi të vetëdijshëm që asnjë ceremoni nuk mund t’ua zëvendësojë mungesën tuaj të thellë, por përgjegjësia jonë është të jemi pranë jush me respekt, me përkujdesje dhe mbështetje konkrete, për ju dhe fëmijët tuaj, duke ruajtur gjithmonë me dinjitet kujtesën e sakrificës së tyre. Qeveria shqiptare, veçanërisht MPB, ka qenë dhe mbetet e angazhuar në mbështetje të familjeve të punonjësve të Policisë së Shtetit, të rënë në krye apo për shkak të detyrës, përmes politikave të strehimit, mbështetjes, punësimit përkrahjes për fëmijët, një pjesë e të cilëve sot janë bërë edhe pjesë e familjes së madhe të Policisë së Shtetit.

Përkujtesa nuk mund të jetë e plotë pa drejtësi. Familjet e të rënëve, ashtu si çdo qytetar, ka të drejtë të besojë se shteti nuk harron, nuk hesht dhe nuk pranon pandëshkueshmërinë. Të nderosh sakrificën e tyre do të thotë edhe të mbrosh ligjin, të forcosh institucionet dhe të garantosh që drejtësia do të veprojë seriozisht duke ndëshkuar ata që e meritojnë ndëshkimin më të madh të ligjit. Ky është thelbi i shtetit të së drejtës, i rrugës europiane, që Shqipëria ka zgjedhur. Po aq e rëndësishme për ne është përgjegjësia jonë ndaj atyre që sot mbajnë uniformën e Policisë së Shtetit. Punonjësit e policisë përballen çdo ditë me rrezik e përgjegjësi të lartë publike. Prandaj detyra jonë është të përmirësojmë kushtet e tyre të punës, të forcojmë mbrojtjen dhe mbështetjen ndaj tyre si dhe të garantojmë më shumë dinjitet dhe siguri për çdo punonjës që mban sot uniformën.

Në këtë ditë, mesazhi ynë shkon gjithashtu edhe për shoqërinë. Respekti për dëshmorët nuk mund të ndahet nga respekti për ligjin, për institucionet dhe për çdo punonjës policie, që shërben sot në terren. Një shoqëri më e sigurt ndërtohet jo vetëm nga institucionet, por edhe nga qytetarët që bashkëpunojnë, respektojnë rregullat dhe e shohin uniformën e Policisë së Shtetit si garanci për rendin dhe sigurinë e përbashkët.

Në përfundim të fjalës sime do të doja të theksoja se çdo arritje e Policisë së Shtetit sot, merr më shumë kuptim kur mbështetet mbi trashëgiminë e sakrificës, përgjegjësisë dhe shërbimit ndaj vendit, që lanë “Dëshmorët e Atdheut”. Prandaj sot dhe çdo ditë, përgjegjësia jonë është e qartë, të mos harrojmë dhe të ndërtojmë një shtet të drejtë e dinjitoz për të gjithë. I përjetshëm qoftë emri dhe vepra e punonjësve të Policisë së Shtetit! Lavdi e përjetshme Dëshmorëve të Atdheut! Faleminderit.