Ministria e Punëve të Brendshme

Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha, së bashku me ministrat e Mbrojtjes Pirro Vengu dhe të Bujqësisë, Anila Denaj, takuan prefektët e qarqeve, drejtuesit e agjencive të emergjencave civile, shërbimit zjarrfikës dhe Forcave të Armatosura, për të bërë një analizë mbi situatën, njëherësh për të diskutuar rreth masave për sezonin veror në vazhdim.

Ministri Hoxha theksoi se pavarësisht rrezikut të shkaktuar nga situata e zjarreve, për fat nuk ka pasur humbje në jetë njerëzore. Nga ana tjetër, ai nënvizoi faktin se shumica e zjarreve tashmë janë dëshmuar se kanë ardhur si pasojë e pakujdesisë njerëzore, ose edhe me dashje. Ministri tha se janë proceduar 120 persona të dyshuar si autorë, ndërsa janë arrestuar 21 prej tyre.

Ministri Hoxha u shpreh se edhe për muajin gusht, duhet të ruhet vigjilenca dhe strukturat duhet të tregojnë angazhim maksimal, pasi edhe gjatë këtij muaji, pritet të ketë temperatura të larta që mund të shkaktojnë situata të vështira me zjarret.

Më poshtë fjala e plotë e Ministrit të Brendshëm:

Në këtë ditë të fundit të muajit, analizojmë një nga sfidat më të mëdha me të cilat po përballemi këtë verë, zjarret masive që kanë prekur vendin, veçanërisht gjatë muajit korrik. Në fakt kjo është një betejë e përvitshme, por këtë vit, për shkak të kushteve klimaterike dhe faktorit njerëzor, është bërë më intensive dhe më sfiduese.

Deri sot, vendi është përballur me 59 zjarre masive, secili me një përhapje më të madhe se 1 hektar, dhe 961 zjarre më të vogla, përfshirë zjarre në banesa, biznese apo sipërfaqe të kufizuara. Mbi 29 mijë hektarë janë djegur, me përqendrimin më të madh në qarqet Vlorë, Dibër, Tiranë dhe Berat.

Përballë kësaj situate, reagimi ynë ka qenë i menjëhershëm dhe gjithëpërfshirës. Ky mobilizim i jashtëzakonshëm ka dhënë rezultate. Çka është më kryesorja, nuk kemi pasur humbje jetësh, janë shpëtuar dhjetëra banesa dhe është parandaluar përhapja në infrastrukturën kritike.

Megjithatë 2 punonjës policie janë lënduar në një akt që të gjithë e konsiderojnë heroik. Njërin prej tyre do ta veçoja me emër, Agrim Troci, Shef i Komisariatit të Delvinës, që po merr mjekim në spital. Ndërhyrja e tyre në një banesë që po digjej, për fat shpëtoi banorë të bllokuar nga flakët.

Sa i takon shkaqeve të zjarreve, është e qartë se në shumë raste kemi të bëjmë me faktorin njerëzor, nga pakujdesia deri te zjarrvënia e qëllimshme.

Në një takim që kam patur në fillim të qershorit, kam kërkuar me forcë ti vihet theksi parandalimit dhe sensibilizimit të banorëve, që shpesh na rezultojnë si zjarrëvënës të qëllimshëm, për pastrimin sipas tyre, të kullotave për bagëtitë. Kjo pa llogaritur cfarë dëmi shkaktojnë ku zjarri del nga kontrolli.

Policia e Shtetit përgjatë 2 muajve, qershor – korrik 2025 ka identifikuar dhe proceduar 120 persona si të dyshuar për zjarrvënie të qëllimshme, apo nga pakujdesia. Ndër ta 21 janë arrestuar.

Mesazhi im drejtuar Prokurorive në Rrethe është që vepra penale të lidhura me zjarrvënien t’i trajtojnë me gjithë përgjegjësinë që iu jep ligji, pasi shpesh herë dëmi që këto akte shkaktojnë është i rëndë  dhe i pariparueshëm.

Askush nuk do duhet dhe nuk do të mbetet pa përgjegjësi kur rrezikon jetën, pronën dhe natyrën.

Korriku 2025 ka shënuar një rritje të dukshme të frekuencës së zjarreve. Parashikimet janë që edhe gushti do të jetë një muaj pa reshje. Ndaj duhet të vijojmë me vigjilencë të lartë dhe reagim të menjëhershëm, që në momentin e parë, që një vatër zjarri shfaqet.

Faleminderit!