Ministria e Punëve të Brendshme

Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, ka reaguar pas një rasti të konstatuar në plazhin e Shëngjinit, ku një mjet lundrues ka shkelur perimetrin e sigurisë, duke rrezikuar jetën dhe shëndetin e pushuesve.

Përmes një reagimi publik në rrjetet sociale, ministri Lamallari bëri të ditur se ndaj autorit të shkeljes janë marrë masa të menjëhershme administrative, me gjobë në vlerën 500 mijë lekë të reja dhe bllokimin e mjetit lundrues.

“Plazhet tona janë për familjet dhe pushuesit, jo për aventurierët që luajnë me jetën e të tjerëve. Kush sfidon ligjin dhe vë në rrezik shëndetin dhe jetën e turistëve, do të përballet me pasojat pa asnjë tolerancë dhe vonesë”, theksoi ministri.

Ai nënvizoi se institucionet do të vijojnë kontrollet intensive përgjatë gjithë sezonit turistik, duke garantuar zbatimin e ligjit dhe sigurinë në të gjitha zonat bregdetare.

Ministri Lamallari shprehu gjithashtu mirënjohje për qytetarët që denoncojnë raste të tilla, si edhe për mediat që kontribuojnë në evidentimin e shkeljeve, duke theksuar se siguria e pushuesve është prioritet dhe nuk është objekt kompromisi.