Ministria e Punëve të Brendshme

Shkodër – Në Velipojë, një nga destinacionet më të rëndësishme të bregdetit të Adriatikut, u zhvillua takimi i Komitetit Rajonal të Zhvillimit të Turizmit, me pjesëmarrjen e Zëvendësministrit të Punëve të Brendshme, Xhemal Qefalia, Zëvendësministres së Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Marinela Prifti, Prefektes së Qarkut Holta Duda, përfaqësuesve vendore, agjencive ligjzbatuese dhe operatorëve ekonomikë.

Takimi u fokusua në rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional për garantimin e një sezoni turistik të sigurt, të organizuar dhe cilësor, duke adresuar disa prej çështjeve kryesore, si:

– siguria në plazhe dhe hapësira publike;

– menaxhimi i trafikut dhe parkimeve;

– administrimi i mbetjeve urbane;

– siguria ushqimore dhe mbrojtja e mjedisit;

– monitorimi i aktiviteteve në zonat turistike.

Në takim u theksua se rritja e numrit të vizitorëve në Qarkun Shkodër sjell mundësi të reja për zhvillim ekonomik dhe turistik, por njëkohësisht kërkon angazhim më të madh dhe koordinim të vazhdueshëm nga të gjitha institucionet përgjegjëse.

Institucionet pjesëmarrëse riafirmuan angazhimin e përbashkët për të garantuar standarde të larta shërbimi dhe për ta promovuar Shkodrën si një destinacion të sigurt, mikpritës dhe të qëndrueshëm.