Ministria e Punëve të Brendshme

Tiranë – Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, mori pjesë në takimin konsultues për hartimin e Strategjisë Kombëtare për Parandalimin dhe Luftën kundër Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda 2026–2030, një dokument strategjik që do të udhëheqë politikat dhe veprimet institucionale në këtë fushë gjatë viteve të ardhshme.

Gjatë takimit u diskutuan prioritetet kryesore të strategjisë, e cila synon të forcojë kapacitetet e shtetit në parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar, përmes një qasjeje moderne të bazuar në inteligjencë policore, hetime financiare, koordinim ndërinstitucional dhe bashkëpunim të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë.

Ministri Lamallari theksoi se lufta kundër krimit të organizuar mbetet një prioritet kombëtar, i lidhur ngushtë me forcimin e shtetit të së drejtës, garantimin e sigurisë publike dhe avancimin e procesit të integrimit evropian të Shqipërisë.

Në takim morën pjesë përfaqësues të institucioneve shtetërore, ekspertë të fushës, partnerë ndërkombëtarë, organizata të shoqërisë civile dhe përfaqësues të medias, të cilët kontribuuan me sugjerime dhe rekomandime për përmirësimin e dokumentit strategjik.

Ministria e Punëve të Brendshme vlerëson rëndësinë e dialogut dhe konsultimit të gjerë me të gjithë aktorët e interesit, si një element thelbësor për hartimin e politikave efektive dhe të qëndrueshme në luftën kundër krimit të organizuar dhe krimeve të rënda.

#OneStepCloser