Ministria e Punëve të Brendshme

Policia e Shtetit vijon angazhimin maksimal për garantimin e sigurisë në shkolla dhe mbrojtjen e nxënësve nga veprimtaritë kriminale, përmes operacioneve të koordinuara dhe hetimeve të thelluara. Në këtë kuadër, javën e fundit, strukturat vendore të policisë në Lezhë dhe Durrës kanë finalizuar me sukses dy operacione të rëndësishme policore, duke goditur raste të shitjes së lëndëve narkotike në afërsi të shkollave dhe aktivitete të tjera të paligjshme.

Lezhë – Operacioni “Perimetri 2” – Si rezultat i një hetimi disa mujor me metoda speciale, Policia e Lezhës, në bashkëpunim me Prokurorinë, finalizoi operacionin “Perimetri 2”, duke goditur një grup të përfshirë në shpërndarjen e lëndëve narkotike në qytetin e Laçit. 7 shtetas u arrestuan, përfshirë persona që ushtronin aktivitetin në bashkëpunim. U sekuestruan Cannabis Sativa, 6 automjete, celularë dhe 7 pajisje elektronike për lojëra fati.  Nga hetimet rezulton se lënda narkotike shpërndahej edhe në afërsi të shkollave. U zbulua dhe një lokal ku organizoheshin lojëra fati në kundërshtim me ligjin, për të cilin u arrestua pronari.

Durrës – Operacioni “Cleaning 4” – Paralelisht, në qytetin e Kavajës, Policia e Durrësit finalizoi operacionin “Cleaning 4”, duke goditur një rrjet tjetër të shpërndarjes së narkotikëve pranë shkollave. 9 shtetas u arrestuan, ndërsa 3 të tjerë u shpallën në kërkim. U sekuestruan Kokainë dhe Cannabis Sativa, të ndara në doza, si dhe celularë. Hetimet kanë provuar se këta shtetas ushtronin aktivitetin kriminal në afërsi të shkollave, duke rrezikuar drejtpërdrejt sigurinë e nxënësve.

Këto operacione janë pjesë e strategjisë së Policisë së Shtetit për parandalimin dhe goditjen e shpërndarjes së lëndëve narkotike pranë institucioneve arsimore, si dhe për forcimin e sigurisë publike. Policia e Shtetit mbetet e angazhuar për të reaguar me tolerancë zero ndaj çdo rasti që cenon sigurinë e nxënësve dhe fton qytetarët, prindërit dhe komunitetin arsimor të bashkëpunojnë duke denoncuar çdo rast të dyshuar.