Ministria e Punëve të Brendshme

Kuvend – Shërbimi Zjarrfikës është një ndër më jetiket e shtetit, që lidhet drejtpërdrejt me mbrojtjen e jetës, pronës, mjedisit dhe sigurisë publike. Në interpelancën e kërkuar nga deputeti Erion Braçe për Shërbimin e Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit, Ministri i Punëve të Brendshme Besfort Lamallari tha se MZSH nuk është thjesht një strukturë administrative. “Përkundër gjithë transformimit që është bërë këto vite, duke njohur edhe sfidat që kemi përpara, angazhimi ynë është i qartë të vazhdojmë modernizimin e këtij shërbimi, të forcojmë kapacitetet e tij dhe të garantojmë që çdo qytetar shqiptar, në çdo zonë të vendit, të ketë një shërbim emergjence më të shpejtë, më profesional dhe më efikas”, u shpreh Lamallari.

Fjala e plotë e ministrit Lamallari – VIDEO:

E nderuar drejtuese e seancës,

Faleminderit zoti deputet për interpelancën e kërkuar, duke qenë se më jep një mundësi mua të ndaj edhe këndvështrimin tim, në përgjegjësinë që ngarkon detyra dhe ligji, për të mbështetur dhe strukturën e shërbimit të zjarrit.

Jo vetëm për retorikë, për të qenë formal dhe brenda kuadrit funksional, por për të thënë diçka, që ju e përmendët pak në fjalën tuaj, ku referuat prezencën time në operacionin e fundit për fikjen e zjarrit në kompleksin rezidencial. Fati e desh që brenda 10 minutave nga koha që kishte mbërritur dhe Drejtori i Përgjithshëm i Zjarrfikëses, isha dhe unë në vendngjarje, duke siguruar maksimalisht të gjithë bashkë, marrjen e gjithë masave të nevojshme, në mënyrë që së pari të shpëtoheshin jetë, të garantohej perimetri i sigurisë, me gjithë interesimin dhe panikun që kishte aty, ne të kishim mundësinë, që mos lejonim, që nga kaosi të përfundonim në fatalitete. Kjo ishte imperativa e parë.

Sigurisht, ka një sërë veprimesh të tjera që duhen ndërmarrë në momente të tilla, por janë ngjarje të tilla, që sigurisht edhe jo gjithmonë vijnë vetëm për keq. Të japin mundësinë dhe për të reflektuar, për të kuptuar çfarë duhet të nxjerrim nga këto dhe kujtoj këtu dhe tërmetin në Durrës, ku unë gjithashtu kam qenë i vendosur që në momentet e para pas tragjedisë, ku dhe ekipet e zjarrfiksëve kishin një prezencë në zonat e afektuara dhe ndërtesat e shkatërruara.

E duke parë misionin, natyrën jashtëzakonisht kurajoze, fisnike të misionit të zjarrfikësit dhe për mua është veçse krenari, të kem si pjesë të strukturës së përgjegjësisë dhe shërbim Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimit ndaj Zjarrit, Mbrojtjes nga Zjarri, pikërisht për faktin sepse unë edhe e çmoj shumë po aq sa edhe misioni fisnik që ka dhe çdo punonjës i Policisë së Shtetit, njëkohësisht edhe punonjësit e zjarrfikëseve. Pavarësisht se ligji e përcakton qartë se Drejtoria e Përgjithshme ka një rol koordinues, ka një rol më tepër të garantimit të standardeve dhe të unifikimit të procedurave, qoftë në rekrutim, patjetër dhe në kuptimin e lobimit, qoftë për mbështetje të shtuar financiare me investime, si ato që janë buxhetore, po ashtu edhe në drejtim të gjithë tratativave, që unë po realizoj aktualisht edhe me partnerët ndërkombëtarë.

Kemi patur një donacion së fundmi nga Kanadaja, do të kemi të tjera gjithashtu nga Franca dhe vende të tjera të Bashkimit Europian, ku teknologjitë më të fundit përfshirë dhe automjete për fikjen e zjarreve, do të vihen në dispozicion ashtu siç kemi finalizuar me sukses dhe së fundi një projekt tjetër me financim të Bashkimit Europian, ku në bashkëpunim me homologët polakë, ne kemi bërë të mundur jo vetëm ngritjen e disa stacioneve të reja zjarrfikëse në vend, por edhe sigurimin e pajimeve më të fundit për mbrojtjen e jetës së zjarrfikësve.

Megjithatë, më lejoni edhe për efekt të transparencës me qytetarët të bëj një rezyme të informacionit se si në aspektin rregullator ku bëhet pikërisht diferencimi mes përgjegjësive të qeverisjes qendrore sipas ligjit 152/2015, ku dhe nga ana tjetër të pushtetit vendor, duke dhënë bashkive përgjegjësi të drejtpërdrejtë për administrimin dhe funksionimin e këtij shërbimi.

Përmenda më herët, se përmes këtij ligji është krijuar dhe Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit për Mbrojtjen nga Zjarrit dhe Shpëtimit dhe më pas në vitin 2020, ku hap i rëndësishëm ishte adresimi i nevojës për standardizim koordinimin dhe rritjen e profesionalizmit të trupës së zjarrfikësve. Duke qenë se siç e përmenda edhe më herët, kemi një rol edhe të bashkive në kuptim të kapacitetit që ata duhet të kenë në shpëtimin dhe mbrojtjen nga zjarri.

Pra, gjithmonë, Ministria e Punëve të Brendshme ka detyrimin dhe synon që të unifikojë, të standardizojë dhe të rrisë kapacitetet, pa lënë pas ndonjë bashki apo ndonjë strukturë të veçantë të mbrojtjes nga zjarri. Kjo ka qenë dhe qasja ime gjatë këtyre jave në detyrë, për të qenë sa më i drejtë në raport me nevojat më emergjente të bashkive përkatëse dhe strukturave zjarrfikëse, në kuptim të alokimit të mbështetjes si mbështetjes brenda vendit, po ashtu edhe ato që janë që vijnë nga projektet e ndryshme apo marrëveshjet që ne bëjmë me vende anëtare të Bashkimit Europian, por edhe më tej, siç ishte rasti i Kanadasë së fundmi. Në nivel kombëtar, kemi 12 drejtori vendore, në bashkitë qendër qarku dhe kemi 49 në bashkitë e tjera.

Në total janë 70 stacione zjarrfikëse në gjithë territorin e vendit dhe në vetëm në Bashkinë Tiranë, bashkia më e madhe në vend, funksionojnë aktualisht 8 stacione zjarrfikëse dhe lajmi i mirë është që janë zgjeruar kapacitetet në Durrës, në Kamëz dhe bashkitë e tjerat. Në total numërohen 1,350 efektivë të Shërbimit për Mbrojtjen nga Zjarri.

Sigurisht në fokusin tonë një nga prioritetet e mia si Ministër i Punëve të Brendshme është padyshim dhe përmirësimi i trajtimit financiar, për të gjithë ata punonjës që i shërbejnë vendit, i shërbejnë qytetarëve pikërisht në momentin kur sekondat, jo minutat, jo orët, sekondat janë ato që bëjnë diferencën, duke rrezikuar seriozisht dhe jetën e tyre dhe shëndetin e tyre, siç ne kemi parë dhe nga pamjet edhe nga rasti më i fundit.

Ndaj, përsa i përket trajtimit financiar në VKM-në më të fundit, ajo e vitit 2024, pati një rritje të pagave dhe shtesave mbi pagë, për gjithë nivelet e gradave të punonjësve të Shërbimit për Mbrojtjen nga Zjarri. Sot që flasim, një zjarrfikës përfiton pagë dhe shtesa dukshëm më të larta se disa vite më parë.

Pa dyshim, kjo nuk do të thotë, se mjafton. Përkundrazi, ne po çojmë për miratim dhe VKM-në, që lidhet pikërisht me orët shtesë, me shtesat e tjera, edhe trajtimin më të mirë për zjarrfikësit në gjithë vendin. Megjithatë ajo çfarë duhet theksuar, është se që nga viti 2024 punonjësit e zjarrfikëses, në fakt duke filluar nga roli Asistent, nga grada Asistent me një pagë 65.000 lekë, tek Drejtuesi i lartë i zjarrfikëses me 164.000 lekë, që reflekton pikërisht rritjen, që nuk mund të krahasohet me shumë vite më parë, por edhe kohët e fundit, kjo në raport dhe me trupën e sigurisë në përgjithësi, si punonjësit e Policisë edhe punonjësit e tjerë, aktorët e tjerë të sigurisë në vend.

Theksoj edhe njëherë, pa dyshim, për ne mbetet prioritet rritja e mëtejshme e trajtimit financiar dhe statusit të tyre, krahas mbështetjes që ne kemi dhënë dhe investimet konkrete në kuptim të pajimeve, shumë të rëndësishme për jetën për mbrojtjen e garantimin e jetës së tyre gjatë pjesëmarrjes në operacioneve, por edhe automjeteve zjarrfikëse, por dhe të tjera nevoja, të cilat janë identifikuar së fundmi, që jo vetëm do të mbronin vetë zjarrfikësit gjatë operacioneve, por edhe duke lehtësuar punën e tyre në operacione. Kjo është shumë e rëndësishme për vetë faktin që ne po futemi në sezonin turistik, e gjithmonë me sezonin e verës kemi dhe dukurinë e zjarreve. Kështu që, duke përfshirë këtu dhe çdo teknologji që përdoret dhe në vendet e tjera të Bashkimit Europian, përfshirë dhe dronët për fikjen e zjarreve, e gjitha po analizohet nga ekipi im në Ministrinë e Punëve të Brendshme, për të paraqitur një bllok nevojash në mënyrë që ne të kemi vërtetë një flotë dhe teknologji të avancuar për Shërbimin Zjarrfikës.

Më konkretisht, çfarë është bërë vetëm vitin që lamë pas? – Patëm një rritje nga buxheti i shtetit për vlerën e investimeve, ku konkretisht në 2025 patëm investime, pra financimi nga buxheti i shtetit arriti në vlerën 2.8 miliardë lekë për Shërbimin Zjarrfikës, e kjo ishte një rritje e ndjeshme krahasuar me një vit më parë ku në 2024 ishin 2.3 miliardë lekë.

Për të vijuar më tej. Kemi gjithashtu një numër më të lartë të auto-zjarrfikëseve, mjeteve zjarrfikëse të vëna në dispozicion. Aktualisht shërbimet vendore disponojnë rreth 170 automjete. Sigurisht, shpërndarja dhe funksionaliteti i tyre paraqitet i fragmentarizuar. Që do të thotë, disa bashki kanë makina zjarrfikëse më të fundit, disa të tjerat kanë nevojë për rinovim. Por sigurisht kemi dhe struktura të posaçme, për në zona të një rëndësie të veçantë, siç është rasti i aeroportit ndërkombëtar “Nënë Tereza” dhe Portit të Durrësit, ku janë dislokuar dhe strukturat e specializuara.

Nga ana tjetër, përmendëm më herët nevojat, pra kërkesën që kanë paraqitur ndaj strukturave konkretisht për mbrojtjen nga zjarri, për identifikimin e mjeteve, teknologjisë, automjeteve dhe nga raporti i fundit më është përcjellë, një nga nevojat më prioritare është rinovimi i flotës operacionale dhe për këtë kemi planifikuar blerjen e rreth 100 automjeteve zjarrfikëse. Kështu që dhe këto do të shpërndahen, pa dyshim, duke përfshirë këtu dhe mjete të specializuara, në mënyrë sa më të drejtë duke marrë parasysh së pari nevojat më emergjente, statusin ku ndodhen bashkitë, në kuptimin e mjeteve zjarrfikëse që disponojnë.

Pra për 61 bashki, ne do të kemi një shpërndarje sa më të drejtë, në funksion të shërbimit sa më efikas dhe të gjendur në kohë sa më të shpejtë pranë situatave që paraqiten. Për të vijuar më tej, unë përmenda më herët bashkëpunimin me partnerët kombëtarë, siç ishte rasti për projektin me polakët, ku ne, në kuadër të këtij projekti të financuar nga Bashkimi Europian, patëm ngritjen e 2 stacioneve zjarrfikëse, konkretisht në Fier dhe në Pogradec, si dhe përmes këtij projekti u siguruan uniforma dhe pajisje moderne për disa bashki të tjera.

Nga ana tjetër kemi dhe vijimin e bashkëpunimit me AKMC-në, pra Agjencinë Kombëtare për Emergjenca Civile dhe Zyrën e Bashkëpunimit të Mbrojtjes Amerikane, ku është rënë dakord për ndërtimin e 4 stacioneve të reja zjarrfikëse, konkretisht në Përrenjas, në Mat, në Patos dhe në Mirditë.

Kujtojmë këtu që për mbështetje për Shërbimin e Mbrojtjes nga Zjarri, është siguruar dhe përmes projektit, nga gazsjellësi i TAP, i cili ka siguruar 16 mjete zjarrfikëse dhe trajnime, mbështetje për 168 efektivë të zjarrfikësve, në 10 bashki të vendit, kudo ku ka qenë gjurma e këtij gazsjellësi.

Një tjetër projekt me rëndësi në mbështetje të Shërbimit për Mbrojtjen ndaj Zjarrit ka qenë ALPACT, me vlerë rreth 100 milionë dollarë, në bashkëpunim me Bankën Botërore synon rritjen e kapaciteteve të reagimit ndaj emergjencave dhe ndryshimeve klimatike.

E përmenda pak më parë, që ne i paraprimë dhe sezonit të verës, ku sigurisht për fatin tonë të keq, kemi hasur raste të shpeshta edhe të zjarrvënieve të qëllimshme, dhe kjo në kuptim tonë një rrezik real, një punë intensive, stres më shumë për Shërbimin Zjarrfikës. Në të njëjtën kohë janë ndërtuar ose janë në proces ndërtimi stacione të reja zjarrfikëse në Tiranë, në Kamëz, në Lushnje dhe përmenda më herët, në Burrel dhe në Fier, Pogradec.

Pra, flasim për nevoja reale të Shërbimit për Mbrojtjen ndaj Zjarrit, duke përfshirë si ato me teknologji, si ato që lidhen me trajtimin më dinjitoz, të mirë për vetë misionin tejet fisnik, që paraqet Shërbimi për Mbrojtjen ndaj Zjarrit, dhe në kuptimin e pagave dhe shtesave mbi page, po ashtu edhe me teknologji.

Kështu që jam tejet i vetëdijshëm, për sfidat e këtij shërbimi, por mbi të gjitha jam shumë i vendosur, për të sjellë një kontribut sa më të qenësishëm për çdo efektiv të shërbimit zjarrfikës në të 61 bashkitë e vendit. Faleminderit dhe jam i gatshëm për çdo reagim tjetër.

ORGANIZIMI DHE KAPACITETET AKTUALE

  • 12 drejtori vendore (qendër qarku)
  • 49 njësi në bashkitë e tjera
  • 70 stacione zjarrfikëse në gjithë vendin (8 stacione në Tiranë)
  • 1,350 efektivë
  • 170 automjete zjarrfikëse

PRIORITETE

  • Rinovimi i flotës (100 automjete të reja)
  • Investime në pajisje mbrojtëse dhe teknologji moderne
  • Zgjerim i infrastrukturës

PROJEKTE DHE BASHKËPUNIME NDËRKOMBËTARE

  • Donacione: Kanadaja, Franca dhe vende të BE-së
  • Projekt me BE me Poloninë: Ndërtimi i stacioneve në Fier dhe Pogradec
  • Bashkëpunim me AKMC dhe partnerë amerikanë: 4 stacione të reja
  • Mbështetje nga TAP: 16 automjete dhe trajnime për 168 efektivë
  • Projekti me Bankën Botërore: Rritje kapacitetesh për emergjenca dhe ndryshimet klimatike, 100 mln dollarë

PËRMIRËSIMI I KUSHTEVE TË PUNËS DHE PAGAVE

  • VKM 2024: Rritje e pagave dhe shtesave për të gjitha gradat
  • Pagat aktuale: Nga 65,000 lekë (asistent) deri në 164,000 lekë (drejtues i lartë)
  • Në proces: VKM për pagesën e orëve shtesë dhe përmirësim të mëtejshëm të trajtimit financiar

SFIDAT

  • Rinovimi i flotës operacionale
  • Sigurimi i teknologjive të avancuara (dronë për monitorim)
  • Rritja e kapaciteteve në nivel vendor
  • Menaxhimi i sezonit veror dhe zjarreve të shpeshta (përfshirë zjarrvëniet e qëllimshme)