Ministria e Punëve të Brendshme

Siguria ushqimore është një standard i padiskutueshëm për integrimin në BE dhe për të parë nga afër zbatimin e masave të kontrollit në pikat kufitare, Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari inspektoi PKK Durrës së bashku me ministrin e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla dhe drejtoren e AKU-së, Blerina Gjylameti.

Ministri Lamallari theksoi se pika e kalimit kufitar në portin e Durrësit është nyja kryesore për produktet e importit.

“Pika e Inspektimit Kufitar (PIK) Durrës, nyja kryesore ku kalon mbi 40% e produkteve që hyjnë në Shqipëri dhe një pikë kyçe edhe për tranzitin rajonal. Po forcojmë kontrollin në kufi për të garantuar që çdo produkt që hyn në tregun shqiptar të jetë i sigurt, i kontrolluar dhe në përputhje me standardet, përmes një koordinimi më të ngushtë mes AKU-së, Policisë së Shtetit dhe doganave,” shprehet Ministri.

Në lidhje me inspektimin, ai nënvizon se “bashkë me ministrin e Bujqësisë, Andis Salla dhe drejtoreshën e AKU, Blerina Gjylameti, ishim në Portin e Durrësit për të parë nga afër punën për kontrollin e sigurisë ushqimore. Përmes Policisë së Shtetit dhe strukturave kundër krimit ekonomik, ne jemi në terren çdo ditë për të parandaluar futjen e produkteve të pasigurta, për të goditur kontrabandën dhe për të çmontuar çdo rrjet që rrezikon shëndetin e qytetarëve.”

Duke vënë në dukje rëndësinë që ka kontrolli i sigurisë ushqimore për procesin e integrimit në BE, Ministri Lamallari bën me dije që “përmbushja e standardeve të BE në këtë fushë nuk është thjesht një detyrim teknik, por një provë konkrete e seriozitetit të shtetit për të mbrojtur qytetarët dhe për të ndërtuar besim te partnerët ndërkombëtarë. Një vend që garanton ushqim të sigurt dhe cilësor është një vend që tërheq më shumë vizitorë, rrit besueshmërinë e destinacionit dhe forcon ekonominë vendase.”

Sa i përket përmirësimit dhe modernizimit të procesit të kontrolleve në pikat kufitare, Ministri nënvizoi gjithashtu se “është në proces modernizimi i një rrjeti prej 5 pikash të inspektimit kufitar, në Durrës, Vlorë, Kapshticë, Kakavijë dhe Qafë Thanë, për të rritur kapacitetet e analizës, kontrollit dhe monitorimit, si në import ashtu edhe në eksport, duke garantuar që asnjë produkt të mos hyjë në treg pa kaluar filtrat e sigurisë ushqimore.”