Ministria e Punëve të Brendshme

Pas emergjencës së shkaktuar nga zjarri në fasadat e një pallati në Tiranë, Ministri i Punëve të Brendshme Besfort Lamallari, ka shkuar në vendngjarje, së bashku me drejtuesit e strukturave të varësisë, për të ndjekur nga afër operacionin për shuarjen e flakëve dhe shpëtimin e banorëve të rrezikuar që gjendeshin brenda ambjenteve të pallatit.
Në një postim në rrjete sociale, Ministri Lamallari nënvizon se fatmirësisht nuk pati rrezik për jetët njerëzore, ndërkohë që u plagosën me plagë të lehta, 6 efektivë zjarrfikës, dhe dy shtetas banorë të pallatit.
“Teksa vijon operacioni për vënien nën kontroll të plotë të zjarrit në pallatin që u përfshi nga flakët, isha në QSUT për të parë nga afër gjendjen e 6 efektivëve zjarrfikës të lënduar dhe dy qytetarëve. Fatmirësisht siç më thanë mjekët, ndodhen jashtë rrezikut për jetën” – shprehet Ministri Lamallari.
Në lidhje me masat e marra dhe operacionin e zhvilluar, Ministri thekson se: “Prej momenteve të para të zjarrit kam qenë gjithashtu në terren bashkë me forca të Shërbimit Zjarrfikës, forca të Policisë së Shtetit dhe skuadrat e Emergjencave Civile që bënë gjithçka ishte e nevojshme për të mos pasur mbi të gjitha pasoja në jetë njerëzish.”

Çështja është nën hetim për të zbuluar rrethanat dhe shkaqet e zjarrit.

Një ditë pas ngjarjes, Kryeministri Rama përmes një postimi në rrjetet sociale u shpreh se banesat e dëmtuara do të rindërtohen nga vetë kompania e ndërtimit:

“Pallati që u dogj dje në Tiranë, do të rindërtohet 100% nga vetë ndërtuesi, pavarësisht se nga të dhënat paraprake shkaku i zjarrit s’ka asnjë lidhje me vetë ndërtimin! Sepse ne nuk mund t’i lemë vetëm njerëzit e dëmtuar në pronën e tyre dhe nga ana tjetër, taksapaguesit nuk mund të paguajnë një dëm të cilin duhet ta paguanin sigurimet – rast kuptimplotë për të kuptuar të gjithë se sigurimi i shtëpisë nga fatkeqësitë është i domosdoshëm. Gjithësesi, të gjithë familjarëve të dëmtuar u them të ndjehen të qetë nga kjo anë dhe iu uroj vetëm shëndet, duke falenderuar nga zemra zjarrfikësit e forcat e rendit për punën heroike në shpëtimin e të gjitha jetëve të rrezikuara”.