Ministria e Punëve të Brendshme

Tiranë – Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, zhvilloi një takim me një delegacion të nivelit të lartë nga Republika e Polonisë, të kryesuar nga Tomasz Czyż, Drejtor i Departamentit të Bashkëpunimit Ndërkombëtar, në prani të Ambasadorit të Polonisë në Shqipëri dhe Drejtorit të Përgjithshëm të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit (MZSH), Arben Cara.

Gjatë takimit, palët diskutuan mbi forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional, me theks të veçantë në shkëmbimin e eksperiencave dhe rritjen e kapaciteteve profesionale të shërbimit zjarrfikës. U ndanë vlerësime të përbashkëta mbi rëndësinë e thellimit të këtij bashkëpunimi, në funksion të përmirësimit të menaxhimit të emergjencave dhe rritjes së sigurisë për qytetarët.

Ministri Lamallari shprehu mirënjohjen për mbështetjen dhe gatishmërinë e palës polake për të kontribuar në zhvillimin dhe modernizimin e strukturave zjarrfikëse në Shqipëri, duke ritheksuar rolin thelbësor që partneritetet ndërkombëtare luajnë në forcimin e kapaciteteve kombëtare në fushën e mbrojtjes civile.

Takimi u vlerësua si një hap i rëndësishëm drejt intensifikimit të bashkëpunimit dypalësh dhe ndërtimit të kapaciteteve më të qëndrueshme për përballimin e emergjencave.