Ministria e Punëve të Brendshme

Ministri Lamallari: Fondi i posaçëm do të mbështesë qendrat spitalore dhe bashkitë

Puna për lirimin dhe pastrimin e hapësirave publike të zëna nga automjete dhe motomjete të vjetra vijon pa ndërprerje. Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, së bashku me Kryeadministratoren e Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara (AAPSK), Risena Xhaja, inspektuan  punën në Lundër, një nga pikat më të mëdha të grumbullimit të mjeteve të konfiskuara ndër vite.

Gjatë inspektimit, Ministri Lamallari theksoi se mjetet e konfiskuara me vendim administrativ dhe ato të bllokuara nga Policia e Shtetit do të kalojnë për skrap, duke liruar hapësira publike të rëndësishme dhe duke gjeneruar të ardhura financiare.

“Këto mjete, plot 2 253 automjete që lirohen vetëm në tre pika grumbullimi në Tiranë, do të kontribuojnë jo vetëm në çlirimin e hapësirave publike, por edhe në krijimin e një fondi të posaçëm. Ky fond do të vihet në shërbim të forcimit të kapaciteteve të Policisë së Shtetit, Prokurorisë së Përgjithshme, Prokurorisë së Posaçme, Byrosë Kombëtare të Hetimit, si dhe në mbështetje të qendrave spitalore dhe bashkive. Operacioni do të vijojë në shkallë kombëtare”, u shpreh Ministri i Punëve të Brendshme.

Nga ana e saj, kryeadministratorja e AAPSK, Risena Xhaja, bëri me dije se në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë janë gjithsej 24 pika të tilla grumbullimi, ndërsa numri total i automjeteve dhe motomjeteve të magazinuara i afrohet 15 000.

“Në zonën e Lundrës kemi edhe mjete që i përkasin rezervave të shtetit, të përziera me mjetet e konfiskuara. Aktualisht këtu ndodhen rreth 1 400 mjete dhe territori që po lirohet është rreth 9.5 hektarë. Procesi i evidentimit vijon edhe në zona të tjera të vendit, ndërsa i gjithë pastrimi i territorit pritet të përfundojë brenda gjashtë muajve, duke marrë parasysh edhe vështirësitë e terreneve ku ndërhyhet”, deklaroi Xhaja.

Ministri Lamallari theksoi gjithashtu se hapësirat e liruara mund të vihen në funksion të nevojave operative të Policisë së Shtetit dhe të shërbejnë për përmirësimin e shërbimit ndaj qytetarëve.