Ministria e Punëve të Brendshme

Tiranë – Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, zhvilloi konferencën periodike me media, ku prezantoi arritjet, sfidat dhe hapat e mëtejshëm në përmbushje të prioriteteve të këtij kapitulli kyç për integrimin europian, si dhe iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve – VIDEO

Ministria e Punëve të Brendshme vijon angazhimin e saj të qëndrueshëm në kuadër të Kapitullit 24 “Drejtësia, Liria dhe Siguria”, përmes reformave konkrete dhe rezultateve të matshme në forcimin e shtetit ligjor dhe garantimin e sigurisë.

Përmes intensifikimit të luftës kundër krimit të organizuar, rritjes së standardeve të sigurisë kufitare dhe përmirësimit të menaxhimit të migracionit, si dhe duke konsoliduar rolin e Policisë së Shtetit si një aktor aktiv në sigurinë europiane, Shqipëria vijon pa ndalim rrugën e saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.

Reformat në kuadër të procesit të negociatave për integrimin në BE, çështjet e luftës kundër krimit të organizuar, masat e marra për luftën kundër lëndëve narkotike dhe problematikat e tjera që lidhen me fushën e përgjegjësisë së Ministrisë së Punëve të Brendshme, ishin temat kryesore që trajtoi në një konferencë për shtyp, Ministri Besfort Lamallari, e cila zgjati rreth 90 minuta. Ministri Lamallari iu përgjigj të gjitha pyetjeve të drejtuara nga gazetarët, të tilla si ndryshimet në strukturën drejtuese të DPPSH, masat e sigurisë pas një njoftimi të Ambasadës së SHBA, ndalimi i monopatinave, ndryshimet ligjore në Kodin Penal etj.

Duke u ndalur në procesin e integrimit në BE, Ministri Lamallari solli në vëmendje faktin që MPB ka një rol primar në Kapitullin 24 “Drejtësia, Liria dhe Siguria”, dhe bëri një përmbledhje sintetike të arritjeve të derisotme dhe vlerësimeve shumë të mira, të bëra nga partnerët europianë.

Në lidhje me komunikimin me median, Lamallari theksoi se takime të tilla do të jenë periodike me qëllim që përmes medias, të bëhet transparencë dhe informohet publiku mbi çështjet me interes sidomos mbi procesin e integrimit në BE.

Fjala e plotë e Ministrit të Punëve të Brendshme Besfort Lamallari në konferencë shtypi

Mirëmëngjes,
Faleminderit për praninë tuaj! Ky është takimi i parë pas rikthimit tim në Ministrinë e Punëve të Brendshme. Sigurisht nuk do të jetë i fundit, pasi takime të tilla do t’i kemi periodike, në mënyrë që përmes jush të informohet edhe publiku dhe të bëjmë transparencë mbi vendimmarrjet tona, nismat tona, që kanë interes për vendin dhe qytetarët. Po ashtu edhe zhvillimet e ecurisë së procesit me rëndësi kombëtare, që ka të bëjë me negociatat në tërësi dhe në veçanti me Kapitullin 24, “Drejtësia, Liria dhe Siguria”, për të cilat Ministria e Punëve të Brendshme dhe Policia e Shtetit mbajnë përgjegjësinë kryesore.
Prandaj do të doja ta nisja këtë takim me ju sot për të diskutuar fillimisht lidhur me arritjet kryesore në procesin e negociatave. Sigurisht, ky është një proces që vijon dita-ditës, është goxha intensiv dhe vetëm javën e kaluar unë isha në Bruksel, ku pata mundësi të takohem si me përfaqësues të Parlamentit Evropian dhe me Komisionerin Evropian për Çështjet e Brendshme dhe Migracionin, Magnus Brunner, po ashtu edhe me përfaqësues të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian të COELA-s, ku padyshim u njoh progresi i bërë nga vendi ynë në kuptim të negociatave të Kapitullit 24, ku peshën kryesore këtu e mban Policia e Shtetit, pasi ka edhe çështje kryesore që lidhen me luftën kundër krimit të organizuar, krimeve të rënda, migracionit, kontrollit kufitar, pasi sigurisht të qenit pjesë e familjes evropiane nënkupton që kufijtë e Shqipërisë më pas i përkasin Evropës së bashkuar.
Kishim shumë për të raportuar, progres i cili është njohur edhe nga Komisioni Evropian në raportin e fundit për Shqipërinë, ku është konsideruar një progres i mirë. Progres i mirë sa i përket Kapitullit 24, që do të thotë që të gjitha përpjekjet e Ministrisë së Punëve të Brendshme, agjencive në varësi të saj dhe Policisë së Shtetit janë vlerësuar pozitivisht dhe tani jemi në negociatat e karakterit më politik, sidomos kur flasim për çështje shumë të rëndësishme, si miratimi i planit Schengen, që Shqipëria e ka realizuar së fundmi, por ashtu edhe rritja, nevoja e rritjes me vendet anëtare në kuptim të strukturave të reja që janë ngritur në Policinë e Shtetit, konkretisht zyra për rikuperimin e aseteve, e cila është një vlerë e shtuar në luftë kundër pastrimit të parave dhe krimit ekonomik, pasi nevoja për pasjen e kontaktit kombëtar 24 orë në shtatë ditë, mundësohet falë kësaj zyre, e cila është plotësisht funksionale me miratimin e ligjit.
Së fundmi, kemi tashmë ekipin e duhur në Policinë e Shtetit, për të adresuar kërkesat që vijnë nga vendet e ndryshme anëtare, verifikime, apo hetime të thelluara në raport dhe në bashkëpunim edhe me organet e Prokurorisë, qoftë të përgjithshme apo të posaçme, për të bërë të mundshme rritjen e mëtejshme të konfiskimeve në luftën kundër krimit të organizuar. Nga ana tjetër kemi zhvillime shumë të rëndësishme që janë njohur edhe nga vendet anëtare, që kanë të bëjnë me luftën kundër drogave, konkretisht ngritja e sistemit të paralajmërimit të hershëm për substancat psikoaktive që do të thotë, të gjitha agjencitë ligjzbatuese, por përsëri peshën kryesore e mbart Policia e Shtetit, në bashkëpunim edhe me agjencitë e tjera si Doganat, mjekësia ligjore, spitalet, që do të bëjnë të mundur verifikimin e çdo rasti ku konstatohet ose mendohet se ka pasur përdorim të substancave psikoaktive, përfshirë edhe ato më të rejat që krijohen në vende të ndryshme dhe synojnë Evropën, duke miksuar elementë kimikë për të prodhuar drogë, është një sfidë reale për Bashkimin Evropian, për Shqipërinë, për rajonin.
U përshëndet edhe nga Komisioni Evropian fakti që ne ngritëm një zyrë të dedikuar, pikërisht për të bërë të mundur koordinimin e informacionit dhe shkëmbimin në kohë reale me Komisionin Evropian, për drogat e reja që mund të konstatohen në vend, në mënyrë që të bëhet më pas edhe klasifikimi i tyre si droga të paligjshme dhe përditësime në bazën ligjore, në mënyrë periodike.
Nga ana tjetër, nuk jemi mjaftuar me kaq, por kemi vijuar më tej duke ngritur një zyrë të dedikuar e cila shkon përtej aspektit represiv, që do të thotë, observatori ndërkombëtar i drogave, njësi e cila do të ketë në fokus pikërisht përtej përpjekjeve të zbatimit të ligjit, por edhe koordinimin e informacionit dhe marrjen e politikave të duhura, bazuar në informacion më tepër edhe në këndvështrim të shëndetit publik.
Pra, duke e trajtuar çështjen e drogave si kurrë më parë në Shqipëri dhe një çështje që shkon përtej arrestimeve, që është punë e përditshme e policisë, por edhe një çështje që ka të bëjë me rehabilitimin, trajtimin e personave që kanë varësi ndaj drogave, pra një çështje dhe qasje më humane ndaj këtij fenomeni i cili prek kategori të ndryshme, kryesisht ato vulnerabël, por edhe të tjera të cilat sigurisht në momente të caktuara kanë nevojë për mbështetje dhe trajtim.
Kjo është diçka që ne po bëjmë si me Qendrën Evropiane për Monitorimin e Varësisë nga Drogat, apo Agjencinë e Bashkimit Evropian për Drogat me seli në Lisbonë dhe Shqipëria ka fatin që për herë të parë të jetë e ulur në tryezë si nga ana e politikave të bordit të menaxhimit të kësaj agjencie, edhe pse në statusin e vëzhguesit, duke qenë se ne nuk jemi vend anëtar, por kjo është fatmirësisht e mundur për shkak edhe se direktiva përkatëse në nivel të Bashkimit Evropian ka ndryshuar dhe ka lejuar së fundmi edhe përfshirjen e vendeve joanëtare, por me status të avancuar në negociata, ku Shqipëria paraqiti menjëherë interesin e saj dhe u pranua.
Kështu që kjo është vërtet pozitive, pasi e sjell Shqipërinë në tryezën evropiane. Po një fenomen kaq i rëndësishëm ka të bëjë me informacionin dhe me politikat që duhet të ndërmarrë në mënyrë efektive për adresimin e një problematike tejet të rëndësishme që lidhet me abuzimet që bëhen me drogat e paligjshme.
Nga ana tjetër, kemi bërë progres të ndryshimeve të Kodit Penal të cilat në muajin janar kaluan duke adresuar kështu një kërkesë të vazhdueshme të Bashkimit Evropian për adresimin dhe bërjen pjesë integrale të kuadrit ligjor vendas të shtatë direktivave të cilat lidhen me çështje shumë të rëndësishme që kanë të bëjnë me trafikimin e armëve, qenieve njerëzore, mbrojtjen e të miturve nga abuzimi “online” dhe “offline”, kryesisht shfrytëzimi seksual, por edhe çështjet që lidhen me trafikimin e drogave dhe aspekte të sigurisë kufitare, e të tjerë.
Pa dyshim këto janë zhvillime të rëndësishme që janë njohur edhe nga Komisioni Evropian. Megjithatë, ky është një proces që vijon, si në kuptim teknik dhe çdo operacion policor që zhvillohet nga Policia e Shtetit, në bashkëpunim dhe koordinim të ngushtë me Europol, por edhe ato që materializohen më tej në vendime gjykatash për goditjen dhe arrestimin e grupeve kriminale dhe sekuestrimin e pasurive të tyre të paligjshme, njihen edhe nga raportet e Eurojust, që është pikërisht institucioni i Komisionit Evropian që bën bashkë prokurorë dhe gjyqtarë, ku edhe Shqipëria prej vitesh është e përfaqësuar përmes një prokurori ndërlidhës.
Edhe në raportin më të fundit të këtij institucioni prestigjioz të Komisionit Evropian është konstatuar kontributi proaktiv që Shqipëria ka dhënë duke qenë vërtet pjesëmarrëse jo vetëm në platforma të cilat iniciohen nga vendet e tjera, por edhe duke iniciuar vetë çështje të cilat marrin sigurisht bashkëpunimin dypalësh si me Italinë dhe vende të tjera të rajonit dhe më pas konkludohen në dënime për trafikantë, qoftë të drogave, armëve dhe veprimtari të tjera të paligjshme të krimit të organizuar.
Këto janë absolutisht shumë të rëndësishme. Po ashtu Shqipëria ka bërë progres sa i përket përafrimit të politikës së linjëzimit me politikën e vizave, ku ne kemi miratuar edhe vendimin e Këshillit të Ministrave, duke hequr nga lista e vendeve që më parë ishin pa viza në Shqipëri, por duke u përafruar me politikën që ndiqet në nivel të Bashkimit Evropian, ku kërkohet vizë.
Përtej marrëdhënieve bilaterale, nuk ka aspiratë dhe detyrë më të madhe ndaj qytetarëve shqiptarë sesa përafrimi me familjen evropiane, që do të thotë edhe përmbushja e atyre detyrave që kanë të bëjnë me linjëzimin e politikave kombëtare të vizave me atë të Bashkimit Evropian.
Kemi dakordësuar me Komisionin një plan të qartë me vendet të cilat i kemi pa viza dhe që duhen shtuar vizat në mënyrë që të njihet ky progres në mënyrë të plotë nga Bashkimi Evropian. Këtu së shpejti do të kemi edhe dy vende të tjera të cilave u rikthehet regjimi me viza, por nga ana tjetër, ne kemi marrë përpjekjet e nevojshme për të adresuar dhe prezantuar mekanizma të rinj në sistemin e vizave që kanë të bëjnë me e-visa, ku lehtësohet procedura për agjencitë ligjzbatuese për kryerjen e verifikimeve të nevojshme dhe lëshimin e vizës online.
Pra, në respekt të plotë të detyrimeve që vijnë nga sistemi i vizave në Bashkimin Evropian dhe koordinimi i këtij informacioni me platformat përkatëse të Komisionit, që tregon se vërtet Shqipëria dita-ditës merr të gjithë hapat e nevojshëm për linjëzim të plotë jo vetëm në kuadrin ligjor.
Pa dyshim ky është detyrim dhe nuk ka negociatë në kuptim të kapitujve themelorë, pasi janë kapituj ku mund të negociosh vetëm kohë. Por ne nuk kemi absolutisht kohë për të humbur. Është në interesin e Shqipërisë dhe jo vetëm, që Shqipëria sa më parë të jetë pjesë e familjes evropiane, duke marrë parasysh këtu edhe zhvillime gjeopolitike dhe strategjike në rajon dhe më gjerë, luftërat që zhvillohen në Ukrainë, Iran dhe të tjerë, ku pa dyshim projekti evropian është një projekt sigurie.
Prandaj Shqipëria, bërja pjesë e Shqipërisë në Bashkimin Evropian nuk është përfituese në kuptimin ekonomik dhe social vetëm për shqiptarët, por padyshim edhe për Bashkimin Evropian. Është mëse e qartë edhe në kuptim të nivelit politik se përafrimi i vendeve dhe integrimi i tyre në familjen evropiane është projekt gjeopolitik.
Kështu që ne vijojmë intensivisht me raportimin tonë për përmbushjen e detyrave. Ajo çfarë kam kërkuar nga Policia e Shtetit dhe nga drejtori i ri i përgjithshëm i Policisë së Shtetit është që ne ta konsiderojmë çështje prioritare, që çdo strukturë në Policinë e Shtetit të jetë plotësisht e angazhuar në përmbushjen e detyrimeve që nisin nga Kapitulli 24, raportimi në kohë reale për të gjitha zhvillimet, pasi çdo operacion që kryhet llogaritet me vlerë të track-record-it të famshëm.
Gjithkush është njohur tashmë me rëndësinë e track-record-it, apo historikut të të dhënave të raportuara, të cilat sigurisht përbëjnë edhe një rritje të besueshmërisë të autoriteteve shqiptare, në bashkëpunimin dypalësh apo shumëpalësh me vendet anëtare të Bashkimit Evropian.
Kështu që, Policia e Shtetit dhe agjencitë e tjera në varësi të Ministrisë së Punëve të Brendshme, janë totalisht të angazhuara për të çuar përpara këtë aspiratë të qytetarëve shqiptarë në kuptim të negociatave, sidomos për Kapitullin 24.
Sigurisht që Ministria e Punëve të Brendshme kontribuon edhe në shumë kapituj të tjerë me rëndësi dhe përmbyllja e procesit teknik është prioritet maksimal i qeverisë shqiptare, i çdo agjencie, çdo institucioni të angazhuar. Është një ekip i jashtëzakonshëm që përfaqëson Shqipërinë në mënyrë dinjitoze, duke filluar me negociatorët, por edhe çdo punonjës të shtetit shqiptar, që përmbush në mënyrë të përditshme detyrat e shtëpisë, por edhe raporton në mënyrë shumë profesionale dhe dinjitoze, të cilën unë kam pasur fatin ta njoh vetë personalisht gjatë kohës që isha i angazhuar si negociator për Kapitullin 24 dhe vërtet kjo është një punë e lavdërueshme, e cila bën krenar çdo shqiptar.
Në mënyrë të përgjithshme, këto ishin çështjet kryesore që unë doja të ndaja me ju, edhe si informacion i përmbledhur për qytetarët shqiptarë, pasi pa dyshim aderimi i Shqipërisë në familjen evropiane është një aspiratë e kahershme, e cila për fatin e mirë vetëm tani ne shohim që është në fazën më të avancuar se kurrë dhe nuk ka kurrëfarë dyshimi se krahas Reformës në Drejtësi, e cila vazhdon e palëkundur, mbështetja e qeverisë shqiptare vijon dhe do të vijojë për Reformën në Drejtësi dhe institucionet e drejtësisë.
Por nga ana tjetër është shumë e rëndësishme që agjencitë ligjzbatuese me Policinë e Shtetit në krye, dhe çdo agjenci tjetër të koordinojnë së brendshmi informacione tejet të nevojshme, përfshirë atë operativ, inteligjencën, por edhe në bashkëpunim të ngushtë me organet e prokurorisë dhe gjykatave për të bërë të mundur finalizimin me sukses të këtyre operacioneve, të cilat në fund të ditës i shërbejnë jo vetëm integrimit evropian, por mbi të gjitha qytetarëve shqiptarë për më shumë siguri, rend dhe zhvillim ekonomik.
Siguria, në mënyrë të padiskutueshme dhe në mënyrë integrale, lidhet dhe dikton edhe integrimin në familjen evropiane, përmes fuqizimit ekonomik të shoqërisë, të vendit, në mënyrë që të jemi konkurrues me vendet e tjera dhe jo vetëm të synojmë të përfitojmë nga fondet e paraaderimit, por vërtet të krijojmë kushtet e nevojshme që Shqipëria produktet më të mira të veta t’i ketë të mundur t’i eksportojë jashtë, por edhe të ofrojë jo vetëm siguri, por edhe produkte cilësore të dobishme për tregun evropian.
Këto janë përfitimet kryesore që vijnë për Shqipërinë, për qytetarët shqiptarë, jo vetëm në Shqipëri por edhe zhvillime ekonomike, përfitime të ndryshme, të cilat kanë të bëjnë me lëvizjen e mallrave, të njerëzve dhe çdo përfitim tjetër të mundshëm që gëzon çdo vend anëtar.
Shumë faleminderit për vëmendjen tuaj. Tani jam i hapur për pyetjet tuaja.

Pyetje: Në lidhje me deklaratën, ose le të themi postimin nga Ambasada Amerikane, ose më saktë një mesazh, sensibilizimi dhe qetësimi për opinionin publik. Cilat janë masat të cilat po merret nga Policia e Shtetit, sa i takon kërcënimeve, të paktën të anonçuara nga Ambasada Amerikane, të grupeve të lidhura me Iranin. Pra, kemi një plan masash të mirëfilltë të drejtuar nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe Policia e Shtetit?
Ministri Lamallari: Shumë faleminderit! Lidhur me pyetjen e parë, siç pata mundësinë, ta bëj me dije dhe për qytetarët shqiptarë për të për t’i garantuar ata lidhur me situatën e sigurisë në vend, gjatë seancës së djeshme në Parlament, ku unë me përgjegjësi të plotë komunikova disa fakte shumë të rëndësishme. Së pari, Shqipëria ka prej disa kohësh, që ka marrë masat e nevojshme, në kupim të vlerësimit të riskut nga të gjithë agjencitë ligzbatuese, përfshirë edhe ato të inteligjencës, në bashkëpunimin dhe me partnerët kombëtarë. Jo vetëm kemi bërë vlerësimin e riskut, por edhe një plan masash lidhur me, jo vetëm sigurinë publike në sheshe publike, në vendndodhje me rëndësi kritike, por edhe infrastrukturën kritike në tërësi, ku përfshihen të gjitha agjencitë ligjzbatuese dhe të inteligjencës. Secili ka rolin e vet. Policia e Shtetit është me masa të shtuara sigurie në këto vendndodhje, të cilat konsiderohen me rëndësi kritike, për sigurinë e tyre dhe kjo ka ndodhur shumë kohë më parë, duke marrë në konsideratë zhvillimet në Lindjen e Mesme. Duke marrë parasysh edhe reagimin të publik të Ambasadës, sigurisht pata komunikim dhe kërkova nga struktura përkatëse të Policisë së Shtetit, përfshirë Drejtorinë e Antiterrorit, Policinë Kriminale si dhe Sigurinë Publike, për të për të më informuar lidhur me masat që ato kishin marrë dhe komunikimet që kanë patur me përfaqësues të Ambasadës. Nga informacioni i përcjellë nga ana e tyre, është bërë me dije se së pari, nga komunimet që ka patur me përfaqësues të zyrës së sigurisë së Ambasadës, është konfirmuar se ky është një lajmërim standard, që është bërë edhe në vendet e tjera të të botës, përfshirë dhe të Bashkimit Europian. Nga ana tjetër, ata vlerësojnë dhe kjo është komunikuar dhe më pas, në takimet që kanë pasur dhe ditën e djeshme, ku është vlerësuar bashkëpunimi dhe angazhimi i qeverisë shqiptare dhe i Policisë së Shtetit, për masa e shtuara, që ka marrë jo vetëm ditën e djeshme, por prej kohësh tashmë, duke marrë konsideratë faktin që Policia e Shtetit tashmë ka ngritur kapacitetet e nevojshme, për t’iu përgjigjur kërcënime të ndryshme që mund të vijnë edhe në formën hibride, edhe ata që zhvillohen përmes dezinformimit në rrjetet sociale online apo metoda të ndryshme që mund të përdoren për të krijuar destabilitet ose përshtypje të një vendi të pasigurt. Ky është në fakt dëmi më i madh që mund të bëhet nga vendi, pasi ne nuk kemi kohë apo luksin, që të perceptohemi si vend i pasigurt, qoftë kjo kur vjen nga lufta hibride, që janë të ekspozuar të gjithë vendet e Bashkimit Europian, apo nga agjenda të caktuara politike, të cilat vendosin politikën e ditës përpara çdo interesi kombëtar, që është integrimi i vendit dhe perceptimi i vendit si një vend i sigurt. Sigurisht ne kemi në fokus dhe synojmë gjithmonë më shumë të mbajmë trendin dhe ta zhvillojmë më tej, për përthithjen e turistëve, të cilët sigurisht përkthehen dhe në ekonomi të shtuar për vendin tonë. Kështu që çdo dëm që i bëhet imazhet përfshirë edhe ato imazhet e pakëndshme, dhe tejet shqetësuese dhe që nuk reflektojnë realitetin në Shqipëri në kuptim të sigurisë dhe kapacitete të rritura dhe gjithë rezultate të njohura tashmë dhe nga raportet ndërkombëtare si Departamenti Amerikan të Shtetit edhe Komisioni Europian, ku unë pata mundësinë, t’i citoj fjalë për fjalë dje në interpelancën e kërkuar nga deputetët e opozitës. Prandaj, çdo përpjekje që synon të krijojë një imazh të gabuar të Shqipërisë është veçse në dëm të qytetarëve shqiptarë dhe ekonomisë shqiptare dhe turizmit. Kështu që, këto realisht nuk duhen lejuar, dhe unë falënderoj përfaqësuesit e medias, të cilët kanë qenë shumë të kujdesshëm në raportime të tilla, pasi në fund të ditës, nuk humbet qeveria, nuk humbet Ministri, por cenohet drejtpërdrejt ekonomia dhe mënyra se si perceptohen shqiptarët. Për shumë vite, për fat të keq, Shqipëria, është etiketuar si “njolla e zezë e rajonit” dhe ky imazh është ndryshuar dhe është me shumë mund dhe nuk mund të lejohet të cenohet për shkak të interesave politike të ditës apo agjendave edhe me qëllime destabilizuese.

Pyetje: Ju keni shërbyer prej disa vitesh në Ministrinë e Punëve të Brendshme si zëvendësministër, dhe në kohën kur ju keni qenë pra si zëvendësministër keni patur shumë projekte me OSBE-në sa i takon sigurisë dhe dorëzimit vullnetar të armëve, pra kryesisht të AVL-ve. Duket sikur ka ngecur ky projekt, pavarësisht se u nis faza e parë e sensibilizimit dhe ndërgjegjësimit, ndërkohë faza e dytë duket sikur ka ngecur duke mos patur një zhvillim të mëtejshëm sa i takon dorëzimit vullnetar të armëve, pra, në lidhje me projektet që ju keni nisur me OSBE-në. Do të vijojmë këto projekte apo jo?
Ministri Lamallari: Eshtë e vërtetë që ne kemi patur një bashkëpunim shumë korrekt, jo vetëm me OSBE-në dhe UNDP-në, por dhe projekte të tjera të cilat ne kemi synuar të afrojmë gjithmonë më shumë me qëllimin e vet, Policinë e Shtetit, kryesisht por edhe agjencitë e tjera, përfshirë doganat, shërbimin postar dhe çdokush që ndërlidhet me luftën kundër armëve, si dhe Policinë Kufitare kryesisht, të cilët kanë përfituar një ndihmë të konsiderueshme në kuptim të teknologjisë së avancuar të përdorur nga ana e tyre. Kjo falë financimit të projekteve të ndryshme si ata që mundësohen falë granteve të Komisionit Europian, po ashtu dhe të vendeve anëtare apo donatorë të tjerë, dhe janë miliona euro të përfituara gjatë këtyre viteve nga Shqipëria, duke qenë dhe në fakt e them me bindje të plotë, dhe vendi flamurmbajtës në kuptim të kësaj iniciative rajonale, e cila nisi në Londër, në vitin 2018, ku u bënë bashkë Ministrat e Brendshëm për të për t’u bërë pjesë e iniciativës për kontrollin e armëve të paligjshme, armëve të vogla dhe të lehta, dhe më pas u angazhua dhe Komisioni Europian. Një nga angazhimet që u ndërmor, edhe në kuadër të strategjisë kombëtare për luftën për kontrollin më të vogla dhe më të lehta ishte dhe nevoja për ndërgjegjësim dhe për të konsideruar dhe përfitimet e mundshme që do të vinin nga kryerja e një amnistie apo mbledhjes në mënyrë vullnetare të armëve, ku qytetarët ftohen për të dorëzuar. Megjithatë, sipas planit të dakordësuar dhe të bërë në mënyrë shumë të kujdesshme dhe me partnerët tanë europianë, zyrën rajonale të financuar nga Bashkimi Europian dhe nga OSBE, është dakordësuar një plan me afate të caktuara dhe masa të caktuara, që fillojnë me ndërgjegjësimin dhe më pas me masat e ndryshme, që duhen marrë, përfshirë dhe ato të karakterit ligjor. Shqipëria sigurisht duhet të ndërhyjë me ligjin përkatës, për të bërë vetëm një dispozitë për kryerjen e amnistisë. Megjithatë, kjo gjithmonë edhe nga vendet anëtare edhe nga zyra rajonale, që koordinon përpjekjet për kontrollin e armëve është bërë me dije se patjetër ne duhet të jemi të vëmendshëm dhe ndaj zhvillimeve rajonale që zhvillohen pra, që kryen dita ditës dhe që mund të perceptohen si cenim të sigurisë, duke marrë në kontekst këtu në konsideratë dhe ato që lidhen me luftërat e ndryshme. Ajo çfarë është shumë e rëndësishme, më tepër se dorëzimi vullnetar i armëve në këtë moment, për të mos u thelluar në detaje të mëtejshme, është kontrolli në kuptim të brendshëm të territorit, për armët dhe kjo ka qenë edhe dhe një nga porositë e lëna për goditjen e fenomenit të armëmbajtjes pa leje. Pa dyshim ligji është shumë i qartë, Kodi Penal është shumë i qartë, sanksionet janë të ashpra dhe çdokush që merr përsipër të bëjë “aventura”, të shkelë ligjin haptazi, duhet t’i bëjë vetë llogaritë. Kjo është bërë e qartë dhe sulmeve të policisë dhe unë pres rezultate të përditshme, raportim të përditshëm lidhur me këtë, goditje të çdo elementi apo edhe kur kemi raste që kanë të bëjnë me përpjekje për trafikimin e armëve, përmes kufijve të Shqipërisë, qoftë duke u depërtuar në territorin shqiptar apo edhe për të lënë kufijtë shqiptarë. Kështu që, ky është fokusi jonë kryesor aktualisht, kjo edhe si kontribut, jo vetëm për sigurinë e shtuar në Shqipëri, por edhe për rajonin dhe më gjerë.

Pyetje: Po bëhen gjashtë muaj tashmë, që ka një urdhër nga Ministria e Punëve të Brendshme, në lidhje me bllokimin e monopatinave. Pyetja është e thjeshtë, ato rregullat e famshme kur do të rikthehen dhe çfarë kanë parashikuar apo ku kanë ngecur, që nuk po bëhet e mundur, pra ndryshimet në Kodin Rrugor, të cilat do t’i rikthejnë ata në rrugë dhe normalisht sipas rregullave të sakta që i njeh, për të gjobitur apo për të shkuar drejt masave administrative për çfarëdolloj shkeljeje që ata bëjnë?
Ministri Lamallari: Gjatë seancës së djeshme në Parlament unë citova për herë të parë shifrat zyrtare të Policisë së Shtetit lidhur me rastet e aksidenteve që kanë ndodhur në tre vitet e fundit. Janë mbi 2 500 aksidente, duke përfshirë edhe humbje jete, si nga përdoruesit e monopatinave, ashtu edhe nga këmbësorët, përfshirë të moshuar, nëna me fëmijë. Të mos harrojmë faktin që këto janë mjete lëvizëse me shpejtësi të caktuar që përbëjnë burim aksidentesh apo që shkaktojnë drejtpërdrejt aksident duke sjellë fraktura dhe dëmtime serioze si të drejtuesit të mjetit, por edhe te këmbësorët. Po ashtu sjellin probleme e kaos në trafik ku drejtuesit e automjeteve që veprojnë sipas rregullave të Kodit Rrugor, u duhet të përballen me ato momentet e pasigurta ku një drejtues mjeti, ndoshta nën moshën e caktuar për drejtimin e një mjeti të tillë, ka vepruar në mënyrë të paligjshme duke sjellë probleme të sigurisë së jetës dhe shëndetit të çdokujt.
Unë e kuptoj që vendimet duhet të mbajnë një ekuilibër mes të drejtës së pronës dhe gjithë elementëve që ju konsideroni, apo dhe sigurisë së jetës. Ndonjëherë mund të jenë edhe antielektorale, megjithatë ne nuk jemi këtu për të qenë populistë, përkundrazi koha provon që vendime të caktuara që mund të duken të forta, provojnë që janë të duhurat. Sepse ato mbrojnë qytetarët, jetën e sigurinë në tërësi të jetës në komunitet. Dhe unë besoj fort që pa dyshim situata e mëparshme nuk mund të vijojë për vetë faktin e shifrave që unë raportova. Nga miratimi i atij urdhri, efektet që ai dha, 6 aksidente, krahasuar me 2500 është një shifër e cila vërtet është kokëfortë e duhet marrë në analizë të kujdesshme për çdo sugjerim apo hap të mëvonshëm. Të gjithë ata deputetë që pretendojnë se janë të shqetësuar për këtë, nuk mund të sillen sikur kjo nuk është e pranishme; kjo shifër është domethënëse dhe duhet marrë në konsideratë, sepse mund të rregullosh pritshmëritë e atyre mbi 1300 që janë të sekuestruara, por pa dokument pronësie. Nga ana tjetër, ky nuk ka qenë një vendim i marrë thjesht në zyrë, por është konsultuar me grupe interesi ku përfshihen dhe qytetarë, me shoqërinë civile, përfaqësues të të rinjve. Sjellim në vëmendje këtu edhe modelet e ndryshme që janë aplikuar kohë më parë në vende të ndryshme të BE. Mjafton të shohim vendimmarrjet në Romë, në Berlin, shembullin e famshëm të Francës, e cila i ndaloi e para monopatinat elektronike. Madje dje u përmend dhe një rast ku u pretendua për një monopatinë e cila ishte me leje. Në fakt nga verifikimet e bëra nga agjencitë përkatëse përfshirë dhe AMP e cila më garantoi që informacioni i është ofruar zyrtarisht dhe deputetit në fjalë dhe është krejt e pavërtetë që mjeti ishte motor elektrik. Pra është shumë e lehtë të abuzojmë, e të ofrojmë informacione duke pretenduar që jemi në mbrojtje të interesit publik, por faktet janë kokëforta dhe duhet të jemi shumë të kujdesshëm sepse çdo nismë që ndërmarrim, mund të sjellë dëme në jetën e shëndetin e qytetarëve.
Prandaj çdo nismë që do të ndërmarrin, qoftë edhe nga deputetët që janë të shqetësuar apo çdokush tjetër që mund të peshojë gjithë aspektet e nevojshme, duhet të ndërmarrë nisma të tilla, qoftë edhe të Kodit Rrugor, duke balancuar të gjithë faktorët dhe jo duke u fokusuar vetëm te e drejta e pronës. E drejta e pronës është adresuar edhe në udhëzim ku përcaktohet qartë se çdokush që kjo pasuri e luajtshme është në posedim të shtetasit, duhet ta provojë këtë me dokumentacion ligjor. Disa prej tyre e kanë bërë tashmë. Një pjesë tjetër që nuk janë në gjendje të ofrojnë këtë dokument, sigurisht nuk mund ta marrin. Për ne pa dyshim prioritare është mbrojtja e jetës dhe sigurisë së qytetarëve.
Jam njohur me konsultimet e bara dhe me draftet si dhe me opinionet e ndryshme që qarkullojnë, por pasi pashë statistikat zyrtare e kam shumë të vështirë t’i injoroj ato, pasi do të ishte tradhti ndaj gjithë atyre të dëmtuarve, përfshi dhe drejtues të monopatinave, pra mbi 2500 raste në 3 vitet e fundit dhe 6 raste të cilat në mënyrë të paligjshme, pra kanë guxuar të lëvizin duke shkaktuar edhe aksidente. Pasi jam njohur me statistikat, personalisht jam shumë ngurrues që të shkoj me nisma të ndryshme ligjore, deri në momentin që të kemi diçka të pjekur, të mirëmenduar dhe jo për qëllime populiste apo edhe tregtare. Sepse në fund të ditës unë jam këtu për të mbrojtur jetën e sigurinë e qytetarëve dhe sigurinë publike në tërësi.

Pyetje: Në lidhje me deklaratën e ambasadës amerikane, cili është mesazhi juaj si ministër i Brendshëm për qytetarët që ndihen të pasigurt dhe të trembur nga këto deklarata, për shkak se njoftimi ishte i saktë dhe qartë ku thuhej se nën sulm mund të jenë edhe sheshe publike apo biznese e hotele ku mund të qëndrojnë përfaqësues të huaj?
Ministri Lamallari: Lidhur me perceptimet e pasigurisë për qytetarët, nuk di se si e vlerësoni ju këtë, por edhe sikur një rast të vetëm të ketë, patjetër në duhet ta vlerësojmë që do të thotë se siguriar, qytetarëve shqiptarë u garantohet në radhë të parë nga autoritetet shqiptare, përfshi Policinë e Shtetit. Për sa i përket deklaratës, edhe nga komunikimi me përfaqësuesit e Ambasadës së SHBA, është bërë me dije se ky njoftim është bërë edhe në vende të ndryshme të Europës dhe botës, përfshirë Belgjikë dhe Holandë. Kështu që nëse qytetarët shqiptarë ndihen të pasigurt, atëherë i bie të themi që edhe qytetarët belgë e holandezë apo vendeve të tjera të Europës, të ndihet të pasigurt. Por nuk besoj që ky është rasti, pasi njoftime të tilla, ju e dini janë bërë në mënyrë periodike, kurdo herë që ka pasur një informacion, qoftë që lidhet edhe me protestat. Një protestë sigurisht mund të shkaktojë trazira në qytet dhe ju e dini që Ambasada e SHBA ka bërë njoftime të tilla për qytetarët amerikanë të cilët duhet të ruhen dhe të rrinë larg vendeve ku zhvillohen protesta, sidomos rastet e fundit që kemi parë kanë qenë të dhunshme. Pikë së pari, janë kërcënim për qytetarët shqiptarë dhe më pas për çdo turist apo person tjetër që viziton Shqipërinë.
Njoftime të tilla janë pjesë e rutinës së përfaqësive diplomatike për qytetarët e tyre, por ajo çfarë ne u garantojmë qytetarëve shqiptarë është që vlerësimi i riskut është bërë shumë kohë më parë. Ka masa të shtuara për disa përfaqësi diplomatike. Dhe për vende që unë thashë, nga vlerësimi i riskut që është bërë muaj e vite më parë, përditësohet në mënyrë periodike.
Policia e Shtetit ka koordinuar në mënyrë të ngushtë me agjencitë e tjera, përfshirë ato të inteligjencës dhe kjo është njohur edhe nga përfaqësuesit e Ambasadës së SHBA, të cilët në komunikimin e mëtejshëm që patën, duke e përcjellë këtë informacion zyrtarisht edhe te ministri i Punëve të Brendshme, ku ka vlerësuar bashkëpunimin me qeverinë shqiptare, për nivelin e sigurisë që autoritet shqiptare kanë garantuar e pa dyshim për vijimin e bashkëpunimit që kanë jo vetëm për çështje të tilla por në tërësi për zhvillimin e mëtejshëm të kapaciteteve të Policisë së Shtetit, për goditjen e veprimtarive të paligjshme, si lufta kundër narkotikëve etj., të cilat janë njohur dhe nga Departamenti Amerikan i Shtetit përmes raportit më të fundit. Ky është bashkëpunimi aktual, kjo është situata e sigurisë në vend dhe absolutisht qytetarët shqiptarë duhet të ndihen shumë të sigurt, pasi kjo është një punë që ne e vijojmë prej vitesh dhe mendoj se kanë dëshmuar si Policia e Shtetit, si partnerët rajonalë e europianë që për sa i përket sigurisë, aq më tepër kërcënimeve që mund të vijnë me një natyrë të theksuar, jemi në komunikim të përditshëm, real, në çdo moment, me agjencitë ligjzbatuese dhe inteligjencën, brenda dhe jashtë vendit. Kështu që nuk ka asnjë bazë për t’u shqetësuar, përkundrazi çdo perceptim pasigurie është shqetësues në kuptim të efekteve të padëshiruara që ai sjell mbi ekonominë, turizmin, që janë ndër asetet kryesore të Shqipërisë.

Pyetje: Që prej muajit dhjetor, është nënshkuar projekti Smart City. Si po vijon implementimi i këtij projekti, kur pritet të përfundojë dhe a keni parashikuar një përshpejtim të tij të tij, duke parë edhe situatën aktuale të sigurisë?
Ministri Lamallari: Për sa i përket projektit “Smart City”, sigurisht është një projekt tërësisht inovativ për Shqipërinë, në kuptim të qasjes ndaj sigurisë në vend.
Përdorimi në avantazhin tonë të teknologjisë më të fundit, që përfshin jo vetëm kamera, detektorë dhe gjithë elementet e tjera që përthithin sinjale të ndryshme, që mund të përbëjnë kërcënim për sigurinë, por dhe aspekti softëare, që përdor Inteligjencën Artificiale, për përpunimin e këtij informacioni, dhe vënien në shërbim të punonjësve të policisë, për dislokimin e trupave apo për parandalimin e ngjarjeve të rënda, si dhe për të garantuar ndëshkimin e shkelësve të ligjit, përfshirë atyre që sillen totalisht të papërgjegjshëm, në akset rrugore kombëtare apo dhe dytësore, duke bërë të mundur këtë.
Prandaj këto javë ne kemi patur ekipin zbatues në Shqipëri, të cilët po vizitojnë 20 shkolla që do të nisin si projekt pilot. Po sigurisht, fokusi ynë do të jetë për ta shtrirë këtë më gjerë në shkallë në nivel kombëtar pasi kudo që ka shkolla ka të mitur, ka prindër që janë të shqetësuar për sigurinë e fëmijëve të tyre. Kështu që, padyshim për ne është e rëndësishme prioritare, që të garantojmë të fillojmë zbatimin e tij me sigurimin e shkollave. Kemi patur dhe bashkëpunimin e Ministrisë së Arsimit, dhe stafin zbatues të ambienteve dhe të stafit pedagogjik, për të parë se si dislokohen edhe kamerat edhe përpunohet gjithë informacioni, në mënyrë që të garantohet, që të mos kemi incidente të rënda ku nxënës përdorin elementë të caktuar, që po bëjnë kërcënim për shokët e tyre dhe shoqet e tyre. Këto janë ngjarje shumë të rënda, të cilat kanë tronditur opinionin publik dhe nuk mund të lejohen të vijojnë. Prandaj, zbatimi sa më shpejt i projektit “Smart City”, duke filluar me shkollat dhe më pas me sigurinë rrugore, por dhe më gjerë, dhe me ngjarje të rënda, është prioritet për Ministrinë e Punëve të Brendshme, dhe është një punë që po vijon dita-ditës, dhe me ekipin zbatues, dhe besoj që shumë shpejt do të kemi dhe lajmet e para për fillimin e zbatimit. Dy elemente që kanë qenë në funksion të fillimit të zbatimit, janë Qendra e komandës dhe kontrollit ku do të funksionojë e përqendrohet. Ka pasur një vendimmarrje nga ministri i Punëve të Brendshme lidhur me këtë duke shfrytëzuar e kombinuar kapacitetet aktuale të Policisë së Shtetit, për monitorim të trafikut, duke sjellë bashkë edhe këtë komponent të shtuar, të mundësuar falë projektit “Smart City”, në mënyrë që të kombinohen platformat ekzistuese me ato të reja të sjella falë këtij projekti madhor, në mënyrë që të bëhet e mundur për një kontroll absolutisht në kohë reale të trafikut dhe sjelljes konform ligjit të drejtuesve të mjeteve. Jam i bindur që kjo do të reflektohet shumë shpejt në të dhënat e raportuara në kuptim të sigurisë rrugore.

Pyetje: Prej gati një viti ka pasur një angazhim të shtuar sa i përket lirimit të hapësirave publike në të gjithë vendin. A keni ju një bilanc, pas një viti të këtij operacioni apo procesi, dhe kur pritet të nisë ajo që është quajtur nga kryeministri Rama “Rilindja Urbane 2.0”, që është faza e dytë e këtij operacioni?

Ministri Lamallari: Sa i përket, pjesës kush përfiton ose lirimit të hapësirave publike, pa dyshim ju jeni bërë me dije edhe nga komunikimet e ndryshme qoftë nga kryeministri por edhe nga kanalet komunikimit të Ministrisë dhe Punëve të Brendshme me operacionet e IKMT. Ajo që është e rëndësishme është që vendimmarrja është e qartë edhe në kuptim politik për të unifikuar, punonjës, struktura të shtetit, të cilët kanë të njëjtin.
Që do të thotë IKMT dhe IMT bëhen bashkë për qëllimin e vetëm të lirimit të hapësirave publike dhe garantimit të masave për kontrollin e territorit. Kështu që ky është një tjetër prioritet, kreu i ri i IKMT-së e ka këtë si prioritet të punës së përditshme dhe ndodhet kudo si me operacionin që zhvillon IKMT-ja në Tiranë, në Durrës apo së fundmi edhe në jug të vendit, ku nuk duhet të lejohet kurrsesi asnjë lloj formë shkelje apo tentative për abuzim dhe shtrirje të territorit në kuptim të paligjshmërisë.
Pra ato dukuri që janë konstatuar në Ksamil, në Orikum, ku persona të caktuar vendosin gurë, goma, element të caktuar, dërrasa, çfarëdo lloj elementi për të tentuar, për të parë nëse autoritetet do të reagojnë, në mënyrë që ato më pas të zhvillojnë një kabinë, e cila më pas synon të legalizohet. Kjo unë mund të them vetëm “Ta harrojnë”. Këtë ta harrojnë. Nuk mund të ndodhë. IKMT-ja po kombinon gjithë forcat e veta me ato të IMT-së, me Policinë e Shtetit. Për këto informohen periodikisht dhe i kam kërkuar gjithashtu drejtuesit të ri Policisë së Shtetit, të garantojë, që çdo strukturë policore, qoftë në nivel komisariati apo vendore, do të ketë përgjegjësi të drejtpërdrejtë për të garantuar se ka qenë aty e pranishme, ka evidentuar këto forma paligjshmërie, ka bashkëpunuar ngushtësisht me IKMT-në, në mënyrë që mos lejohet dhe t’i vihet “Stop” ndalesë kësaj dukurie, që tentojnë të abuzojmë me interesin publik, me të mirën e qytetarëve. Në fund të ditës mbrojtja e ekonomisë dhe turizmit, siç unë e thashë më herët, është e një rëndësie kritike kombëtare, për vendin tonë, për rritjen e mirëqenies sociale dhe rritjen e trajtimit financiar, si për pyetjen që bëri kolegu juaj lidhur me punonjësit e shtetit apo edhe pensionistë dhe për çdo element tjetër. Këtu vjen ekonomia. Mbrojtja e territorit është pasuri kombëtare, e gjithë qytetarëve shqiptarë.