Ministria e Punëve të Brendshme

Ministrja e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu mori pjesë në ceremoninë e certifikimit të 36 punonjësve të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (AMP), të trajnuar në kuadër të Programit ICITAP, si dhe në nënshkrimin e marrëveshjes së bashkëpunimit ndërmjet Akademisë së Sigurisë dhe AMP-së.

Në fjalën e saj, ministrja vlerësoi bashkëpunimin mbi 25-vjeçar me Shtetet e Bashkuara të Amerikës përmes Programit ICITAP, duke theksuar se ky partneritet ka qenë thelbësor në rritjen e profesionalizmit, integritetit dhe transparencës së institucioneve ligjzbatuese shqiptare. Gjatë këtyre viteve, mbi 380 oficerë dhe agjentë janë trajnuar, duke kontribuar drejtpërdrejt në forcimin e kapaciteteve institucionale.

“Për qytetarin shqiptar është një lajm shumë i mirë që sot jemi sërish bashkë, jo vetëm për të vlerësuar arritjet, por për të hapur një kapitull të ri bashkëpunimi, me ambicien për të bërë edhe më shumë në vijim,” u shpreh ministrja.

Duke u ndalur te roli i AMP-së, ajo theksoi se aplikimi i metodave të avancuara hetimore, lufta e sofistikuar kundër krimit të organizuar, si dhe rritja e integritetit personal dhe profesional të oficerëve janë kushte të panegociueshme për funksionimin e shtetit të së drejtës. Sipas saj, ndonëse progresi i arritur është i dukshëm dhe i vlerësuar nga partnerët ndërkombëtarë, mbetet ende hapësirë për përmirësim, veçanërisht në drejtim të transparencës dhe forcimit të mekanizmave të llogaridhënies.

Në këtë kontekst, marrëveshja e bashkëpunimit u cilësua si një hap i rëndësishëm drejt ndërtimit të një arkitekture të re institucionale, ku parandalimi, trajnimi dhe mbikëqyrja funksionojnë si një zinxhir i vetëm dhe i koordinuar.

Ministrja përgëzoi klasën e re të punonjësve të AMP-së për përfundimin me sukses të trajnimit, duke theksuar se njohuritë e përfituara duhet të përkthehen në veprim konkret, përgjegjësi të përditshme dhe politika më efikase në shërbim të ligjit dhe qytetarëve.

Në përfundim, ajo falënderoi përfaqësuesit e lartë amerikanë të zbatimit të ligjit, për mbështetjen e vazhdueshme, duke nënvizuar se mbështetja e Shteteve të Bashkuara ka qenë dhe mbetet një nga garancitë më të forta për suksesin e reformave dhe forcimin e institucioneve në Shqipëri.