Ministria e Punëve të Brendshme

Tiranë – Ministrja e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu priti sot z. William David Womble, Koordinator i Organizatës Ndërkombëtare për Migracionin (IOM) për Ballkanin Perëndimor, në kuadër të forcimit të bashkëpunimit në fushën e migracionit.

Gjatë takimit u vlerësua progresi i deritanishëm dhe u diskutua vizioni për një partneritet afatgjatë mes Shqipërisë dhe IOM, në funksion të zbatimit të Strategjisë Kombëtare të Migracionit dhe përafrimit të mëtejshëm me standardet europiane. Vëmendje e veçantë iu kushtua mbrojtjes së grupeve vulnerabël, menaxhimit të integruar të kufijve, si dhe përmirësimit të sigurisë dhe cilësisë së shërbimeve, në përputhje me praktikat më të mira ndërkombëtare.

Ministrja Koçiu theksoi se, ndërsa Shqipëria avancon drejt integrimit europian, bashkëpunimi me partnerë strategjikë si IOM mbetet thelbësor për ndërtimin e politikave të qëndrueshme dhe efektive të migracionit, në përputhje me angazhimet dhe standardet e Bashkimit Europian.