Ministria e Punëve të Brendshme

Tiranë – Mbahet mbledhja e dytë e Komisionit për Njohjen e Pakicave Kombëtar. Në fokus të diskutimeve ishin problematikat e evidentuara gjatë procesit të shqyrtimit të kërkesave, si dhe nevoja për më shumë qartësi dhe unifikim të praktikave. Anëtarët e Komisionit theksuan rëndësinë e hartimit të një udhëzuesi praktik, i cili do të shërbejë si orientim i përbashkët për të gjitha institucionet e përfshira, duke garantuar trajtim të barabartë dhe respektim të plotë të të drejtave. Ky udhëzues ka filluar të përgatitet nga Komiteti Shtetëror i Minoriteteve.

Mbështetje për zbatimin e akteve nënligjore, veçanërisht për ndërgjegjësimin e komuniteteve dhe përgatitjen e materialeve shpjeguese mbi procesin, është ofruar edhe nga Zyra e Këshillit të Europës (KiE) në Tiranë, bashkëpunim i nisur tashmë.

Një tjetër pikë kyçe, në takimin e mbajtur në Ministrinë e Brendshme, ishte domosdoshmëria e koordinimit më të ngushtë me institucionet përgjegjëse, veçanërisht me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ministrinë e Arsimit dhe Sporteve, si dhe me njësitë e vetëqeverisjes vendore, për të siguruar një zbatim sa më efektiv dhe gjithëpërfshirës.

Komisioni shqyrtoi gjithashtu 11 kërkesa të paraqitura nga individë, që kanë ushtruar të drejtën e tyre për vetë-identifikim, si pjesë e një pakice kombëtare. Pas shqyrtimit, me shumicë votash, u morën vendime për konfirmimin e këtyre rasteve.

Me këtë mbledhje, Komisioni riafirmon angazhimin për të siguruar që e drejta e vetë-identifikimit të ushtrohet lirisht, të respektohet plotësisht dhe të mbrohet në përputhje me standardet më të mira ndërkombëtare.