Ministria e Punëve të Brendshme
7 gusht – Në vijim të takimeve rajonale të Grupit të Punës, i ngritur me urdhër të Ministrit të Brendshëm dhe drejtuesit të Drejtoria e Përgjithshme e Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimin, sot u zhvillua në Lezhë takimi i tretë me strukturat vendore të këtij qarku. Në takim morën pjesë Prefekti i Qarkut, drejtues vendor të Policisë së Shtetit, shërbimeve zjarrfikëse të bashkive, njësive të emergjencave civile dhe përfaqësues të pushtetit vendor.
Në qendër të diskutimeve ishin vlerësimi i situatës aktuale në territor, përmirësimi i bashkëpunimit ndërinstitucional, rritja e gatishmërisë për muajin gusht dhe nevojat për logjistikë dhe kapacitete më të mëdha në terren.
Ashtu si në Gjirokastër dhe Delvinë, u theksua rëndësia e ndërhyrjes së shpejtë, koordinimit të afërt mes nivelit qendror dhe atij vendor, si dhe rritjes së ndërgjegjësimit qytetar për të parandaluar zjarrvëniet e qëllimshme apo nga pakujdesia. Nga ana tjetër, u vlerësua puna e gjithë atyre që janë çdo ditë në vijën e parë të përballjes me flakët – nga zjarrfikësit, policët, emergjencat civile, Forcat e Armatosura, deri te vetë banorët e zonave të prekura. Përpjekja e përbashkët është çelësi për ta kaluar me sa më pak pasoja këtë sfidë sezonale.

6 gushtDelvina ishte etapa tjetër në ditën e dytë të takimeve të Grupit të Punës ngritur me urdhër ministri, të cilët, bashkë me drejtuesit nga Drejtoria e Përgjithshme e Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimin, zhvilluan disa takime në këtë bashki, me qëllim koordinimin e masave për situatën me zjarret në jug të vendit. Gjatë muajit korrik rezulton se Delvina ka qenë një nga zonat më të goditura nga zjarret.

Pas analizës së zhvilluar një ditë më parë në Gjirokastër, në këtë bashki u zhvillua një takim me Prefektin e Vlorës, kryetarët e bashkive të qarkut, drejtues të njësive administrative dhe strukturave të emergjencave lokale, si dhe u pa nga afër puna në terren e strukturave vendore; u analizuan sfidat konkrete me të cilat përballen banorët dhe shërbimet zjarrfikëse në Qarkun Vlorë.

U diskutua mbi masat e marra, nevojat për ndërhyrje më të shpejtë dhe koordinimin mes strukturave qendrore dhe vendore, me qëllim rritjen e gatishmërisë për muajin gusht – periudhë me rrezik të shtuar zjarresh.

Ndërhyrjet e shpejta dhe angazhimi i shërbimeve zjarrfikëse, Policia e Shtetit, Emergjencave Civile, Forcave të Armatosura dhe banorëve, kanë qenë vendimtare. Por kjo situatë na tregon se nevojitet më shumë infrastrukturë dhe bashkëpunim edhe më i ngushtë.

U vlerësua puna e gjithë strukturave që janë në terren çdo ditë dhe po e përballojnë këtë sfidë me përkushtim dhe profesionalizëm.