Ministria e Punëve të Brendshme

Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha falënderoi punonjësit e shërbimit zjarrfikës dhe gjithë forcat e tjera të përfshira në operacionin e shuarjes së zjarrit në landfillin e Elbasanit, gjatë vizitës që bëri sot në këtë qytet, pikërisht në vendin ku u zhvillua operacioni. I shoqëruar nga Ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu, kryebashkiaku Llatja, kreu i AKMC Haki Çako, Drejtori i PMZSH Arben Cara dhe zyrtarë të tjerë të lartë, Hoxha u shpreh se “Jemi këtu për të falënderuar të gjithë ato forca që kanë qenë të angazhuara në këtë operacion dhe aksion shumë të zgjatur, në një kapacitet dhe nën temperatura shumë të nxehta. Jemi këtu për t’ju inkurajuar dhe mbështetur në punën në vazhdim në këtë mision kaq të vështirë që u tregua nga puna dhe sakrifica juaj e madhe e këtyre ditëve.”

Duke shtrënguar dorën me secilin prej punonjësve që morën pjesë në operacion, Ministri Hoxha theksoi se lidhur me këtë ngjarje, do të bëhet një analizë e plotë dhe një hetim për të nxjerrë shkaqet.

Hoxha tha se “Para disa ditësh kam pasur një takim me shërbimin zjarrfikës ku e kam ritheksuar që zjarrvënia e qëllimshme është vepër penale. Gjithsesi, jemi sot këtu me Ministrin për t’ju thënë faleminderit. Do të bëjmë analizën e kësaj pune dhe besoj se edhe një hetim i plotë i kësaj ngjarjeje do të vijojë më pas. Unë ju falënderoj në emër të Ministrisë së Brendshme për punën, angazhimin, sakrificat e këtyre ditëve, në këto temperatura kaq të nxehta,” – theksoi Ministri Hoxha.

Në operacionin gati 1-javor për shuarjen e zjarrit në landfillin e Elbasanit, u angazhuan dhjetëra punonjës të shërbimit zjarrfikës, pjesëtarë të Forcave të Armatosura, mjete zjarrfikëse dhe të tjera nga disa bashki të vendit, përfshirë edhe një helikopter të Forcave të Armatosura.

Tashmë vendi i depozitimit të mbetjeve monitorohet me pajisje të sofistikuara në mënyrë që të shmanget një emergjencë e ngjashme në të ardhmen. Ka një angazhim maksimal për sa i përket bashkëpunimit ndërinstitucional me Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile dhe Ministrinë e Mbrojtjes si dhe me strukturat vendore për të rritur kapacitetet në luftën kundër zjarreve dhe për parandalimin e situatave të ngjashme në të ardhmen nëpërmjet kujdesit të shtuar dhe identifikimit dhe implementimit të mekanizmave modernë.