Ministria e Punëve të Brendshme

Himarë – Me angazhimin institucional, Ministria e Brendshme, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit dhe Bashkia Himarë kanë ndërmarrë një sërë masash dhe inspektuan nga afër vijën bregdetare për mbi ecurinë e sezonit turistik, riorganizimin e prioriteteve dhe përmirësimet e nevojshme në zonat turistike, për të garantuar mbarëvajtjen e tij, sigurinë e pushuesve dhe menaxhimin e qëndrueshëm të hapësirave publike.

Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha deklaroi se për këtë sezon është hartuar një plan i ri sigurie, i cili përfshin shtimin e forcave të Policisë së Shtetit përgjatë bregdetit të Vlorës. Sipas tij, “Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë është përforcuar me 95 efektivë shtesë, të cilët do të jenë të angazhuar gjatë gjithë sezonit turistik. Në çdo vijë bregdetare do të patrullojnë dy punonjës policie të shoqëruar me një agjent policie, të gatshëm për të ndërhyrë dhe ndihmuar qytetarët në kohë reale. Këto masa janë pjesë e një strategjie të re për garantimin e sigurisë së turistëve vendas dhe të huaj, si dhe për forcimin e kontrollit ndaj mjeteve të lundrimit, të cilat shpesh operojnë jashtë kritereve të lejuara dhe me kapacitete të tejkaluara, duke funksionuar si “taksi detare”.

Ministrja Kumbaro bëri të ditur se janë ndërmarrë hapa konkretë që në pranverë për të garantuar një menaxhim të drejtë të plazheve, duke zbatuar një rregullore të re që siguron akses publik për qytetarët në çdo cep të bregdetit. “Janë ndarë parcela për menaxhim privat në përputhje me VKM-në, duke mbajtur një raport 50% publik dhe 50% privat, ndërsa janë liruar edhe hapësirat e zëna padrejtësisht nga subjekte me kontrata të mëparshme. Është vendosur një kufi i qartë në zonat e notimit për të garantuar sigurinë, ndërsa për zonat me infrastrukturë më sfiduese si Vunoi dhe Dhërmiu, është theksuar nevoja për organizim më të mirë, për vendosjen e patrullave për të përballuar flukset gjatë fundjavave”, tha ministrja e Turizmit.

Ministri i Brendshëm theksoi se strukturat e Policisë së Kufirit dhe Migracionit janë pajisur me forca shtesë për të përballuar flukset dhe se fokusi mbetet te parandalimi i çdo incidenti që mund të cenojë sigurinë e qytetarëve. Ai kujtoi se sezoni i kaluar u mbyll pa asnjë ngjarje kriminale të regjistruar ndaj turistëve, ndërsa falënderoi punonjësit e policisë që këtë vit janë angazhuar në shërbim të përqendruar 12-orësh deri më 15 shtator. Sipas tij, prania aktive dhe reagimi në kohë reale e kthejnë Policinë e Shtetit në një garanci për mbarëvajtjen e sezonit dhe për reputacionin e Shqipërisë si një vend mikpritës dhe i sigurt për turizëm.

Duke marrë parasysh rritjen e numrit të turistëve, që vitin e kaluar kapën shifrën e 12 milionë, autoritetet janë të vendosura të ofrojnë standarde më të larta në çdo drejtim: nga pastërtia e plazheve, te siguria në det dhe në rrugë, te administrimi korrekt i hapësirave publike dhe private. Me angazhimin e bashkisë, mbështetjen e ministrive përkatëse dhe reagimin pozitiv të qytetarëve, Himara po shndërrohet në një model të ri për menaxhimin e turizmit bregdetar shqiptar – një vend ku pushuesit mund të ndihen të lirë dhe  të sigurt.