Ministria e Punëve të Brendshme
Projekti “EU4Migration” u lancua sot në Tiranë, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të lartë të Ministrisë së Brendshme, European Union in Albania, Policia e Shtetit, organizatave ndërkombëtare partnere IOM Albania dhe institucioneve shqiptare. Ministria e Brendshme vlerëson këtë projekt si një instrument strategjik në funksion të përmbushjes së standardeve evropiane për menaxhimin e migracionit, azilit dhe mbrojtjes së kufijve, në përputhje me angazhimet e vendit në kuadër të procesit të integrimit evropian, veçanërisht Kapitullin 24 “Drejtësia, Liria dhe Siguria”.
Projekti #EU4Migration, që do të zbatohet deri në fund të vitit 2028, nuk është vetëm një ndërhyrje teknike, por një nismë gjithëpërfshirëse që synon:
Forcimin e kapaciteteve institucionale për menaxhimin e migracionit të ligjshëm dhe të parregullt;
Përmirësimin e politikave të azilit në përputhje me acquis-në e BE-së;
Ndërtimin e strukturave të qëndrueshme për kthimin dhe riintegrimin;
Luftë më efektive ndaj kontrabandimit të migrantëve, përmes shkëmbimit të informacionit dhe bashkëpunimit ndërinstitucional;
Rritjen e aksesit të migrantëve, refugjatëve dhe azilkërkuesve në shërbime sociale, ekonomike dhe arsimore.
Zv.ministri i Brendshëm Besfort Lamallari veçoi si një komponent të veçantë të projektit, ngritjen e Qendrës Kombëtare të Pritjes për fëmijët migrantë të pashoqëruar, në përputhje me standardet më të larta ndërkombëtare, arritje domethënëse për mbrojtjen e një grupi vulnerabël.
“Përpjekjet tona janë të përqendruara në sigurimin e komplementaritetit ndërmjet projekteve, me qëllim që të shmanget mbivendosja e aktiviteteve dhe të garantohet mbulimi i të gjitha nevojave reale të sistemit kombëtar. Shembull konkret i këtij bashkërendimi është ndërthurja e aktiviteteve të projektit “EU4Migration” me iniciativën rajonale “Mbështetje Rajonale për Menaxhimin e Migracionit me fokus tek mbrojtja në Ballkanin Perëndimor – Faza III”, ku janë identifikuar aktivitete të përbashkëta si zhvillimi i Planit Kombëtar të Kontigjencës dhe Masterplanit Kombëtar për Menaxhimin e Migracionit”, theksoi zv.ministri Lamallari.
“Me #EU4Migration, ne po mbështesim Shqipërinë në forcimin e menaxhimit të migracionit dhe mbrojtjen e kufijve, duke e bërë këtë bazuar në parimet e solidaritetit, dinjitetit njerëzor dhe në përputhje të plotë me të drejtat e njeriut. Kjo është jo vetëm thelbësore për të përballuar sfidat komplekse të migracionit global, por edhe për të avancuar rrugëtimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE. Sistemet e forta, të drejta dhe efektive të migracionit përfitojnë si njerëzit në lëvizje, ashtu edhe komunitetet që i mirëpresin ata”, Ambasadori i BE-së, Silvio Gonzato.
Ai është tërësisht i lidhur me zbatimin e Strategjisë Kombëtare të Migracionit 2024–2030 dhe Planit të saj të Veprimit. Projekti do të kontribuojë në përkthimin e dokumenteve strategjike në veprime konkrete, duke përmirësuar efikasitetin e sistemit kombëtar dhe ndihmuar vendin të përballojë sfidat aktuale dhe të ardhshme në këtë fushë.
Mirënjohje për mbështetjen që Bashkimi Europian ofron dhe rolin kyç të organizatave partnere si IOM, UNHCR, EASO, FRONTEX, të cilat garantojnë zbatim të suksesshëm dhe në përputhje me standardet më të larta europiane. Projekti përfaqëson një platformë të hapur bashkëpunimi dhe besimi, ku Shqipëria nuk është thjesht përfituese e asistencës, por partnere aktive në ndërtimin e një sistemi të drejtë, funksional dhe të integruar të menaxhimit të migracionit.