Ministria e Punëve të Brendshme

Akademia e Sigurisë – Me rastin e Ditës së Dëshmorëve u zhvillua një ceremoni përkujtimore. Në të morën pjesë, zëvendësministri i Brendshëm Andi Mahila, Sekretarja e Përgjithshme e MB-së, Suzana Hoxha, përfaqësues të institucioneve vendore, drejtues të lartë të Policisë së Shtetit, përfaqësues të misioneve që asistojnë punën e Policisë së Shtetit, familjarë dhe të afërm të punonjësve të Policisë të rënë në krye ose për shkak të detyrës.

Zv.ministri Mahila shprehu mirënjohje për veprën sublime të Dëshmorëve dhe në emër të Ministrisë së Brendshme, ofroi mbështetje për familjarët e punonjësve të Policisë që sakrifikuan jetën për sigurinë e kombit.

Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Sokol Bizhga, në emër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Ilir Proda dhe të organizatës së Policisë së Shtetit, garantoi përkrahje për familjarët e Dëshmorëve të Policisë dhe më shumë angazhim nga ana e Policisë, për të luftuar krimin, me qëllim krijimin e një ambienti të sigurtë.

Gjatë ceremonisë mbajti fjalë dhe punonjësi i Policisë Maringlen Goçi, djali i njërit prej Dëshmorëve të Policisë, i cili ka vlerësuar mbështetjen e drejtuesve të Policisë dhe të kolegëve dhe në emër të të gjithë fëmijëve të Dëshmorëve, që aktualisht janë pjesë e Policisë, ka premtuar se me përkushtimin e tyre në detyrë do të bëjnë krenarë familjen e tyre dhe Policinë e Shtetit.

Ceremonia u mbyll me vendosjen e kurorave me lule në Memorialin përkujtimor, kushtuar Dëshmorëve të Policisë së Shtetit.

I përjetshëm kujtimi i Dëshmorëve të Atdheut!