Ministria e Brendshme

31 mars – Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha zhvilloi një takim bilateral me homologen britanike Yvette Cooper, gjatë vizitës së tij në Londër. Nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale shkruan se “kënaqësi takimi me Ministren e Brendshme të Britanisë së Madhe, Yvette Cooper, me të cilën zhvilluam një bisedë shumë të frytshme, gjatë vizitës që zhvillova në Londër”. Hoxha bëri të ditur se “diskutuam për çështje që prekin interesin e përbashkët, si migracioni i paligjshëm, krimi ndërkufitar, etj.”

Nga ana tjetër sipas Hoxhës, “ministrja Cooper më siguroi mbështetje të plotë të qeverisë britanike për rritjen e kapaciteteve policore, por edhe në proceset integruese të vendit drejt BE-së”.

“Me Britaninë e Madhe e kemi intensifikuar bashkëpunimin jo vetëm në nivel strategjik, por edhe operacional. Oficerë të Policisë së Shtetit punojnë ngushtësisht në skuadra hetimi, me Policinë Britanike”, nënvizoi Hoxha.

Sipas Hoxhës “rezultatet e shkëlqyera që arritëm kundër migracionit të paligjshëm dy vitet e fundit, u dakordësuam t’i shtrijmë edhe në fushën e luftës kundër krimit të organizuar”.

“Me Ministren ndamë idenë se edhe vende të tjera të Ballkanit Perëndimor, duhet t’i bashkohen Task Forcës së përbashkët, ku është bërë pjesë edhe Kosova”, theksoi ministri.

Gjithashtu e përmbylli reagimin Hoxha “folëm mbi përgatitjet për Samitin e Komitetit Politik Europian, që mbahet në mesin e majit në Tiranë, si një ngjarje e rëndësishme politike për vendin”.

1 prill – Në ditën e parë të Samitit për Sigurinë Kufitare, që po mbahet në Britaninë e Madhe, ku marrin pjesë rreth 40 vende, Kryeministri britanik Starmer u ndal tek goditja e ashpër ndaj përfituesve nga kontrabandimi i qenieve njerëzore. Tirana zyrtare përfaqësohej në Samit nga ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha dhe drejtues të lartë të Policisë së Shtetit, Drejtori i Departamentit të Policisë Kriminale Neritan Nallbati dhe Drejtori i Departamentit për Kufirin dhe Migracionin, Saimir Boshnjaku.

Ministri i Brendshëm shqiptar theksoi në fjalën e tij, rezultatet konkrete të operacioneve, të ekipeve të përbashkëta hetimore.

“Shqipëria ka dëshmuar përkushtim të fortë dhe rezultate konkrete në luftën kundër krimeve financiare, migracionit të paligjshëm dhe krimeve ndërkufitare. Përmes bashkëpunimit të thelluar me partnerët evropianë dhe organizatat ndërkombëtare, Shqipëria ka arritur të përmirësojë ndjeshëm kapacitetet operacionale”, deklaroi ministri Hoxha.

Më tej, ai tha se Shqipëria është vendi i parë në rajon që ka nënshkruar dhe po zbaton një marrëveshje bashkëpunimi me FRONTEX, e cila po zgjerohet edhe në vende të tjera të rajonit tonë, si model i suksesshëm.

30 mars – Në dy ditët e ardhshme, në Londër mbahet Samiti për Sigurinë Kufitare: Krimi i Organizuar i Emigracionit, ku marrin pjesë përfaqësues nga rreth 40 vende. Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha mori pjesë në ceremoninë e pritjes së delegacioneve pjesëmarrëse në Ministerial, së bashku me drejtuesin e Departamentit të Policisë Kriminale, Neritan Nallbati dhe të Policisë Kufitare, Saimir Boshnjaku.

“Me Ministren e Brendshme të Britanisë së Madhe, Yvette Cooper, bashkëndajmë një histori të qartë suksesi të bashkëpunimit policor, që çoi në uljen e ndjeshme të migracionit të paligjshëm, por edhe kemi ndërtuar një bashkëpunim të ngushtë në luftën kundër krimit të organizuar”, theksoi ministri Hoxha, pas bisedës me homologen britanike.

31 mars – Kryeadministratorja e AAPSK, takim me homologët britanikë për administrimin e kriptomonedhave dhe pasurive dixhitale.  Në kuadër të vizitës në Mbretërinë e Bashkuar, kryeadministratorja e AAPSK, Risena Xhaja, zhvilloi një takim me përfaqësues të “Asset Recovery” për të ndarë praktikat më të mira mbi menaxhimin e pasurive të sekuestruara dhe konfiskuara, me fokus të veçantë në kriptomonedhat.

Palët shprehën gatishmërinë për të forcuar bashkëpunimin dhe përmirësuar mekanizmat ekzistues në këtë fushë.

Një ekspert britanik do të vizitojë së shpejti Shqipërinë për të finalizuar marrëdhëniet e reja të bashkëpunimit dhe për të trajnuar stafin e AAPSK mbi administrimin e pasurive dixhitale.