Miratohet VKM“Për përcaktimin e kritereve dhe procedurave të kompensimit për kufizimet që i krijohen punonjësit të policisë për largësinë nga vendbanimi, sipas kostos së transportit publik dhe paga për papunësinë e bashkëshortit, të shkaktuar nga largësia e vendbanimit, si dhe kriteret dhe masa e përfitimit të pagesës së qirasë për strehim”
Vendimi i miratuar në mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave, në zbatim të ligjit “Për Policinë e Shtetit”, rregullon situatën ligjore për kompensim të drejtë dhe të qartë për punonjësit e Policisë, që detyrohen të punojnë jashtë vendbanimit të tyre, duke përmirësuar ndjeshëm stabilitetin financiar të familjeve të tyre, pasi punonjësit e Policia e Shtetit shpeshherë përballen me shpenzime të konsiderueshme për transport, veçanërisht në rastet kur transferohen në zona të largëta.
Transferimi i punonjësve në zona të reja shkakton humbjen e vendeve të punës për bashkëshortët/et e tyre, duke krijuar vështirësi financiare dhe sociale për familjen, e në këtë vendim janë përcaktuar kriteret dhe procedurat lidhur me bashkëshortët, veçanërisht kompensimi për papunësinë dhe përfshirja e periudhës pa punë në vjetërsinë për pension. Kjo ndihmon në ruajtjen e qëndrueshmërisë sociale dhe ekonomike të familjes. Në të, gjithashtu garantohen kushte më të mira për strehimin e punonjësve të Policisë, të cilët janë të transferuar jashtë vendbanimit të tyre të përhershëm, duke siguruar që ata të kenë mundësi për të mbuluar shpenzimet e qirasë për strehim. Kjo kontribuon në përmirësimin e kushteve të jetesës dhe lehtësimin e pasigurisë që mund të kenë ata dhe familjet e tyre.
Objektivat janë:
️ të rregullojë kriteret dhe procedurat për përfitimin e pagesës për kompensim udhëtimi për punonjësit e Policisë së Shtetit;
️ të përcaktojë kompensime për bashkëshortët e punonjësve të Policisë së Shtetit, të cilët humbasin vendin e punës për shkak të transferimeve dhe qëndrimit në zona të largëta;
️ të detajojë kriteret e nevojshme për përfitimin e pagesave, duke përfshirë dokumentacionin e kërkuar dhe procedurat për aplikim;
️ të krijojë një mekanizëm bashkëpunimi me zyrat rajonale të punësimit, për të siguruar trajtim me përparësi për bashkëshortët e punonjësve në rastet e hapjes së vendeve të lira pune;
️ të minimizojë ndikimet financiare dhe sociale që vijnë nga transferimet e punonjësve të Policisë së Shtetit, duke mbrojtur mirëqenien ekonomike të familjeve të tyre dhe duke garantuar kushte të qëndrueshme për jetesë dhe punë;
️ të përcaktojë kritere dhe masa për kompensimin e qirasë së banesës për punonjësit e policisë që transferohen apo emërohen jashtë vendbanimit të tyre të përhershëm.
Akti do të garantojë përmirësimin e cilësisë dhe ndikojë drejtpërdrejt në rritjen e efikasitetit të shërbimeve publike në fushën e sigurisë dhe rendit, në luftën kundër krimit të organizuar, duke rritur kështu besimin publik.