Ministria e Brendshme

Ministria e Punëve të Brendshme e shtetit shqiptar është krijuar më 4 dhjetor 1912, ditë kur u miratua kabineti i Ismail Qemalit nga Kuvendit Kombëtar në Vlorë. Organizimi i saj në vitet 1913–1920 ishte i vështirë për shkak të rrethanave në të cilat kalonte Shqipëria. Edhe Delegacia e Punëve të Brendshme me qendër në Durrës në vitet 1918–1920, nuk arriti të funksionojë apo të krijojë një model qeverisje. Pas Kongresit të Lushnjes, Qeveria vendosi thirrjen e organizatorëve të huaj për organizimin e administratës. Për postë-telegrafat, financat, bujqësinë, shëndetësinë, administratën, kadastrën, xhandarmërinë, policinë, drejtësinë dhe arsimin e mesëm, u vendos të thirreshin specialistë austriakë. Ministria e Punëve të Brendshme kishte në varësi 10 Prefektët, që ishin autoriteti më i lartë vendor.

Organizimi strukturor i MPB-së gjatë viteve 1920 – 1925

Nga 31 janari 1920 e deri më 31 dhjetor 1921, Ministria e Punëve të Brendshme përbëhej nga Zyra e Këshilltarit, Kryesekretaria, Drejtoria e Shtetit Civil, Drejtoria e Jetëshkrimit, Drejtoria e Shtypit.

Në 1 janar 1922 u bë riorganizimi i MPB, e cila ndahej: Sekretaria e Përgjithshme, Seksioni I, Seksioni II, Seksioni III, Seksioni IV (Shteti Civil), Seksioni V (Shtypi), Zyra Sekrete.

Duke qenë se Ministria e Punëve të Brendshme ishte akoma pa një ligj organik, më 30 maj 1923 i dërgoi kryesisë së Këshillit të Ministrave ligjin organik të MPB-së, në bazë të të cilit përbëhej nga: Këshilli i Ministrisë, Sekretaria e Përgjithshme, Sekretaria Sekrete, Sekretaria Private, Seksioni I, Seksioni II, Seksioni III, Seksioni IV, Inspektoria.

Ministria e Punëve të Brendshme gjatë viteve 1925 – 1939

Në vitin 1925 MPB u thjeshtësua në: Seksioni I, Seksioni II, Zyra Sekrete.

Në vitin 1926 organizatorët britanikë vendosën një modelim të thjeshtë të Ministrisë. Nënprefekturat u lidhën drejtpërdrejt me MPB-në, u ngritën: Drejtoria e Departamentit Jug e Qendër, Drejtoria e Departamentit Veri e Lindje dhe Shtetit Civil, Drejtoria e Shtypit, Zyra Sekrete.

Në vitin 1928 Ministria e Punëve të Brendshme, pësoi një riorganizim me ligjin e 11 qershorit 1928. Administrata qendrore e MPB-së përbëhej nga:

 Sekretaria e Përgjithshme.

 Drejtoria e Korrespondencës.

 Drejtoria e Shtetit Civil, Statistikës, Emigracionit, dhe Fletores Zyrtare

 Zyra Sekrete e Private.

 Inspektoria dhe Llogaritari.

Në varësi të ministrisë, por jo brenda saj ishin edhe policia, xhandarmëria dhe Drejtoria e Përgjithshme e Shëndetësisë.

MPB-ja gjatë periudhës së Luftës së Dytë Botërore, 1939 – 1945

MPB-ja gjatë kohës së Luftës së Dytë Botërore zhvilloi detyra të shumta të karakterit politik, administrativ, shoqëror, sigurim publik, shëndetësor, urbanistik etj. Ministria përbëhej prej 11 zyrash:

 Sekretatia e Përgjithshme

 Drejtoria e Përgjithshme e Policisë

 Drejtoria e Përgjithshme e Shëndetësisë

 Drejtoria e Kryqit të Kuq

 Drejtoria e Personelit

 Drejtoria e Administratës Civile

 Drejtoria e Enteve Komunalë

 Drejtoria e Shërbimeve të Inspektimit

 Drejtoria e Llogarisë dhe Ekonomatit

 Drejtoria e Zyrës Politike (shërbimi sekret)

 Drejtoria e Zyrës Qendrore për Ndërtimit dhe Urbanistikës

 Drejtoria e Zyrën Qendrore të Kapitenerive të Portit.

Nga këta, Zyra e Punëve të Përgjithshme dhe e Instituteve të Prevencionit e Ndëshkimit merrej me shoqata e shoqëri, moralin publik, fatkeqësi publike, institute ndëshkimi, personelin e rojeve. Zyra e Inspektorisë së Përgjithshme mbikqyrte punën e zhvilluar prej inspektorëve krahinorë.

Ministria e Punëve të Brendshme gjatë viteve 1944 – 1991

Në vitin 1944, Qeveria e dalë pas mbledhjes së Përmetit (maj 1944) do të krijonte Ministrinë e Punëve të Brendshme. Morën fund në këtë kohë organizimi i xhandarmërisë, policisë, shërbimit sekret, etj. Në vitin 1945, MPB kishte 3 drejtori:

 Drejtoria e Administratës

 Drejtoria e Personelit

 Drejtoria e Policisë

Deri në këtë kohë shërbimi informativ i quajtur Drejtoria e Mbrojtjes së Popullit, varej nga Ministria e Mbrojtjes Kombëtare.

Një vit më vonë DMP u shkri dhe kaloi në MPB me emrin Drejtoria e Sigurimit të Shtetit.

Përgjithësisht deri në vitin 1990, MPB kishte 3 drejtori kryesore:

 Drejtoria e Policisë

 Drejtoria e Kufirit

 Drejtoria e Sigurimit të Shtetit.

Drejtoria e Hetuesisë për një pjesë të madhe kohe, ishte në përbërje të Ministrisë së Punëve të Brendshme. Në krye qëndronte një person ushtarak, që ishte ose jo zëvendësministër.

Ministria në vitet 1991 – 2023

Në majin e vitit 1991 për herë të parë në historinë e Qeverive shqiptare në vite, vjen një Ministri e re. Në vend të Ministrisë së Punëve të Brendshme, u krijuan Ministria e Rendit Publik dhe Ministria e Komitetit të Sigurimit Kombëtar. Shqipëria u bë i dyti vend në Europë që praktikoi modelin e Ministrisë së Rendit Publik.

Në vitin 1994 u krijua Ministria e Brendshme, e cila përfshinte brenda saj edhe pushtetin vendor.

Në vitin 1998 me shkrirjen saj u krijua Ministria e Rendit Publik dhe Ministria e Pushtetit Vendor.

Më 2005 u rikrijua Ministria e Brendshme.

Në 2013, Ministria e Brendshme u riemërtua Ministria e Punëve të Brendshme.

Në kuadër të riorganizimit, prej Shtatorit 2017 u emërtua Ministria e Brendshme.

Në thelb të saj mbetet përmirësimi i shërbimit në çështje rendi dhe sigurie, lufta pa kompromis kundër paligjshmërisë, kultivimit dhe trafikimit të narkotikëve, krimit të organizuar dhe pasurive të paligjshme. Vizioni i fuqisë së ligjit dhe forcës ndëshkuese të tij konceptohet paralelisht me filozofinë e “Policimit në komunitet”. Në bazë të kësaj të fundit, rendi dhe siguria nuk ruhen vetëm përmes penaliteteve, por dhe parandalimit të krimit, cilidoqoftë lloji i tij. Policimi tashmë konceptohet si ushtrim me miratim e jo me forcë, me synim mbështetjen e opinionit publik dhe bashkëpunimin e vetë qytetarit dhe komunitetit.

Ministrat-e-Brendshem-nder-vite_2024