Ministry of Internal Affairs

Navigate to this Section

Z. Oltjon Muzaka ka lindur më 20 dhjetor 1987. Ai ka përfunduar studimet e larta në fushën e së drejtës private në Universitetin Paris I Panthéon-Sorbonne, në Francë, ku ka përfunduar gjithashtu dy programe Master në “E Drejta Ndërkombëtare e Biznesit” dhe “E Drejta Krahasuese”. Ai zotëron gjithashtu një Master Shkencor në “Administrim Publik” nga Fakulteti i Ekonomisë i Universitetit të Tiranës.

Karrierën e tij profesionale në administratën publike e ka nisur pranë Kryeministrisë, ku gjatë viteve 2014–2016 ka ushtruar detyrën e Koordinatorit Ligjor në Departamentin e Legjislacionit, Monitorimit të Programeve dhe Antikorrupsionit. Në periudhën 2016–2017 ka shërbyer si Drejtor i Përgjithshëm i Departamentit të Administratës dhe Shërbimeve, pranë Kryeministrisë.

Gjatë viteve 2015–2017, z. Muzaka ka qenë gjithashtu pjesë e grupeve të punës të Sekretariatit Teknik pranë Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën në Drejtësi.

Në vijim të karrierës së tij në administratën publike, ai ka mbajtur një sërë funksionesh të larta drejtuese, përfshirë detyrën e Sekretarit të Përgjithshëm në Ministrinë e Kulturës (2017–2019), Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë (2019–2020), Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë (2020–2021) dhe Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural (2021–2023). Më pas, ka shërbyer si Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë për Zhvillimin Bujqësor dhe Rural (2023–2024) dhe Drejtor i Shkollës Shqiptare të Administratës Publike (ASPA) (2024–2025).

Nga viti 2025 deri në shtator 2026, z. Muzaka ka ushtruar detyrën e Zëvendësministrit të Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale. Prej datës 25 shtator 2026, ai mban detyrën e Zëvendësministrit të Punëve të Brendshme.

Krahas përvojës në administratën publike, z. Muzaka ka një përvojë të gjerë në fushën e arbitrazhit ndërkombëtar dhe investimeve të huaja, të fituar gjatë angazhimit të tij si jurist pranë studios ligjore “Derains & Gharavi” në Paris. Në vitin 2013, ai ka marrë titullin e avokatit pranë Dhomës së Avokatisë së Tiranës.

Prej vitit 2013, është angazhuar gjithashtu në mësimdhënie pranë disa universiteteve në vend, duke zhvilluar, ndër të tjera, lëndët “E Drejta Tregtare”, “E Drejta Ndërkombëtare e Biznesit” dhe “E Drejta Private Evropiane”.